Mapo Letrare

Intervista/ Libri, autoriteti dhe mediumi më i rendësishëm i dijeve








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:42 - 14/11/20 |
mapo.al

Irena Toçi, Botuese – Toena


Bashkëbisedoi Mark Simoni


 A mendoni se libri është akoma autoriteti dhe mediumi më i rëndësishëm i dijeve?



Libri i mirë, po. Nuk ka dyshim që është e do të vazhdojë të jetë forma më e mirë e mundshme e organizimit, e përmbledhjes, e shprehjes, e dokumentimit dhe qëndrueshmërisë në kohë të mendimit të elaburuar. Libri shërben si hambari më i begatë nga ku do mund të marrësh informacion të besueshëm.


Dhe nuk e kam fjalën vetëm për librin artistik, por edhe për libra të fushave të tjera të llojeve të ndryshme. Vetëforcimi i institucioneve që botojnë, rritja e cilësisë së punës së tyre, rritja e besueshmërisë së secilit prej tyre, bëjnë që edhe produkti libër që ata botojnë të jetë i parapëlqyer, pra, i referuar me besueshmëri. Nëse me pyetjen që më drejtuat, keni dyshimin se burimi i informacionit mund të jetë edhe interneti për lehtësinë dhe shpejtësinë me të cilën ta ofron, pa ngurrim do të thosha që thuajse çdo gjë që gjendet aty, në botën virtuale, është marrë nga një libër që ka ekzistuar më parë.


Besueshmëria e informacionit të gjetur në internet, lidhet përsëri me besueshmërinë e mediumit që e ka përgatitur dhe shpërndarë si dhe të burimit që i referohet (që në shumicën e rasteve është një libër).

Cfarë e ka tronditur katedrën autoritare të librit?

Mendoj që arsyet janë të ndryshme për vende të ndryshme. Statistikat që bëhen në vende të tjera perëndimore, ku rritmi i prodhimit të lib­­­rave të rinj, larmishmëria e botimeve, intensiteti i lëvizjes dhe mënyra si shpenzohet koha e gjithësecilit është krejt e ndryshme nga e jona, lidhin tendencën e rënies së leximit me kushtet specifike të jetesës së tyre. Zhvillimi galopant i teknologjisë informatike ka luajtur një rol në këtë drejtim.

Në fund të fundit koha që kemi në dispozicion është po ajo që ka patur njerëzimi në çdo periudhë të zhvillimit të tij shoqëror, ndërsa interesat e gjitësecilit nga ne sot janë shumë më të mëdha, intensiteti me të cilin jetojmë ditën tonë krejt i ndryshëm. Kjo zvogëlon dhe mundësitë që kemi për të lexuar më shumë. Por, sidoqoftë, ajo që pranohet si postulat e që vështirë të zëvendësohet me një tjetër është se pa leximin si bashkëshoqërues të ditëve tona, ne jemi më pak të informuar, më pak të qytetëruar, më pak të kulturuar, më pak të orientuar, më pak të kuptuar, më të varfër në ide e në shprehje e kështu me radhë. Pa leximin, ne jetojmë vetëm jetën tonë, dhe humbasim minimalisht kënaqësinë për të jetuar shumë jetë, ato që rrëfehen në librat “e magjishëm”, maksimalisht mundësinë për të nxënë më shumë.

Nëse te ne interesimi për librin e leximin ka rënë, arsyet janë të tjera nga ato të vendeve me zhvillim normal. Së pari e para së gjithash, një mëkat të madh në këtë drejtim e ka shkolla, mënyra e edukimit në struktuarat e saj, kryesisht. Nxitja e dëshirës për të lexuar edukohet, me plot mënyra të drejtpërdrejtja e të tërthorta që vetëm shkolla mund t’i mundësojë. Prej vitesh në auditoret tona të arsimit universitar studentët e pranuar ishin nxënës me rezultate nën mesataren, sidomos kontigjenti i studentëve që studiuan për t’u bërë mësuesit e ditëve tona.

Niveli i dobët i formimit të tyre në sistemin parauniversitar, nuk krijoi kurrë mundësinë për formimin e tyre të duhur universitar. Ata sot kanë në dorë edukimin e fëmijëve të të gjitha brezave. Dhe kjo është drama më e madhe që ky vend po përjeton. E si mund të presim që ata të edukojnë e nxisin fëmijët drejt leximit të veprave që vetë nuk lexuan kurrë?! Kriteret e pranimit në universitetet tona, publike apo private duhet të jenë të përpikta, pretenduese dhe aspak tolerante. Fushatat e nxitjes drejt leximit të përhershme e konstante.

