Si ka ndryshuar jeta e Elia Zaharisë në dy vite në krah të Princit Leka. Rrëfimi për realitetin shqiptar dhe pesha e madhe nga tradita e grave të familjes Mbretërore. Roli i Fondacionit Mbretëresha Geraldinë dhe një përgjigje për trashëgimtarin e ardhshëm…
Koncepti “Princ i Kaltër” për të nuk është ëndërr, por realitet, përditshmëri, sfidë dhe peshë e madhe për të përfaqësuar një të shkuar. Modestia e Elia Zaharisë në krah të Princ Leka II tregohet çdo ditë në daljet publike pa “Taborr” që ruan, larg luksit që të josh jetesa e familjes mbretërore dhe më shumë pranë qytetarëve dhe mbi të gjithë njerëzve në nevojë. Koha më e madhe kalon me punën e përditshme të Fondacionit “Mbretëresha Geraldinë”, takimet në evenimente të ndryshme dhe bamirësia larg kamerave e propagandës, por afër njerëzve në nevojë. Nën petkun e Princeshës Elia Zaharia tregon peshën e madhe për të vijuar traditën e grave të njohura të Familjes Mbretërore Shqiptare dhe mbi të gjitha tregimin në sytë e botës të një Shqipërie ndryshe për të promovuar vlerat.
INTERVISTA E VITIT/ Leka II, pesha mbretërore e 11 viteve në fron
Prej dy vitesh keni lidhur kurorën me “Princin e Kurorës” Leka II, si ka ndryshuar jeta e Elia Zaharisë?
Këto dy vite kanë qenë mjaft aktive për ne si çift, por edhe në fushën profesionale. Sidoqoftë, nuk mund të thuhet se martesa ka ndryshuar dinamikën e jetës sonë, pasi prej vitit 2010 kur shpallëm zyrtarisht fejesën, kemi jetuar bashkë ndaj edhe angazhimet kanë ardhur gradualisht. Përgjegjësia është padyshim e madhe kur hyn në një familje me histori, kontribute dhe tradita. Sot kuptohet konteksti është i ndryshëm. Fatmirësisht prej vitesh Princ Leka jeton në vendin e tij. Kjo na vendos shpeshherë në rol përfaqësimi, sidomos në udhëtime jashtë vendit si edhe mbajtjen dhe përforcimin e lidhjeve me Familjet e tjera Mbretërore. Kjo kërkon përkushtim dhe investim të vazhdueshëm.
Në daljet publike, anoni nga thjeshtësia, komunikimi i lirshëm dhe shumë pranë qytetarëve, larg staturës së një “Familjeje Mbretërore”, përse kjo zgjedhje? Ishte një vendimmarrje bashkë me Princin apo erdhi natyrshëm?
Unë jam e mendimit se qasja publike është shumë personale dhe në rastin tonë nuk ka një rregullator të jashtëm. Sigurisht në momente të ndryshme respektohet një protokoll i veçantë, por mendoj se është shumë e rëndësishme që në çdo rrethanë të jem vetvetja dhe të mos dal kurrsesi nga natyra ime! Unë jam natyrë e hapur dhe popullore se me këtë frymë më kanë rritur prindërit e mi, dhe nuk shoh arsye përse të impostohem ndryshe. Më pëlqen të flas me njerëzit, jam kurioze dhe hyj menjëherë në bisedë. Ky raport mendoj se duhet të jetë i sinqertë. Njerëzit i vlerësoj kur janë të thjeshtë dhe të vërtetë, ndaj nuk hyj në asnjë rol kur vjen fjala tek raportet njerëzore. Thjeshtësia është çështje filozofie mbi perceptimin ndaj vetes. Mendoj se njerëzit e thjeshtë kanë besim në vetvete, në personalitetin e tyre, në atë çka janë dhe japin, dhe nuk i gjykojnë të nevojshme mburojat me artifice. Sigurisht perceptimi i të bukurës si estetikë është gjithashtu shumë personal. Për mua përsëri thjeshtësia, eleganca dhe estetika ecin paralel.
Shumë vajza ëndërrojnë “Princin e Kaltër”, ndërsa ju jetoni realitetin, si është jeta me bashkëshort Princ Leka II? Cila është dita e zakonshme e Elia Zaharisë?
Jeta me Princ Lekën është e larmishme dhe nuk bëhet kurrë monotone. Kjo falë natyrës së tij krijuese. Në të përditshmen tonë, secili është i angazhuar me punët dhe detyrimet e tij. Një ditë e imja e zakonshme fillon bashkë me Lekën duke përgatitur mëngjesin. Më pas, kur kam projekte artistike i kushtoj kohë provave. Në raste që nuk kam obligime me teatrin, i kushtoj rëndësi takimeve të ndryshme që organizon Oborri. Pasditet i kaloj përgjithësisht me mamin, ndërsa darkat që kemi të lira dhe pa angazhime i kaloj bashkë me Lekën në shtëpi. Më pëlqen shumë të lexoj, ndaj librin nuk e ndaj kurrë nga përditshmëria. Gjithashtu shpesh kam frymëzim për të pikturuar. Kur përfshihem në një pikturë të re, mund të kaloj orë të tëra pa e kuptuar në studio.
Në traditën e Mbretërisë Shqiptare një vend të rëndësishëm në jetën publike kanë luajtur edhe Nëna Mbretëreshë dhe motrat e Mbretit Ahmet Zogu, nga njohja e historisë së mbretërisë cili mendoni se ka qenë roli i tyre në emancipimin e gruas?
Kur hyra në Familjen Mbretërore nuk kisha njohuri të thella mbi rolin e Princeshave në zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Arkivat e familjes ishin një pasuri e jashtëzakonshme për t’u njohur me atë periudhë të historisë. Nëna e Mbretit Zog, Sadije Toptani ishte një zonjë e hekurt në plot kuptimin e fjalës. Në të gjitha shkrimet e kohës, ajo përshkruhet si një nënë e përkushtuar, kurajoze dhe me një intuitë të jashtëzakonshme. Ajo ka qenë për Mbretin mbështetje dhe pikë referimi, këshilltarja e tij më e besuar. Ndërsa motrat e Zogut ishin promotore të modernizimit të gruas shqiptare. Ato ishin të parat që veshën uniformë ushtarake, të parat që kalëruan si kalorëse, të parat që sollën modën europiane duke promovuar stil dhe elegancë. Mbreti, përpara se të kërkonte emancipimin e gruas në familjet konservatore dhe patriarkale shqiptare, duhet dhe ishte logjike të niste nga familja e tij. Motrat u bënë shembulli i parë i këtyre ndryshimeve të mëdha në rolin e gruas. Mos harrojmë që gruaja shqiptare ka votuar përpara se kjo e drejtë të merrej në shumë vende të tjera europiane. Roli i Princeshave në shoqërinë tonë ishte me shumë peshë. Ato kishin detyra në promovimin e turizmit, artit, sportit, ishin në krye të Kryqit të Kuq etj. Madje vizita e tyre në SHBA u pasqyrua në të gjithë shtypin ndërkombëtar. Ato u komplimentuan për stilin, elegancën dhe notën glamur që i shtuan imazhit të Shqipërisë. Më pas në jetën e Mbretit Zog dhe të gjithë vendit, erdhi ajo që ende sot mbetet ikona e emancipimit dhe dashurisë, Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve. Unë nuk gjej fjalë ta përshkruaj atë energji pozitive që e karakterizonte. Mjafton të them që as kundërshtarët më agresivë të Zogut, as vetë diktatori, nuk tha dot kurrë një fjalë të keqe për Mbretëreshën! Ajo kishte një dashuri të pakufishme për bashkëshortin e saj, Mbretin Zog. Nga kjo dashuri rridhte edhe dashuria e madhe e saj për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ajo në pak kohë mësoi gjuhën në mënyrë perfekte, mësoi zakonet dhe traditat tona. Jo vetëm i mësoi, por e deshi me shpirt vendin tonë dhe popullin që nuk e harroi kurrë. Imagjinoni, aq shumë e deshi ajo kombin shqiptar, sa Zoti ku ajo besonte me gjithë qenien e saj, ia plotësoi dëshirën e një jete: Të mbyllte sytë në vendin që i vuri kurorën e Mbretëreshës!
E parë në sytë jo vetëm të një Princeshe, a mendoni se gruaja shqiptare ka arritur një stad emancipimi?
Falë angazhimit tim në Fondacion, kam patur rast të udhëtoj shumë në Shqipëri, në zona të thella dhe të harruara. Realiteti shqiptar është shpesh herë therës. Fatkeqësisht, në këto zona të vendit tonë, gruaja mbetet e izoluar. Shpesh mentalitetet ndikojnë dhe e stimulojnë këtë izolim, këtë varësi psikologjike dhe ekonomike të saj. Fenomeni i dhunës ndaj gruas është gjithashtu një realitet që dëshmon dobësinë e hallkave të familjes dhe shoqërisë. Mendoj sinqerisht se në shoqërinë e sotme, gruaja shqiptare ka akoma shumë për të thënë. Roli i saj nuk mund të jetë më vetëm në prapavijë. Shembujt e panumërt të sukseseve të tyre, tregojnë një potencial të pakufizuar dhe është e domosdoshme që zëri i tyre të dëgjohet. Modeli i parë i një vajze është nëna. Kudo që kjo nënë të jetë, në çfarëdo lloj rrethanash dhe kushtesh, është misioni i saj të jetë frymëzim lirie dhe nxitëse e ëndrrave për fëmijët e saj.
Merrni pjesë në shumë aktivitete, disa prej tyre janë edhe për bamirësi dhe ju duhet të udhëtoni në shumë vende të Shqipërisë, si e shihni jetën reale larg kryeqendrës?
Fondacioni Mbretëresha Geraldine erdhi si rezultat i një reflektimi të gjatë. Mendoj se një status i veçantë mbart në vetvete një tjetër dimension i cili për mua është më kuptimploti. Puna me Fondacionin më lejon të jem pranë shtresave në nevojë, të udhëtoj dhe të njoh më mirë realitetet e ndryshme të vendit tim. Sigurisht Tirana apo qytetet e mëdha, nuk përfaqësojnë aspak Shqipërinë tjetër, atë të skamjes, varfërisë dhe pamundësisë ekstreme! Falë Zotit sot ka fondacione dhe nisma mjaft aktive të cilat i kthejnë buzëqeshjen shumë familjeve. Jam shumë e lumtur dhe optimiste për këtë, pasi përgjegjësia ndaj të pamundurit është një kambanë në ndërgjegjen e gjithsecilit! Për sa i përket punës sonë, unë jam marrë personalisht me çdo projekt, e kam parë në çdo detaj dhe nuk e jetoj aspak në mënyrë pasive mundësinë që më është dhënë. Sakrificat dhe kushtet me të cilat përballen shtresat në nevojë, bëjnë të relativizosh për jetën tënde, t’i shohësh problemet e përditshme me sy krejt tjetër. Këto realitete kthehen në motiv për të luftuar, për të qenë sa më në dëgjim të të tjerëve!
Gjithashtu nuk mungojnë udhëtimet jashtë vendit, çfarë Shqipërie prezantoni në sytë e të huajve?
Është e vërtetë që kemi patur udhëtime shumë interesante dhe parashikojmë të kemi edhe në të ardhmen e afërt. Gjatë këtyre takimeve kemi rast të lobojmë për kombin shqiptar, të zgjerojmë kontaktet duke krijuar miqësi të reja dhe të rëndësishme për shqiptarët, dhe në të njëjtën kohë të promovojmë kulturën tonë të pasur. Rreth Shqipërisë ka shumë kuriozitet. Kjo edhe për shkak të izolimit gjysmë shekullor, pozitës gjeografike, misterit rreth vendit të shqiponjave. Këto biseda janë të mbushura me pasion, pasi vetëm të përshkruash bukuritë natyrore nga malet e veriut te riviera e mrekullueshme, larminë e kostumeve tradicionale nga njëra zonë në tjetrën, bashkimin e kuzhinës mesdhetare me atë otomane, mikpritjen tradicionale që na karakterizon, por edhe vuajtjet e popullit shqiptar ndër shekuj, luftërat për liri dhe pavarësi, janë aq interesante sa çdokush bëhet kurioz të vijë dhe ta vizitojë. Një rezultat i kësaj magjepsjeje për vendin tonë u dëshmua edhe nga prezenca e mbi 20 Familjeve Mbretërore në dasmën tonë! Ky është një shans që Familja Mbretërore gëzon, duke patur kontakte të trashëguara në breza dhe të krijuara rishtazi, me ajkën e aristokracisë europiane dhe më gjerë. Të gjitha këto janë një potencial real në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të vendit tonë.
Mbetet në traditën e familjeve mbretërore vijimësia e trashëgimtarëve dhe lexuesit janë të interesuar të dinë mbi planet e çiftit princëror, a keni menduar për të sjellë në jetë një trashëgimtar?
Sigurisht kemi menduar dhe dëshirojmë të krijojmë një familje. Shpresoj në të ardhmen Zoti të na bekojë! Por mendoj se çdo gjë ka kohën e vet dhe gjërat ndodhin atëherë kur janë shkruar të ndodhin.