Aktualitet

Intervista me Nanon, Rama nuk ka më kohë të lexojë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:12 - 01/04/20 |
Mapo.al

Në një intervistë të kryeministrit me Mustafa Nanon, në emisionin Provokacja, fokusi me të drejtë ishte tek situata që po kalon vendi, dhe tek kriza e koronavirusit. Në ditë si këto, ato qendrimet intelektuale që të jep mundësinë ky format për të demonstruar, duket se pak vemendje marrin.


Por Muçi nuk kish hequr dorë nga kjo sprovë edhe mbrëmë. Ai e vuri Ramën para disa momenteve, ku ky mund të elaboronte ide, apo të ekspozonte mendimet e ngjeshura për çështje të rëndësishme, të kohës, që rrihen sot e gjithë ditën në Europë e në botë.


Teza përtej administrimit të pushtetit, për të cilat një udhëheqës supozohet se është i përgatitur dhe e ka brumin të ketë një pikëpamje të veten.


Kryeministri doli se, ose ishte i zënë në befasi për ato pyetje, ose ishte i lodhur nga një ditë e gjatë pune, ose ka kohë që ka hequr dore nga ushtrimet intelektuale, ose ai nuk është më Edi Rama i Refleksioneve, dhe orët tashmë mbushen me lexime portalesh apo korespondencë në rrjetin social.


Mustafa Nano e provokoi shefin e rilindjes për tema, si, besimi, Zoti, idetë e vlefshme të një humbësi. E pyeti për paradokse si, raportet e mira me një lider si Salvini, teksa është drejtues i një populli emigrant që mund të vuajë politikat e tij. Dhe Nano kërkoi një opinion, pse Rama dilte më mirë në kohë krizash.

Shtjellimet e kryeministrit ishin larg të qënit ato të një nxënësi të Konicës, apo Nolit, siç ai mëton se është, dhe larg të qënit dikush që rri mbi libra të paktën 1 orë në ditë, edhe pse daljet e fundit në ekran janë gjithnjë nga biblioteka të pasura.

Rama pati batuta të shkurtra për këto pika, dhe jo shpjegime të themelta, me mendim, me logos.

Për faktin që citon Biblën apo Kuranin, kryeministri tha shkurt se ato i përshtaten gjendjes, momentit. Po nuk tregoi forcën e vërtetë të këtyre teksteve që vjen nga urtësia e madhe që rrokin, nga realitetet që përfaqësojnë, nga idetë humane që mbeten gjithnjë aktuale, të çdokohshme, dhe nga stili sidomos. Librat e shenjtë janë lakonikë dhe kanë fuqi fjale, më shumë se çdo letërsi e mirë.

Rama ishte i paqartë nëse beson se Zoti ekziston. Ai nuk e pranoi, edhe pse tha se ka një krijues. E mbylli me atë se kjo ishte një punë private, sikur i druhej një publiku ateist. Kjo ndoshta një zgjedhje, duke njohur bazën e mbështetësve të tij të partisë, pasardhës të organizatës më të pafe ndoshta në planet.

Rama nuk tregoi asnjë simpati për një humbës, platformat e të cilit mund të jenë të vlefshme dhe të mira. Një pikë që meritonte një trajtim më të gjërë, pa pretenduar këtu qasje kristiane apo europiane. Kryeministri e shpalli veten në krahun e fituesve, sido e kushdo të jenë ata.

Sa i përket raportit miqësor, që ka me Salvinin, dhe i pyetur nëse është normale kjo për një drejtues të një vendi që ka kaq shumë emigrantë që mund të vuajnë politikat e një të djathti ekstrem, Rama nuk hyri fare në këtë lëmë të ideve të kohës, po u shpresh varfërisht se nuk e njihte personalisht, por që lideri i Legas qenka në fakt tjetër njeri, i dhembshur dhe plot empati, siç ja paskan përshkruar të tjerë. Dhe që komunikon me të me mesazhe.

Kur vjen puna, pse ai del më mirë si lider në kohë krizash, si tërmeti apo koronavirusi, sipas një konkluzioni të gazetarit Nano, Rama edhe pse pat mundësinë të flasë mbi një tezë të fortë politike jo të panjohur se këto rrethana e ndihin një udhëheqës, për shkak të traumës që kalon një shoqëri që kthehet në turmë frikamane në nevojë për bariun e vet, e shumë argumenta të tjerë, Rama gjegjet fare shkurt dhe bosh, se ai mbetet i njëjti, po thjesht njerëzit i kushtojnë më shumë vemendje të mirave që ai kryen. Po kryeministri nuk është dikush që i mugojnë sytë e veshët e qytetarëve, e sidomos s’mund të ankohet për këtë, pasi është çdo ditë që ka dhënë perendia në mënyrë agresive live disa orë.

Afërmendsh, që kjo nuk është kohë tjerrjesh e stërhollimesh filozofike apo metafizike. Po derisa dikush qendron gjysmën e kohës në ekran dhe përderisa pranon një format të tillë emisioni, këto tema janë të pangelizhueshne. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një shef mazhorance që e shpall me arrogancë se është më i kenduar dhe ka epërsi intelektuale para çdo kundërshtari apo kritiku.

Mapo.al


Etiketa: , ,

Pas