Avni Delvina: Tirana është e varur, e kapur, e mbushur me servilë

Një intervistë e pazakontë me piktorin Avni Delvina, një mjeshtër i mesazhit të fortë dhe tronditës. Dhimbjet e tij për qytetin ku u lind dhe u rrit, dhe shqetësimi për kohët që po kalon vendi. Ekspozita “The Donald” midis të rreshtuarve dhe kryeqytetit të akullt

Nga Alessia Selimi



I rikthyer në një Tiranë “të rreshtuar” dhe “të akullt”, piktori Avni Delvina me një qetësi dhe sportivitet të pashoq u ka ofruar artdashësve të vendit për 6 ditë radhazi (17 shkurt-23 shkurt) 46 tablo ku në fokus qëndron figura e presidentit amerikan Donald Trump. Aspak i tunduar për t’ua kushtuar kornizat artistike politikanëve shqiptarë, por me një etje të ndjeshme për t’i përcjellë skenës politike një mesazh, ku theksi vendoset tek aroma e lirisë dhe e kurajës për të minimizuar shpirtrat mekanikë dhe robotikë. Ndonëse i larguar në mënyrë të vetëdijshme nga piktura, Delvina luan përmes grafikave digjitale me impaktin gazetaresk dhe atë të menjëhershëm.

Sapo hyn në ekspozitën e piktorit në Muzeun Historik, ndeshesh me shprehjen e George Orwell, që me sa duket është si udhëzues për të të dërguar drejt mesazhit të fortë të Avni Delvinës. “Në kohën e gënjeshtrave universale, të thuash të vërtetën është akt revolucionar”.

Artisti, i cili është ndjerë për një kohë tejet të gjatë i rropatur nga ekzagjerimi i shtypit amerikan ndaj figurës së Donald Trump, sfidon jo vetëm monopolin e të së vërtetës por edhe qëndrimet e bashkëkombësve të tij. “…Është e rreshtuar, nuk mendon, nuk ka liri. Kryeqyteti është i varur”, kështu shprehet Avni Delvina teksa gjendet me sy të fiksuar në tablonë “Ftohtë në Tiranë”.

Varësia për të gjendet e rrënjosur thellë edhe te kolegët e tij. Të pajetë në fizionomi, servilë të thekur dhe të telekomanduar….i komentoi ai artistët që mbështetën krijimin e Teatrit të Ri Kombëtar. E duke lundruar kështu nëpër ujërat e aktualitetit gati-gati në mënyrë moskokëçarëse, Delvina ndan me gazetën MAPO të kaluarën rebele, ku u largua nga Shqipëria për copëza të plota lirie, pikëpamjen ndaj “kostumit” që mban veshur sot Tirana, si dhe shijen e lënë të protestave të ndodhura së fundmi nga studentët dhe opozita.

-Zoti Delvina çfarë ju shtyu për të çelur ekspozitën “The Donald” në Muzeun Historik Kombëtar?

Nuk u nis me një program apo në një kohë të përcaktuar. Ideja për këtë ekspozitë lindi që në vitin 2016, kur nisi fushata për zgjedhjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pashë ekzagjerimin e shtypit dhe në veçanti atë të shtypit të majtë. Ishte shumë agresive ndaj kandidatit për president, e ekzagjeruar deri në shqetësim, deri në ankth, për të mos përdorur fjalën neveritje. Menjëherë skatoi brenda meje, lindi në formë kundërshtimi. Në një farë mënyre, edhe në origjinën e largët, ndieja ndjesi të Shqipërisë të dikurshme. Një lloj rreshtimi, dhe mua personalisht rreshtimet nuk më pëlqejnë.

-Një prej tablove e keni titulluar “Barka e Noes”. Donald Trump vjen për publikun si një Noe e kohëve moderne, mbi barkën që gjendet përballë disa dallgëve të egra që nga çasti në çast pritet ta përpijnë të tërën. Po t’i përmbahemi tregimit biblik, Donald Trump është i mbijetuari?

Nuk është keq ta cilësojmë edhe si të mbijetuar, por me tepër do thoja është personi që pruri një frymë të re kundër një konstruksioni të plotfuqishëm që po vendosej. Në ndjesitë e mia si artist kjo ishte, solli një frymë të re kundër një rendi të ri. Nuk e them vetëm unë, e thonë të gjitha gazetat. Ai ishte personi që solli një veprim kundërshtues të kësaj vendosjeje të shtrirë, të sigurt, megalomane, të plotë, një lloj monopoli të së vërtetës. Si person ai dha forcën e kundërshtimit, dha lirinë, këto janë elementet e entuziazmit për të cilat njeriu ka nevojë, se jetën tonë, qoftë në atë private dhe qoftë në rang nacional, ne do ta zgjidhim vetë. Të paktën ky njeri dha një frymë lirie.

