Mapo Letrare

Intervista/ Më emocionoi tepër fakti se, shumë lexues iu rikthyen romanit Kufiri








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:20 - 22/11/20 |
mapo.al

Intervistë me shkrimtaren dhe botuesen e mirënjohur Rita Filipi



Bashkëbisedoi Mark SIMONI


1.Rita e dashur. Ngushëllime të thella JU, për profesor Latifin, por dhe institucionit serioz ALBAS për këtë humbje të madhe!




Në këto ditë të vështira për mua dhe për kompaninë tonë, do të thosha se fjalët e vlerësimit dhe fjalët ngushëlluese e inkurajuese na e zbutën paksa dhimbjen. Aq më tepër, kur kujtoj se pikërisht java e ikjes së Latifit përkon me javën e Panairit të Librit, që ka qenë gjithnjë festë për ne si Albas. Stenda jonë mbushej plot, sa herë takoheshim bashkë edhe me ty, i dashur Mark e bisedonim për libra, autorë e përkthyes, për projekte të realizuara dhe projekte të reja. Latifi iku në kulmin e punës, në kulmin e projekteve të reja që na prisnin.



Por, nga ana tjetër, na la një energji dashurie të paparë dhe hodhi dritë mbi shumë ëndrra e ideale që patëm bashkë e që shumicat i realizuam, siç ishte projekti ynë më i madh: të bënim tekste shkollore për të gjithë nxënësit shqiptarët në të gjitha trevat ku ata jetojnë, si edhe në diasporë. Po kështu, Latifi këmbëngulte gjithnjë që ne të ngrinim grupe bashkëpunimi me autorë e studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Presheva. Ajo që më emocionoi më tepër, është se shumë lexues iu rikthyen romanit Kufiri dhe, gjatë këtyre ditëve, kam marrë aq shumë mbresa të mrekullueshme prej tyre. Gjë që të bën që edhe vdekjen, kur hyn në mes dashuria, ta shohësh pa ngjyrën e zezë.


2.A mendoni se libri është akoma autoriteti dhe mediumi më i rëndësishëm i dijeve?

Sigurisht që libri është i tillë. Normal librat janë të natyrave të ndryshme. Por ne që merremi me letërsi, këmbëngulim që njerëzit, përveç librave që lidhen me profesionet e tyre, duhet patjetër të lexojnë letërsi të mirë. Gjatë takimeve me të rinjtë i këshilloj që të lexojnë patjetër veprat e klasikëve të letërsisë, që nga Homeri e deri te modernët e shekullit XX.

E vetmja që i përmbledh të gjitha dijet, është një vepër letrare klasike, ku mund të gjesh aty dhe dije nga historia, filozofia, shkenca, psikologjia etj., ku imagjinata jonë lëviz në kufijtë e së pabesueshmes, ku gjuha shpaloset me tërë forcën e vet dhe pasurinë e rrallë që ka. Këta libra përbëjnë bazamentin e kulturës sonë letrare dhe gjuhësore.

Pa këta libra nuk ka formim, jemi të mangët, botën e shohim bardhezi, mezi lidhim dy fjalë, e përdorim a s’përdorim dot një argument për të bindur dikë se kemi të drejtë. Çdo gjë tjetër që lexojmë nga autorët bashkëkohorë ka vlerën e vet, por, pa këtë bazament, të gjitha janë garnitura.

3.Cfarë e ka tronditur katedrën autoritare të librit?

Asgjë nuk besoj se mund ta tronditë. Autoriteti i librit mbetet i tillë edhe sot. Thjesht, në ditët e sotme koha ikën aq shpejt, për shkak të zhvillimeve teknologjike. Në ditët e sotme, njerëzit vrapojnë shumë dhe kanë shumë më tepër gjëra për të bërë se dikur. Në kohën tonë, ne nuk vuanim nga ky ankth. Ndaj ta racionosh si duhet kohën për një libër të mirë, që do qetësi dhe orët e mjaftueshme, është kthyer në sfidë për lexuesit e kualifikuar. Këtu nuk flas për njerëzit e letrave dhe të kulturës, që e kanë profesion punën me librin.

4.Në botimet shqiptare, cili është raporti i librave te dijeve te fushave me librin e letersise artistike? Nga shkojne tendencat?

Si kudo në botë, edhe te ne, specialistë të fushave të ndryshme botojnë libra që u përkasin fushave specifike. Por, normal, ne nuk e kemi shumë të zhvilluar sa në botë librin psikologjik, librin historik, librin shkencor, politik (sigurisht këtu nuk e kam fjalën për botime universitare). Prirja më e madhe në botën shqiptare është libri artistik, poezia dhe romani, më pak libri me tregime.