Sepse të gjithë e dimë që boshllëqet që le në ditën e një të riu, mungesa e leximit, do mbushet me kotësi të tjera, që variojnë mes limontisë të të koturit nga kafja në bar e anasjelltas, e deri në vese të tjera që përftohen lehtësisht nga dembelët.

Një shoqëri e tillë do nxjerrë gjithmonë e më pak shkrimtarë.

Por libri në vetvete nuk ka për të pësuar ndonjë tronditje si institucion. Nëse shoqëria jonë do pushojë së nxjerri shkrimtarë të kalibrit të krahasueshëm me nivelin botëror, do të vazhdojmë të kemi prurje në letërsi nga përkthimet e librave të kuturave të tjera të importuara. Por, mjerë kultura jonë!

Ndaj e kemi për detyrë të nxisim me forma e mjete bashkëkohore fëmijët e të rinjtë drejt leximit e shkrimit.

Në botimet shqiptare, cili është raporti i librave te dijeve te fushave me librin e letersise artistike? Nga shkojne tendencat?

Tendenca është drejt botimit të librit artistik. Librat studimorë me karakter devulgativ duan ekipe të specializuara dhe puna në ekip është e kushtueshme. Në kushtet e një tregu të vogël si i yni, këto lloj librash prodhohen pak ose aspak, sepse edhe ekipet ndërtohen me vështirësi.

Sa i përket përkthimeve, edhe këtu dominon libri artistik.

Popullimi i vazhdueshem i te shkruarit letersi, nga emra te rastesishem dhe krijime te dobta, cfare shenjash dhe sinjalesh i jep librit dhe letersise?

Për mendimin tim nuk përbëjnë kurrfarë problemi as emrat e rastësishëm dhe as krijimet e dobëta. Vetë koha dhe për më shumë mungesa e lexuesve për veprat e tyre, i nxjerr shpejt nga tregu i librit. Ata janë pa ndikim në krijimin e shijeve të lexuesit dhe e kanë jetën e shkurtër si të fluturës. Megjithatë përpjekja e tyre për t’u shprehur nëpërmjet të shkruarit më duket e natyrshme dhe joedënueshme. Shtëpitë Botuese serioze nuk bien në grackën për të botuar tekste të dobëta, e as të fabrikojnë pseudo shkrimtarë. Interesi ua do që të jenë seriozë në zgjedhjet e tyre, për të qenë të besueshëm në tregun e librit. Gabimi te ne bëhet, kur autorët nga padurimi për të parë të finalizuar veprën e tyre të shkruar, i drejtohen shtypshkronjave dhe jo shtëpive botuese. Megjithatë është ndërtuar në atë mënyrë sistemi i shitjes nga libraritë, që këta të fundit nuk e kanë aspak të lehtë të gjejnë vend në raftet e tyre. Të ndërtosh karrierën e një shkrimtari të vërtetë për mendimin tim, duhet shumë punë e mirëstruktuar nga ty dyja palët, si nga autori ashtu edhe nga botuesi.

Lexo edhe :  Intervista para 25 vitesh ku Lady Diana tha se Princi e tradhton, BBC do të hetohet

Çfarë emrash dhe titujsh po përgatiteni ti jepni lexuesit?

Fokusi ynë si botues, si në çdo kohë është letërsia shqipe dhe autorët shqiptarë.

E kemi konsideruar këtë si misionin tonë primar që në fillimet tona dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë idesë se kjo ndihmon në krijimin dhe mirëkurimin e një portreti përfaqësues të letërsisë shqipe autentike.

Prurjet e autorëve shqiptarë janë të zhanreve të ndryshme. Mbështesim mjaft autorët e rinj. Dhe ka nga ata debutues që këtë vit kanë ardhur me libra në prozë si Xhulian Musaka me “Peshë”; Diana Seitaj me romanin “Krenaria e një gruaje”; Robert Shkurti me vëllimin me tregime e novela “Udha e shpresës”; Erlinda Pysqyli me “E strukur në përqafimin tënd”; të tjerë që kanë ardhur me vëllime poetike si Edison Xhakoni me “Portret i turbullt”, Aishe Aliçkaj me “Dhimbje dhe mall”, Llesh Murrani me “Era e brishtë e jugut”.

Vlen të përmend tre botime ardhur në dritë nga emra të njohur të fushave të tjera që botojnë për herë të parë me siglën tonë librat e tyre: Ahmet Prençi, që ka një karrierë të spikatur në rradhët e policisë, ka botuar me ne romanin e tij të parë të titulluar “Anja”; Maklena Nika, që njihet si përkthyese e talentuar, ka sjellë vëllimin e saj poetik të titulluar “Oksimoron”; Tenori ynë i mirënjohur Agim Hushi, ka eksperimentuar me sukses duke sjellë në dritë vëllimin me tregime “Udha e qumështit”.

Sapo kemi qarkulluar romanin e ri të shkrimtarit të mirënjohur Fatos Kongoli “Stinë pandemie”. Më parë gjatë këtij viti botuam kujtimet e tij me titull “Kapitulli i Amerikës”.

Shkrimtari Besnik Mustafaj vjen këtë vjeshtë me një vëllim me novela titulluar “Historia si një mushkë”.

Shkrimtari Rexhep Qosja erdhi këtë vit me një roman titulluar “Të fshehtat e treguara”.

Vjen këtë vjeshtë romani i dytë i autorit Toni Agolli “Margaritari i një vrasësi”.

Nga fusha e historisë, nisim këtë vit botimin e kolanës: Figura të shquara shqiptare në shtypin francez.

Tre vëllimet e para të kësaj kolane të përgatitura nga Aurenc Bebja i kushtohen: Mbretit Zog dhe familjes mbretërore; Ismail Qemalit; Aleksandër Moisiut.

Autorja Zoje Jakaj (Xhoi) ka ardhur me një libër të titulluar “Grua” – histori dhe rrëfenja.

Sigurisht që për ne janë shumë të rëndësishme përkthimet nga gjuhë e huaj e klasikëve të letërsisë dhe autorëve bashkëkohorë.

Përmend me kënaqësi një nga botimet tona më të veçanta të këtij viti:

“Dekameroni” i Giovanni Boccaccio përkthyer nga Ali Hashorva.

Për të vazhduar me nobelistin Knut Hamsun dhe romanin e tij “Zgjimi i tokës” përkthyer nga Amantia Kapo.

Shkrimtari i madh e mirënjohur marokeno-francez Tahar Ben Jelloun, anëtar i Akademisë Franceze dhe drejtues i jurisë së Goncourt, vjen me romanin “Pagjumësia” të përkthyer nga Nonda Varfi.

Nga autori bestseller francez Mark Levy kemi sjellë “Ajo dhe ai” përkthyer nga Adriana Gjika.

Nga autorja franceze Laettitia Colombani, fituese e çmimit europian në letërsi, kemi sjellë romanin “Gërsheti” përkthyer nga Blerta Hysa.

Nga autorja greke Lena Manda, që e botojmë në vazhdimësi, kemi sjellë “Emri im është Dada” përkthyer nga Albina Pulla.

Nga autori japonez Keigo Higashino, që vjen për herë të parë në shqip, kemi sjellë “Krimi i përkryer” përkthyer nga Bisej Kapo.

Nga autorja amerikane Jill Santopolo kemi sjellë “Më shumë se fjalët” përkthyer nga Enkeleida Haxhinasto.

Nga autori bestseller amerikan Harlan Coben kemi sjellë “Mos u dorëzo” përkthyer nga Gjergj Kaftani.

Nga autori amerikano-shqiptar Dorian Keys “Transplanti i jetës”.

Nga autori gjerman Daniel Kehlmann kemi sjellë romanin “Tili” përkthyer në shqip nga Anna Kove.

Nga autori grek Andreas Embirikos kemi sjellë “Zogjtë e Amazonës”.

Nga autorja greke Margarita Liberaki romanin “Kapelat prej kashte” përkthyer nga Mirela Xhaferraj.

Nga autori serb Vladisllav Bajac romanin “Hamam Balkania” (fitues i çmimit letrar Balkanika) përkthyer nga Ben Andoni.

Nga letërsia për fëmijë kemi sjellë një autore të re Valbona Dodi Sulaj “Tre fëmijët” ilustruar nga Mirjana Madhi.

Mendoj që për një vit të vështirë si ky i sivjetmi, kemi botuar mjaftueshëm për lexuesit e shumtë që na ndjekin brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.


Etiketa: , ,

Pas