Aktualitet

INTERVISTA – Malaj: Tenderi 28 mln euro është kapje e shtetit e jo korrupsion














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:00 - 12/07/21 |
mapo.al

Ish-ministri i Financave Arben Malaj, në një intervistë për News24 shprehet se arrestimet e fundit për korrupsion me tenderët janë shfaqje e kapjes së shtetit.






Malaj tha se pavarësisht se duhet përshëndetur puna e SPAK, është e pamundur që një punonjës i administratës të marrë përsipër të luajë gurët e rëndë të një tenderi 28 mln euro, duke iu referuar tenderit të uniformave në Ministrinë e Brendshme.


“Dua të bëj dallimin a është korrupsion, a është kapje shteti. Instituti për mirëqeverisje është ngritur që më 2013, kur unë u ndava me politikën dhe ka studiues shumë të mirë shqiptarë dhe studentë të talentuar dhe ne jemi fokusuar ku mund të përmirësohet qeverisja. Një nga këto janë menaxhimi i financave publike sepse ajo është fusha kryesore.







Shkrimi për gropat e zeza, ekonomiksi i SPAK-ut është një vit përpara, nuk flasim kur ndodh një ngjarje, ne mundohemi të kontribuojmë çfarë duhet përmirësuar, por kur ngjarja ndodh ne shikojmë që ajo përpjekje që kemi bërë ne, dhe këtu nxis dhe kolegët e tjerë akademikë dhe të OJQ-ve, të jenë më aktivë për atë që duhet bërë më mirë. Në rastin konkret duhet përshëndetur ajo që bën SPAK, por duhet të dallojmë diçka shumë thelbësore.



Gjithë ideja nga arrestimet duket sikur në majën e këtij korrupsioni kaq të madh janë thjesht punonjësit e administratës. Nga përvoja e gjatë, edhe para viteve ’90 dhe pas viteve ’90 është e pamundur që një punonjës i administratës të marrë përsipër të luajë gurët e rëndë të një tenderi 28 mln euro.



Por këta punonjës që me vetëdije kanë shkelur procedurat, e kanë bërë dëmin e tyre dhe do të shkojnë në një proces dënimi penal. Sa, unë nuk jam dakord me atë që thuhet pse merreni me peshqit e vegjël dhe nuk merreni me peshkaqenët”, deklaroi Malaj.

Ai theksoi se ligji për menaxhimin e buxhetit, që është bërë me asistencën e BE, që është modern ka përcaktuar qartë mbrojtjen e punonjësit i cili nuk duhet të lejojë që të keqpërdoren taksat.

“Dhe ai thotë, punonjësi zbatues, pra ai që do firmosë, në qoftë se një urdhër nga eprori më sipër është në kundërshtim me ligjin, sipas vlerësimit të punonjësit, ky nuk e zbaton herën e parë dhe lajmëron sekretarin e përgjithshëm të institucionit.

Në qoftë se i bien një urdhër tjetër me shkrim dhe i thonë që i thonë ju duhet ta zbatoni këtë urdhër, pavarësisht se ju duket i kundërligjshëm, ky është i detyruar ta zbatojë, por lajmëron ministrin e Financës që duhet të ketë një regjistër për rastet kur punonjësit e çdo institucioni ankohen se eprori ka dhënë një urdhër të gabuar dhe KLSH, pra lë gjurmë. Pyetja ime është, kaq vite pasi është bërë ky ligj modern europian, a kemi ndonjë të dhënë?

Ligji parashikon që sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, që është personi i nivelit më të lartë në menaxhimin buxhetor, ku janë dhe tenderët, ku janë dhe PPP-të që lindin detyrimet, duhet të raportojë një herë në vit në parlament. Kjo nuk ndodh. Edhe pse thelbi i një qeverisje efektive është ndarja e nivelit administrativ me atë politik, ne kemi mbetur gjithmonë vetëm tek debati politik në parlament”, u shpreh ai.

Malaj tha më tej se nuk paragjykon asnjë koleg, dhe parimisht çdo ministër ka të drejtë të thotë që unë nuk jam pjesë e procesit të tenderimit, ligjërisht, por në qoftë se i kapur nga interesat e oligarkëve, nga etja për fitime të mëdha, ai indirekt ose direkt ndërhyn është bërë vetë pjesë e ligjit. Ai theksoi se goditja për ekonominë është e madhe.

“Pasojat më të mëdha, po ta shikoni dhe tani, dhe me iniciativën e SHBA-ve, por edhe me iniciativën e BE, korrupsioni dhe kapja e shtetit para së gjithash godet ekonominë. Kur nuk ka garë, ku dihet gjithmonë që garën do ta fitojë ai që ka korruptuar shtetin, bie interesi i biznesit. Kompanitë konkurruese që guxojnë të ankohen japin paralajmërimin që këtu ka elementë shqetësues të korrupsioni. E para është tek ekonomia. Nuk kemi një ekonomi që përmirësohet nga konkurrenca dhe më të mirët.

Kemi një ekonomi që shtypet nga korrupsioni dhe kapja e shtetit. E dyta janë taksat, taksat e taksapaguesve shqiptarë dhe taksat e takspaguesve amerikanë e europianë. Të ngresh agjencinë e prokurimeve publike ne kemi firmosur marrëveshje me USAID, kemi firmosur me BE, ligjin për audituesin, për përmirësimin e ligjit për menaxhimin e financave publike.

Pra, BE në ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë më shumë kanë qenë ndihma shtet formuese se sa investime fizike në ekonomi. Por në qoftë se ne harxhojmë para që sekretari i përgjithshëm të jetë përfundimisht niveli më i lartë i administratës publike, në qoftë se kjo nuk zbatohet, në qoftë se pushohen nga puna njerëz për motive politike, në qoftë se gjobat për ta shkojnë 70 milionë, në qoftë se gjobat për arbitrazh ndërkombëtar…dhe kjo ishte pyetja që i bëra para pak ditësh ministres së Financave, e cila na ftoi në një debat për buxhetin 2022-2024 dhe i thashë a keni parashikuar ju si ministre e Financave në buxhet kush do i paguajë 130 milionë euro të Becchettit? Përgjigjja ishte ju lutem jeni jashtë teme. Çfarë teme ka ministri i Financave të një vendi më shumë se sa keqpërdorimi i taksave të shqiptarëve, qoftë si taksa, qoftë si borxhe. Por borxhet që marrim që jepen në PPP-të”, deklaroi Malaj.

Ai tha më tej se nuk jemi në fazën që është dërrmues për ekonominë, demokracinë dhe sigurinë korrupsioni është kapja e shtetit, është niveli më i lartë.

“Në fjalor do të thotë që një qeveri e ndërton sistemin e saj të kuadrit ligjor të përzgjedhjes së deputetëve, politikanëve, drejtuesve të institucioneve përgjegjës për të luftuar korrupsionin në favor të disa oligarkëve. Praktikisht, kryeministri mblodhi kryetarët e bashkive, pse duhet t’i mblidhte? Kryeministri ka një agjenci që e paguajnë taksapaguesit shqiptarë, agjencia antikorrupsion. Kjo nuk është luftë me fushata.

Ata paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, legjislacioni i tyre modern, për njësitë antikorrupsion është bërë me taksat e donatorëve ne duhet të kemi një punë të përditshme. Unë dyshoj dhe kam të drejtë të dyshoj që struktura e kryeministrit për antikorrupsionin, strukturat e auditimit të brendshëm, pse duhet të na dalin tani kur del SPAK, kur për këto tendera është folur publikisht”, tha ai.

Por a e bën dot administrata këtë?

Malaj u shpreh: “Në qoftë se ne nuk synojmë ta ndërtojmë modelin shtet formues të Shqipërisë midis institucioneve dhe individëve, por do presim nga udhëheqësit që bëjnë estradën e radhës, që i mbledh kryetarët e bashkisë dhe i kërcënon, për çfarë i kërcënon, që t’i qëndrojnë besnikë?

Ai i ka pasur informacionet dhe për rastin e Lushnjës, kanë qenë publike, janë bërë debate publike. Pse kërcënohet kryetari i bashkisë së Vlorës, meqë nuk del deputet, del një deputet i ri tani dhe unë thotë unë do kërkoj auditim të jashtëm. Pse do kërkosh auditim të jashtëm kur ke auditimin e brendshëm. Pse nuk e ke përdorur?”

Sipas tij, sepse është kalbëzuar qeverisja e vendit, në një pjesë të saj.

“E di sa punonjës të mirë ka në administratën publike? Nuk kemi ndjerë ndonjë vështirësi. Në ’97 ishin 90% të PD-së, ata që ishin të mirë mbijetuan dhe Ministria e Financave dhe pak ministri kanë një staf profesional që të nderonte dhe në negociata me FMN. Puna është lidershipi, në qoftë se lidershipi krijon një bërthamë të tijën, të drejtpërdrejtë, zgjedh disa persona në postin e sekretarit të përgjithshëm, në poste ku rrjedhin paratë publike, mjaftojnë këta që ta bëjnë pis të gjithën”, deklaroi Malaj.

2


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas