A do të jetë vendimarrja e 18 tetorit në Bruksel një proces teknik apo një përgjigje për krizën e tejzgjatur politike në vend? Flasin për MAPO-n, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha dhe eksperti për çështjet e integrimit europian, Gledis Gjipali.
Shqipëria ka 5 vite që qëndron tek porta e Bashkimit Europian, në stolin e pritjes, pa mundur të ulet në tabvolinën e bisedimeve për t’u bërë anëtare me të drejta të plota. Në vitin 2009, u duk një veprim i guximshëm kur qeveria Berisha bëri kërkesën zyrtare për të marrë statusin e vendit kandidat, por pavarësisht hezitimit të krerëve të Komisionit Europian, ky status u miratua.
Ishte presidenca çeke që e pranoi këtë kërkesë të ish-kryeminstrit Berisha dhe pse u akuza se në këmbim të saj qeveria i “fali” çekëve CEZ-in, një marrëveshje që u prish më vonë. Kërkesa u mbështet në nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian. Në këtë nen shkruhet se “çdo shtet europian që respekton parimet e lirisë, demokracisë, respektit për të drejtat njerëzore, për ligjin dhe liritë kryesore mund të aplikojë për t´u bërë anëtar i BE”.
Por u deshën të kalonin disa vite deri sa Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së të miratonte statusin në vitin 2014, kur në pushtet ishte tashmë një qeveri tjetër nën drejtimin e Edi Ramës.
Atë kohë Brukseli vlerësoi një aksion të qeverisë Rama me spastrimin e kanabisit në fshatin simbol të kultivimit të drogës, Lazarat. Po pikërisht, kur u duk se rruga e integrimit do të ecte me hapa të shpejtë ky proces u fut sërish në rrugën e zvarritjes. Prej 2 vitesh vendimi për negociatat, të rekomanduara nga Komisioni Europian, shtyhet nga këshilli i ministrave të BE-së, ndërsa Lazarati u kthye në një “fitore të Pirros”, pasi vitet që pasuan treguan se pothuajse i gjithë vendi ishte kthyer në një Lazarat dhe kanabizimi mori përmasa të frikshme.
Në 18 tetor 2019 një tjetër vendim pritet nga BE, pas mbledhjes së qershorit, ku nuk u dha ajo “Po” të cilën Tirana zyrtare e priste në mesin e një krize politike. Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar shumë të rëndësishme këtë datë për të ardhmen e vendit, pasi ne rrezikojmë të ndahemi nga Maqedonia Veriore me të cilën na ka lidhur i njëjti fat në rrugën e integrimit. Edhe vendi fqinj pret të njëjtën përgjigje.
Për kryeministrin Edi Rama, nëse nuk merret përgjigje pozitive nuk ka përgjegjësi qeveria. Ai tenton ta shohë këtë si një çështje të brendshme të BE-së dhe një proces teknik, ku qeveria që ai drejton i ka plotësuar kushtet.
Po si e shohin ekspertët e fushës këtë situatë?
Gjipali: Mosçelja e negociatave pasoja negative për vendin e Rajonin
Drejtuesi i “European Movement Albania”, Gledis Gjipali thotë për Mapo-n se Shqipëria i ka realizuar ato që quhet “detyra shtëpie”.
“Komisioni europian është institucioni i cili bën vlerësimin e Shqipërisë dhe çdo vendi tjetër që synon anëtarësimin BE, sipas kritereve të mire përcaktuara që lidhen me kontekstin e zhvillimin specifik të çdo vendi. Për sa i takon Shqipërisë KE në 2018 ka rekomanduar hapjen e negociatave për që do të thotë se janë realizuar “detyrat e shtëpisë” në atë nivel që e bëjnë të mundur hapjen e tyre si pikëpamja e procesit politik ashtu dhe atij teknik. Këshilli Europian vendosi vitin e kaluar ta shtyjë për sivjet marrjen e vendimit, por duke njohur progresin e arritur. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria nuk ka bërë hapa dhe sërish KE ka rekomanduar hapje e negociatave. Shtyrja e vendimmarrjes për në tetor ishte një sinjal pozitive duke parë frymën që ekzistonte në Vendet Anëtare në atë periudhë ku gjasat ishin për një vendim negativ si për Shqipërinë ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut. Kjo ka të bëjë më shumë me situatën e ndjeshmëritë e brendshme politike të tyre se sa me stadin e reformave në Shqipëri e Maqedoni”.
Gjipali e parashikon pozitive vendimin e 18 tetorit, por nëse nuk do të jetë e tillë do të ketë pasoja negative për vendin. “Gjasat anojnë nga një përgjigje pozitive dhe do të jetë e vështirë që Këshilli të kundërshtojë për herë të dytë pa një argumentim të fortë propozimin e Komisionit për të dy vendet, pavarësisht se vendimmarrja pozitive është e vështirë e kërkon unanimitet, pra të mos kemi asnjë vend kundër hapjes së negociatave. Nëse një situatë e tillë do verifikohej atëherë pasojat negative janë të shumta, së pari do të dekurajohej klasa politike për të vazhduar reforma të rëndësishme; do të dekurajohet administrata publike qe zbaton këto reforma; si dhe shoqëria në përgjithësi e cila pret shumë prej institucioneve europiane. Pasoja akoma më negative do të kemi nëse për arsye të ndryshme, Maqedonia e Veriut hap negociatat e Shqipëria jo, duke kaluar praktikisht me grupin e dytë të vendeve që synojnë anëtarësimin, Kosovën e Bosnje Hercegovinën, të cilat siç e dimë kanë problematika të tjera nga vendet e Ballkanit. Në rast të këtij diferencimi do të gjendeshim përballë një zhgënjimi edhe më të madh i cili rrezikon të marrë ngjyrime të tjera në rajonin tonë”, thotë ai.
Gjosha: Negociatat, vetëm kur të ketë zgjedhje të lira
E pyetur nga Mapo, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, thotë se : “Nuk më habit qëndrimi i Kryeministrit, pasi prej kohësh tashmë ai ka kërkuar gjithmonë fajësinë diku tjetër, larg përgjegjësisë së tij. Proçesi i integrimit është aq sa teknik, po aq edhe politik. Është procesi ku ndërthuret vizioni qeverisës, vullneti për reforma reale, aftësia për të përballuar sfidat e modernizimit dhe reformimit, zbatimi me përpikmëri i ligjeve, por edhe aftësia për të vënë në punë dipllomacinë dhe marrëdhëniet mes shteteve fqinje dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtar. Sot çdo qytetar i thjeshtë e kupton se qeveria Rama ka dështuar në çdo hap të procesit. Kjo është e prekshme në jetën e përditshme dhe në trishtimin dhe humjen e shpresës nga çdokush”.
Gjosha e sheh këtë proces të lidhur ngushtë me krizën politike në vend. “Çelja e negociatave do të jetë e mundur vetëm në momentin kur Shqipëria të ketë përfaqësues të përgjegjshëm politik, të maturuar, që njohin dialogun dhe zgjidhjen e krizave! Shqipëria ka nevojë për bazën e demokracisë që janë zgjedhjet e lira, që i japin mundësi çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë të zgjedhë. Kjo është kyce për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Çdo proces tjetër do të vazhdoj të shoqërohet mes kapitujve negociues”, thekson ajo.