5.Popullimi i vazhdueshem i te shkruarit letersi, nga emra te rastesishem dhe krijime te dobta, cfare shenjash dhe sinjalesh i jep librit dhe letersise?

Unë mendoj se kjo ndodh dhe në botë. Jetojmë në ekonomi tregu. Ka botime pa fund të librave të dobët, mesatarë, të mirë dhe, shumë pak, shumë të mirë. Përveç atyre që nuk kanë qenë kurrë shkrimtarë dhe vazhdojnë të shkruajnë dhe të botojnë, ka dhe shkrimtarë me emër që botojnë libra të dobët. Duhet të jemi të vetëdijshëm që jetojmë në një vend të vogël, i cili nuk i ka kaluar etapat letrare sikurse vendet e zhvilluara.

Edhe ata që janë shkrimtarë të mirë të traditës apo të letërsisë bashkëkohore, që kanë midis krijimeve të tyre vepra shumë të mira, përsëri nuk kanë mundur të krijojnë një sistem të vetin letrar (me ndonjë përjashtim të rrallë), si shkrimtarët e mëdhenj botërorë. Ende letërsia shqipe vuan nga një lloj provincializmi apo lokalizmi, ku humbet fryma universale. Gjithsesi po përvijohen dukshëm emra prozatorësh apo poetësh shqiptarë që anojnë nga kjo frymë, për t’u shkëputur dukshëm nga sajesat artificiale apo autocensura.

6.Cfarë emrash dhe titujsh po pergatiteni ti jepni lexuesit?

Këtë panair ne kemi sjellë disa tituj të rëndësishëm si për fëmijë, ashtu edhe për të rritur. ALBAS risjell në duart e vocërrakëve tri thesare të paçmueshme të klasikut të letërsisë për fëmijë Bedri Dedja. “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”,(7+), “Një udhëtim i rrezikshëm”, (9+), dhe “Presidenti i Planetit të Kuq” (11+) vijnë me një botim special, të shoqëruara me ilustrime fantastike. Shkrimtari Bedri Dedja, i cili është cilësuar me të drejtë, që kur ishte gjallë, si “Babai i Letërsisë Shqipe për fëmijë”, është një figurë e shquar e letrave shqipe. Serisë “Më quajnë…” me personalitete nga bota dhe Shqipëria, i shtohet titulli “ Më quajnë Edison”, libri i fundit që shkroi Latif Ajrullai për këtë seri, pas “Më quajnë Nikola Tesla”.

Po kështu nga Luan Rama vjen një libër fantastiko-shkencor për planetin Arbër, nga shkrimtarët shqiptare për fëmijë, Natasha Poroçani sjell “Bëmat e Estes dhe Kokosë” (Fantafëmijët) dhe Edi Gogu aventurën e breshkës “Tuli Turtuli”. Gjithashtu, një libër tepër i rëndësishëm për fëmijë, por edhe për të rritur, është përkthimi i të gjitha përrallave të Andersenit, në një botim special, mjaft voluminoz (rreth 900 faqe, me përkthim të Klodian Briçit), Nga letërsia artistike vlen të përmendet botimi i Lepur, vrapo, romani i parë i tetralogjisë së Herri “Lepur” Engstrëmit, nga një prej romancierëve më të mirë amerikanë, John Updike, me përkthimin e mrekullueshëm të Granit Zelës.

Për sa i përket librit kulturologjik do të përmendja “Fabrikimi i bindjeve përmes politikave mediatike” nga dy autorë mjaft të njohur sot. Edward S. Herman dhe Noam Chomsky, përthyer nga Linda Mëniku. Nga Robin Sharma, një prej oratorëve dhe autorëve bashkëkohorë bestseller, këtë vit Albas sjell dy tituj të rinj “Murgu që shiti Ferrarin” dhe “ Kush do të qajë kur të vdesësh”, të cilët i shtohen serisë së librit psikologjik, së bashku me titullin tjetër të ri “Selfie – uni i unit” nga Will Storr, gazetari i njohur amerikan, i nderuar me shumë çmime. Nga autorët shqiptarë mund të përmendim romanin shkencor “Infiniti blu” të astrofizikanes Mimoza Hafizi, ku gërshetimi i të dhënave shkencore për infinitin dhe pafundësinë e bën librin shumë tërheqës dhe lexuesi fiton informacion të pasur shkencor ndërthurur me rrëfimin artistik; si dhe veprën “Antitabu”nga diplomati dhe studiuesi Shaban Murati, e cila përfaqëson një ngulmim intelektual për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve.

1


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas