Aktualitet

Intervista/ Berluskoni: Qeveria vetëm sa bën njoftime





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:18 - 10/04/20 |
mapo.al

Qeveria jonë “bën vetëm njoftime”. Për këtë arsye nuk do të jemi më një “opozitë në shërbim”. Pas disa javë bashkëpunimi dhe tonesh të ulëta, Silvio Berlusconi akuzon kryeministrin Konte dhe kërkon ndërhyrje më energjike dhe të qarta për ti dhënë zgjidhje situatës së rëndë që po kalon Italia.


Si e fajësoni qeverinë kur ajo ka premtuar të vërë në dispozicion të biznesit 400 miliardë euro?


Ne ishim të parët që kërkuam që shteti të veprojë si garant i kredive bankare për bizneset. Por qëndrimi i qeverisë ndaj bizneseve është më shumë ndëshkues sesa ndihmues.


Nëse teksti i dekretit qeveritar mbetet ai i shkruar në draft, shumë kompani në vështirësi nuk do të kenë qasje në kreditë e reja të cilat, megjithatë, me sa mbaj mend, nuk jepen pa ndonjë kosto. Për të mos përmendur kufizimet burokratike që mbeten të pakapërcyeshme.


Në SHBA kompanitë mund të marrin ndihmë me një praktikë që zgjatë shtatë minuta, tek në sipas vlerësimeve procedura zgjat njëqind ditë.

Dhe çfarë do të duhet të ndryshohet në “Cura Italia”, që do të votohet në Parlament?

Qeveria beson se një opozitë bashkëpunuese është një opozitë që shërben. Nuk është kështu. Ne kemi ofruar zgjidhje për të ndihmuar vendin për të dalë nga kjo krizë e rëndë, por shumica na ka dhënë rolin e spektatorëve.

Dekreti “Cura Italia” është dekreti “Të shërohet Italia dhe ju rrini e shikoni”. Në këtë fazë fitojmë nëse jemi bashkë, ose Italia humbet. Me keqardhje të thellë, kemi vërejtur se thirrjet e Presidentit Mattarella, që kërkojnë unitet, gjithashtu janë injoruar. Ata kanë kundërshtuar të gjithë ndryshimet tona më të rëndësishme. Ata na detyruan që të mos votojmë për dekretin.

Në opozitë është e thjeshtë të thuash “gjithçka është gabim”, po çfarë do të kishit bërë ju në vend të Kontes?

Motori i vendit ka ndalur, nevojitet likuiditet. Për këtë arsye, për kompanitë që janë të detyruara të ndalojnë, për të vetëpunësuarit, për paguesit e TVSH-së, për profesionistët, qeveria duhet të kishte dhënë të paktën 1.000 euro siç propozuam ne. Do të na pëlqente që afatet e taksave dhe tarifave administrative të pezulloheshin për një periudhë shumë më të gjatë, sepse italianët nuk mund të jetojnë me ankthin se duhet të paguajnë taksat për dy muaj. Ne kërkuam të thjeshtojmë procedurat për fondin e mbështetjes.

Ne duhet të ri-investojmë në turizëm, duhet të bëjmë shumë gjëra deri tek sporti amator. Ndërkohë dekreti, në vend të ndihmojë më shumë penalizon: bëhet shumë pak për një audiencë shumë të madhe. Nënvlerësim i padurueshëm. Por ne nuk heqim dorë. Shpresojmë që lëvizjet në Parlament do të na japë mundësi për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive për të përmirësuar dekretet.

Do ti mbështesni ende përpjekjen e Kontes apo do të kërkoni një qeveri të re?

Gjykimi ynë kritik për qeverinë e Kontes dhe papajtueshmëria me të majtën nuk ndalon kurrë. Ne kemi thënë gjithmonë se nuk është koha për të imagjinuar skenarë politikë, por për t’u mbledhur nëpër institucione për të kapërcyer këtë emergjencë. Sjellja absurde e qeverisë dhe e mazhorancës në diskutimet mbi dekretet na bën të dyshojmë. Por një gjë është e sigurt: Forza Italia do të jetë aty dhe do të bëjë pjesën e saj si gjithmonë, me vendosmëri dhe pozitivitet të madh.

Evropa vazhdon të jetë e përçarë keqas: a shihni ndonjë rrugëdalje?

Gjëja e parë që duhet të kërkojmë është të nxitohet. Shtyrjet e vazhdueshme – së fundmi vendimet e Eurogroupit – janë shumë të dëmshme. Një mundje krahu mbi formula nuk ka kuptim dhe ne nuk mund ta lejojmë atë. Në PPE, ne kemi përgatitur një “pakt evropian për solidaritet” me vlerë 1.000 miliardë euro. MES (Mekanizmi Europian i Stabilitetit) mund të jetë i mirë nëse u vihet në dispozicion shteteve pa kufizime buxhetore. Dhe BQE duhet të vazhdojë të sigurojë likuiditet. Fondi Sure, po ashtu, duhet të bëhet një mjet i rëndësishëm. BEI duhet të financojë investimet në infrastrukturë prej të paktën 200 miliardë euro.

Dhe si e mendoni Fazën 2? Çfarë kontributi jeni të gatshëm të jepni për qeverinë?

Nuk është çështje për t’i dhënë diçka qeverisë, por për të dhënë kontribut të domosdoshëm për vendin. Padyshim jo me taksa apo tarifa të reja, siç dëgjoj nga e majta.

Në vend të kësaj, pagesa e menjëhershme e borxheve nga Administratës Publike është e nevojshme, vendimtare për mbrojtjen e shumë ndërmarrjeve. Pastaj rindërtimi do të duhet të bazohet në një revolucion kopernikan të taksave, duke futur një taksë të sheshtë me një shkallë, aq të ulët sa të ndikojë dëshirën për të shmangur taksat.

Nevojiten gjithashtu shkurtime të shpejta dhe të thella të masave burokratike. Duhet të heqim dorë nga formalizmat e procedurave tradicionale dhe vendosim shtigje të reja, të lehta dhe të shpejta, të kuptueshme për të gjithë. Urgjenca mund të jetë rasti për ato thjeshtëzime që shumë herë janë kërkuar dhe që kurrë nuk u realizuan.

Si mendoni, kur dhe si mund të kthehemi në në situatë normale?

Unë vlerësoj shumë kontributin e komunitetit shkencor, kontributi i të cilit është thelbësor për të kalibruar masat që duhen marrë në këtë emergjencë. Sidoqoftë, vendimet i takojnë politikës dhe qeverive, dhe besoj se tashmë është koha që një plan rimëkëmbjeje të qartë.

Do të na duhet të kthehemi gradualisht në normalitet, pavarësisht se jo gjithçka do të jetë si më parë dhe maskat ose distanca sociale do të duhet të mbahen për kohë të gjatë. Unë sinqerisht shpresoj se qeveria do të na përfshijë të paktën në këto vendime. Italianët kanë të drejtë të dinë kur do të kthehen të jetojnë, të punojnë e të jenë bashkë. E ardhmja duhet thënë në sy, jo në ekran apo kompjuter.

Ka pasur probleme shumë serioze të koordinimit në fazën tragjike të fillimit të virusit, sidomos në Lombardi. A mendoni se duhen komisione hetimore për rastet e veçanta?

Nuk është koha për polemika dhe hetime. Jam i sigurt se rajoni i Lombardisë, dhe në veçanti drejtuesit lokalë kanë vepruar seriozisht dhe me përgjegjësi, duke drejtuar një emergjencë të paparë shëndetësore pa humbur kurrë kontrollin e situatës. Sigurisht, në situata individuale diçka mund të mos ketë funksionuar, por kjo është e pashmangshme në një tragjedi kaq të madhe: shkalla e tronditjes ishte një cunami.

Sidoqoftë, nëse qeveria qendrore do të kishte dëgjuar më lehtë indikacionet dhe kërkesat e Rajonit të Lombardisë, mbase sot situata do të ishte më pak serioze. /Corriere della Sera

/Përktheu: Mapo.al/


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas