fbpx

Blog

Intelektualët që duam t’i bëjmë me zor





               Publikuar në : 18:45 - 17/07/19 |
Nga Klodian Tomorri

Nga Klodian Tomorri


Lexoja një intervistë të Orhan Pamuk pak kohë më parë në mediat perëndimore. “Më dhemb për vendin tim- thoshte. Demokracia po vdes, liria e fjalës po ashtu, ndërkohë që të rinjtë rrinë kafeneve”.



Orhan Pamuk është një nga shkrimtarët e gjallë më të mëdhenj sot në botë. Por nuk është vetëm shkrimtar i madh. Mbi të gjitha është humanist i jashtëzakonshem dhe intelektual “par excellence”.


Diku nga viti 2005, ishte turku i parë që guxoi të fliste për genocidin turk në Armeni. E patën kërcënuar me jetë, i hoqën tituj dhe ofiqe, por nuk u zmbraps. Nuk u zmbraps atëherë, dhe nuk zmbrapset as sot para autoritarizmit të Erdoganit. Sepse ky është intelektuali.

Gjithmonë në oponence me pushtetin, marrëzinë, të ligën, edhe konvencionalen kur ajo është e gabuar. Ndaj intelektualët janë autoriteti moral i shoqërive. Kur shoqëritë çmenden dhe marrin drejtim të gabuar, ata janë gjithmonë aty.

Duke lexuar intervistën e Pamuk mendoja sa komb me fat Turqia, që ka një figurë të tillë dhe sa pafat jemi ne, që intelektualet duam t’i bëjmë me zor.

Nëse ka një term sot në shqip, që është inflacionuar, masakruar, përçudnuar, e madje edhe përdhunuar, ai është termi intelektual.

Ne ia kemi veshur atë kujtdo. Madje edhe figurave qesharake, sahanlëpirësve, hipokritëve, të shiturve. Mjafton që të kesh një diplomë apo të dalësh një herë në televizor.

Por intelektual nuk bëhesh nga diploma. Nuk bëhesh as kur je profesor, piktor, artist, muzikant. Madje as kur je shkrimtar i madh me famë boterore.

Intelektual je kur mbron interesin publik. Kur sfidon të gabuarën, edhe atëherë kur ajo mbështetet nga shumica. Ky është intelektuali. Gjithmonë rebel kunder pushtetit dhe së keqes. Në të kundërt je thjesht njeri i vogël dhe rrogëtar në borderotë e pështira të pushtetit. Sado i zoti të jesh në profesionin tënd. Edhe atëherë kur ke famë botërore.


Etiketa: , , ,

Pas