-Zoti Delvina ju njiheni për trajtimin artistik që u bëni problemeve akute të vendit, e kryesisht me ironinë tuaj herë pas here keni vendosur në optikë edhe politikanët tanë. A keni menduar t’i kushtoni ndonjë politikani të caktuar shqiptar një ekspozitë me një sërë tablosh të këtij lloji, si një lloj mënyre për ta “zhveshur” atë përpara artdashësve?

Nuk mund t’i bazohesha, i rashë shkurt, për të dhënë një mesazh qoftë dhe në politikën shqiptare apo atë të huaj. Për mua në shqetësimin dhe dramën që ndodhet Shqipëria, mendova se mbase personazhi i Donald Trumpit do të ishte personi i duhur. Këtu nuk është vetëm një mesazh për Shqipërinë por unë e jap në rang më të gjerë, qoftë dhe për Italinë time ku unë banoj. Edhe në Itali ndieja të njëjtat ndjesi. Hapja shtypin dhe pavarësisht dëshirës për të lexuar një artikull apo një lajm tjetër, qoftë dhe një lajm sportiv, do të më dilte pa diskutim një kritikë, një foto, një artikull kundër Donald Trumpit.

-Pavarësisht se marrëdhëniet SHBA-Shqipëri janë të mira, sikurse kanë qenë ngaherë, nuk keni frikë nga ndonjë paragjykim i mundshëm me këtë ekspozitë? Le ta pranojmë, Donald Trump shihet me një lloj paragjykimi…

Me tablonë “Ftohtë në Tiranë” kam dashur pikërisht të demonstroj kryeqytetin e nënshtruar. Siç mund ta shikoni sheshi i saj është i ngrirë, i akullt, së bashku me Muzeun Historik Kombëtar, dhe në të gjendet i vetëm Donald Trump. Tirana nuk mendon, nuk ka liri. Tirana është e varur me atë që thonë ndërkombëtarët, kur në fakt rëndësi duhet të ketë se çfarë thotë uni, ndjesitë e tij. Ndërkombëtarët japin këshilla por s’kanë asnjë lloj përgjegjësie. Pagesën, haraçin, dëmet i paguajmë ne. Ata janë thjesht përfaqësues. Në qoftë se këtu ndodh diçka negative ata nuk paguajnë asgjë. Gjithçka, qoftë financiarisht, moralisht, psikologjikisht e paguajmë ne.

– Ju u pozicionuat në vitin që lamë pas përkrah atyre që kundërshtonin shembjen e Teatrit Kombëtar, mirëpo sot gjendemi në situatën që ndërtesa e re do të marrë jetë. Duke qenë se ekspozita ka protagonist kryesor presidentin amerikan, kujtojmë së bashku se pak përpara ikjes së ambasadorit Donald Lu nga posti i ambasadorit në Shqipëri, ky i fundit shprehu publikisht shqetësimin e tij në lidhje me ligjin e Teatrit dhe përpjekjet e qeverisë për t’ia dhënë këtë projekt vetëm një kompanie. A nuk mendoni nëse do kishte patur një reagim më të fortë nga ana e SHBA-së, ndoshta projekti do stopohej?

Unë shpresoj që Teatri të rezistojë. Për sa i përket Donald Lu-së, m’u duk “Më ka çu nana me la gojën”. M’u duk një gjë pa asnjë lloj peshe. Prezencializmi i madh mua më shqetëson gjithmonë, kështu që shpresoj që në të ardhmen edhe pozicioni i ndërkombëtarëve të jetë më i qetë sepse këtu janë pritur dhe shfrytëzuar për interesa politikë. Ndërkombëtarët mbajnë pozicionin e tyre. Ndërhyrje kaq të mëdha në Itali nuk imagjinohen dot që të ndodhin nga ndërkombëtarët. Shpresoj që edhe kjo të shërbejë si një eksperience për të ardhmen e politikës shqiptare.

-Teksa po më rrëfenit ndjesitë tuaja, u shprehët “Italia ime”…

Unë kam një lidhje shumë të fortë shpirtërore me Italinë, mbasi ne, duke nisur që nga gjyshi, babai e njerëz të tjerë të farefisit, halla, tezja, të gjithë kanë studiuar në Itali, flas në kohën e  mbretërisë, kështu që ndjesia ndaj Italisë ka qenë gjithnjë maksimale. Unë jam rritur në një ambient ku kultura italiane ka qenë e lëvruar, si rrallë familje në Shqipëri.

