Aktualitet

Intelektualë apo konformistë?








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:59 - 31/08/20 |
Gent Çela

Kronikat frymëzuese që vijnë nga kënde të ndryshme të botës, ku spikasin rrugët xëx të Bjellorusisë, gjen Shqipërinë në një paralelizëm të pashmangshëm në gjumthin e zhegut tonë katërstinor.


Të një vendi si ne, të pamendim, të palirë, të pazë.


Mungesa e intelektualizmit dhe gjendja e rënduar politike, shoqërore, morale, ekonomike, çon të mendosh në honin e mungesës së një elite të angazhuar.


Mendimi që duhet të çurgojë nga e quajtura elitë intelektuale, (termi që ndoshta ka pësuar më shumë inflacion vitet e fundit) përplaset me heshtimin e tyre, ndoshta të elitës më konformiste të globit e që ndodhet në këtë vendth të vogël të tij.


Prej vitit 1898 koncepti modern i intelektualëve, nëpërmjet ‘Manifestit të intelektualëve’, hartuar nga drejfusarët, frymëzuar prej një letre publike nga Emil Zola, drejtuar presidentit të Francës, ku dënoheshin akuzat e rreme ndaj një oficeri të pafajshëm, përcolli idenë e intelektualëve ne mbrojtje të drejtësisë, përballë pushtetit, me kurajë dhe integritet.

Atëbotë shumë më shumë me integritet nga sot.

Përveç një minoriteti njerëzisht të lirë, pjesa dërrmonjëse, të pavdekshmit e katedrave të pabza, shërbejnë zellshëm, si arkitektët kryesorë të politikave të qeverive dhe kahës të çdo pushteti.
Duartrokitës të vetes, të përkushtuar te vile maxim i tyre, ku shkëlqen gjithçkaja për veten dhe asgjëja për të tjerët jashtë oborrit.

Inflacioni i burracakërisë kolektive që çon kandar tëre gazavaj te poturet e byrosë, ka sjellë këtë turravrap gjysmë milioni të shqiptarëve për të ikur gjetiu, si një ikje nga Teba e Edipit pas një dënimi, duke i vrarë këtij vendi, miliona jetë të ardhme të pajetuara.

Apartçikët e sistemit enverist, sot e gjithë ditën i gjen përdhunshëm ekraneve të gazetave, të qetë, të papenduar, të papërtuar, krenarë, në një terren ku pakkush rroket të kujtojë qindra priftërinj e hoxhallarë të pushkatuar, për të vetmin mëkat, besimin në Zot, liri, dije. Pak syresh mundën të rrnojnë për të na tregue. Të tjerët dhanë shpirt torturave të atyre që jetuan për të sunduar, sunduan për të gllabëruar. Dhe kjo vazhdon sot, nga të ngjashmit dhe pasardhësit imitonjës.

E shkuara te ne, vërtitet si një dënim.

Dikur profetët, si më të ndriçuarit, trajtoheshin keqas, torturoheshin, vriteshin nga lajkatarët e pallateve mbretërore, të cilët më vonë do të dënoheshin si profetë të gabuar, të rremë, të shitur. E kuptueshme, e kundërta do të habiste.

Privilegji i të qenit intelektual, i ndriçuar, mbart edhe përgjegjësinë e të bërit zgjedhje. E të thënit. E të folurit. Shqip dhe troç.

Gjithëprania e shëmtisë pamore të oborrtarëve lajkatarë të sotëm në pallatin e ëndrrave tërë rilindje, që kanë ngritur antifjalën, heshtjen, pakahjen, në emër të mbijetesës vetanake.

Prandaj koha që s’pret, kërkon kurajë, korda të forta zëri, e prej çdokujt kërkohet të mos jetë midisës, dykahs e askahs.

E mbara do të ishte një truall që prodhon një elitë intelektuale polemiste, rebele qeverish, posaçërisht kur ato janë të korruptuara sa nuk thuhet, kur Noli do të thoshte qeveri pykash e dallkaukësh, si e jona.

Intifada që nga arabishtja do të thotë ‘heqje qafe’ të çështjes, thelbit, për t’i ikur problemit real, si argumentum ad hominem, është kthyer në qëllim i elitës së fytyrave të lodhura nga përsëritjet, medias, si zjarrfikës profesionistë të herëve kur fillon e ngjizet capak shpresë.

Lypet një grimëkohë për të guxuar e shpresuar. Qe ky vend të mos kthehet në një kamp përqendrimi të atyre që nuk kanë mundur t’ia mbathin, por një mundësi e atyre që kanë zgjedhur të jetojnë këtu, me shpresën se dhe të tjerë do të kthehen.

Duke qenë se sipas Eduart Thorndike, njerëzimi duhet të jetë fatlum se ekziston një lidhje e vërtetë mes inteligjencës dhe moralitetit, duke përfshirë këtu edhe dashamirësinë kundrejt të tjerëve. Ndaj, ata që janë më të aftë se ne, zakonisht janë edhe bamirësit tanë dhe shpesh, është më e sigurt, që t’ua besojmë atyre se vetes interesat tanë.

Prandaj të jemi fatlumë shpresëplotë duke besuar te fuqia e të gjithë atyre që vokacion kanë lirinë, e duke kuptuar fuqinë që të gjithë bashkë kemi, mund të meritojmë një të ardhme.


Etiketa:

Pas