-Zoti Delvina, përse keni vendosur që t’i transmetoni impulset tuaja pozitive karshi figurës Donald Trump me grafika digjitale dhe jo me piktura?

Problemi është që kam përdorur edhe mjete të tjera në rrjete sociale, por ishin shumë të lodhshme dhe nuk kishin impaktin e duhur te publiku. Kështu që, vetvetiu, ngadalë-ngadalë, u largova nga vizatimi, i cili kërkonte një impenjim shumë të madh për tablotë. Unë doja një impakt gazetaresk, doja një impakt të menjëhershëm. Nuk më ka shkëputur nga piktura sepse e vazhdoj ta praktikoj. Gjithçka është me të ulur. Ulja ime për punë përfshin një ditë të plotë, ku i alternoj së bashku edhe pikturën e grafikën.

-Pak kohë më parë ju keni  trajtuar problemin e ndërtimeve  pakufi dhe e keni përcjellë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, si “rufaiun” e Tiranës. Ky poster qarkulloi në  botën e rrjeteve sociale në gusht të 2018-ës. Kanë kaluar pothuajse 7 muaj, ju ndodheni momentalisht në Tiranë. Vijoni t’i qëndroni besnik këtij mendimi?

Koha është shumë e shkurtër për të ndërruar mendim për Erion Veliajn. Plus që për ato  ekzagjerime dhe ajo dhunë, duke zhdukur gati  çdo shenjë të Tiranës, sigurisht kam dhimbje.  Dhe them se mund të kem më shumë dhimbje se të tjerët sepse unë kam lindur dhe jam rritur në këtë qytet. Ndërtimi i ekzagjeruar është i dukshëm, duke e bërë Tiranën gati të pajetueshme. Do një farë përgjegjësie kjo punë, do dhe dashuri. Nuk bëhet vetëm se ti di. Mund të jesh arkitekti i mirë dhe të shpartallosh gjithçka. Pa shpirt nuk bëhet asgjë.

-Besoj se jeni në dijeni të protestave të realizuara së fundmi dhe situatës aktuale në vend. Çfarë mendoni ju, si një artist që jeton dhe punon në Itali prej vitesh, në lidhje me to?

Protestat vetëm mirë i bëjnë demokracisë, madje duhet të ishin shumë më tepër intensive. Ju e shikoni nëpër botë sesi reagohet, nuk të fal tjetri për 10 cent. Kurse këtu, shqiptarët nuk e di, janë të bombarduar nga një shtyp i qëllimshëm që i bën të humbasin edhe antenat, ndjeshmërinë dhe sensibilitetin ndaj realitetit. Ndrydhet, mpihet dhe nuk është në gjendje të reagojë. Le të lindë ajo egoja e shqiptarit pasi ishte shuar fare, kërkonin vetëm të boshatisnin Shqipërinë. Të gjithë ata që takoj kanë ndërmend të ikin dhe më duket një braktisje e nxitur. Unë jam larguar në tjetër atmosferë  dhe në tjetër situatë politike. Jam larguar në vitet ’90 me ambasadat. U largova në formë proteste, nuk është problemi se u largova për të gjetur një jetë më të mirë. Jetën e mirë unë e krijoj kudo, me familjen time, prindërit e mi dhe në ato kohëra ishim në gjendje të luftonim, të fitonim, sigurisht ishim mirë financiarisht se ishim të zotët por politikisht nuk ishim mirë dhe unë nuk ndieja masën e lirisë që kërkoja. Çdo njeri ka dimensionin e vet të lirisë, aq më tepër unë si artist, por s’ka të bëjë edhe fjala artist se këtu artistët i gjen në radhë. Në rastin e Teatrit i gjeta të gjithë të nënshtruar, servilë, po t’i shikosh edhe në fizionomi, i ndieja si të pajetë, si të telekomanduar, të robotizuar shpirtërisht.

-Ju jeni shprehur se pasi të përmbyllet kjo ekspozitë, 46 tablotë e krijuara do t’i dërgohen presidentit amerikan në shenjë mirënjohjeje. Mirënjohje konkretisht për çfarë?

Mirënjohje për kurajën që na dha. Në Shqipëri ne nuk e kishim këtë kurajë përpara dy vjetësh, këtë iniciativë, këtë forcë. Shqiptarët ndiheshin të pushtuar shpirtërisht, kurse sot kanë kurajë, kanë iniciativë, impulse pozitive.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252