fbpx

Aktualitet

INTERVISTA/ Mjeku antikoncesion, Koni: Afera korruptive dhe joeficiente





               Publikuar në : 11:26 - 07/11/19 |
Nga Blerina Gjoka

Nga Blerina Gjoka


Abuzimi: “Ne mund të harxhonim maksimalisht 1.5 milion euro për sterilizimin e gjithë aparaturave në gjithë Shqipërinë. Ndërkohë  vetëm vjet koncesionari ka marrë 17 milionë euro”.



Artan Koni na pret në klinikën e tij në Rrugën e Dibrës i mësuar krejt papritur me thirrjet e gazetarëve në telefon.  Deri para pak ditësh ai kishte një jetë normale me punën e përditshme me pacientët e tij dhe bisedat me kolegët ku ndanin qëndrimet e tyre për problemet e shëndetësisë. Por në momentin që dr.Koni vendosi që qëndrimet e tij t’i bënte publike në një video në facebook ai u bë njeriu më i famshëm i rrjetit. Në videon e shkurtër ai flet para kameras së tij duke shpjeguar në shifra abuzimin me koncensionin e sterilizimit të mjeteve për operacionet, ku sipas llogarisë së Konit, një sterilizim që kushton 2.4 euro paguhet nga shteti shqiptar 190 euro. Kjo çoi dhe në kërkesën e paprecedentë të ministres Olgerta Manastirliu e cila u kërkoi mjekëve të ulin numrin e operacioneve. Për Konin si mjek, po ai beson se të gjithë mjekët e tjerë janë dakord me të, pavarësisht se kanë nguruar të shtypin edhe një buton ‘like’ në facebook nga frika e vendit të punës, kjo është e papranueshme.


Koni, mjek urolog, kryen operacione në disa spitale private me të cilët ka kontratë pune. Deri para 1 viti ai na thotë se ka qenë i vetmi mjek që realizonte operacionin e trasplantit të veshkave. Ai ka vetëm 4 vite që ka ardhur në Tiranë, ku jeton me bashkëshorten, po ashtu mjeke, dhe vajzën e vogël, pas studimeve në Turqi dhe Belgjikë dhe një eksperience pune disavjeçare në këto vende. Por dhe pse i kualifikuar për të kryer operacione të vështira ai nuk u pranua si pjesë e stafit të QSUT. “Më thanë që jamë shumë i kualifikuar”, thotë me buzëqeshje doktori ndërsa thekson se refuzimi ka qënë në vazhdimësi sa herë ka dashur të japë kontributin e tij, edhe vullnetar. “I thashë ministrit Beqja; të vij të bëj 10 trasplante veshkash në QSUT falas që të mos kufizohemi vetëm në 20 pacientë në vit, siç është marrëveshja me Spitalin Amerikan, ku bëhen trasplantet me paratë e shtetit. Por ai nuk pranoi”.

Në intervistën për gazetën Mapo Dr.Koni sqaron se çfarë e shtyu të bënte videon dhe argumenton se pse koncensionet në shëndetësi janë të gabuara që në konceptim.

Dr. Koni, jeni bërë i famshëm këto ditë me videon që postuat në FB ku denoncuat abuzimet me koncesionin e sterilizimit në shëndetësi. Çfarë ju shtyu që ta mbani atë qëndrim?
Ne si mjekë kemi disa muaj që kemi ndjesinë se ky koncesion është dhënë në një shifër shumë më të madhe se sa normalja. Një ditë të bukur më lindi ideja që të bëj llogari se sa lekë na duhet ne për sterilizimin, dhe sa lek harxhonim më përpara me sterilizimin. Me një llogari të thjeshtë që bëra unë, e përafërt, por duke u fokusuar te vlera maksimale, jo minimale, dhe llogaria maksimale na doli që ishte shumë herë më pak se vlera e këtij koncesioni. Doli që ne mund të harxhonim maksimalisht 1 milion e gjysmë euro për sterilizimin e gjithë aparaturave në gjithë Shqipërinë. Ndërkohë ne kemi paguar vetëm vjet 17 milionë euro dhe jo për numrin maksimal të ndërhyrjeve, por për 90 mijë ndërhyrje.

Gjithë këto para a e kanë ndryshuar cilësinë e punës me sterilizimin e mjeteve për ty si mjek?
Asgjë s’ka ndryshuar. Sterilizimi bëhet po njësoj, siç është bërë më parë, me autoklavë. Nëse ka pas më përpara probleme me sterilizimin në pika të caktuara ka ardhur sepse nuk ka pasur autoklava moderne, duhej të bliheshin të reja. Është e njëjta punë.

Kërkesën e ministrisë drejtuar spitaleve që të ulin numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale si e komentoni? Çfarë do të thotë për një mjek një kërkesë e tillë?
Patjetër që mjekët nuk e pranojnë një kërkesë të tillë. Nëse e marrim nga ana ekonomike ajo është një shkresë e drejtë se thotë; shikoni e kemi tejkaluar buxhetin kështu që bëj më pak shërbime. Këtë mund ta bënim në profesione të tjera, por jo në mjekësi dhe aq më pak në kirurgji. Nuk mund t’u thonë mjekët pacientëve; shiko e kalova unë limitin e shpenzimeve kështu që ju nuk operoheni dot ndaj prit kur të vijë radha. Në fushën e mjekësisë kjo nuk qëndron. Është shumë e thjeshtë që në një zyrë ministrie të bëni një shkresë e të firmosni, po është shumë e vështirë që të keni një pacient përballë dhe t’i thoni atij që keni nevojë për operacion, po unë s’ta bëj dot se më ka ardhur shkresë nga ministria. Kështu detyrohen pacientët, ose të shkojnë jashtë shtetit, ose në spitalet private.

Pse ka një heshtje për t’iu bashkuar zërit tuaj? Pse hezitojnë mjekët që të shprehin mendimin e tyre për çështje të tilla që i prekin ata drejtpërdrejt?
Video pak ditë ka që është bërë publike, për momentin nuk kam marrë mbështetje, por shpresoj që të më bashkohen. Dua t’i mirëkuptoj deri në një farë pike se jetojmë në kohë të vështira, në kohën e propagandës e dhunës shtetërore. Njerëzit kanë probleme familjare, kanë hall se do i nxjerrin nga puna, pra është një situatë e keqe. Privatisht më mbështesin përditë, më vijnë mesazhe nga kolegët, por dhe nga njerëz që s’i njoh, të cilët shprehin mirënjohjen për këtë nismë që mora, por publikisht jo, asnjë deri më tani. Kjo video u bë për popullin që të kuptojë ku është situata, se ne si mjekë këto gjëra flasim gjithë kohës.

Po ministrisë i është bërë i ditur ky qëndrim i mjekëve? A është përballur ndonjëherë ministria me këtë qëndrim të mjekëve?
Jo nuk është përballur dhe ky është problemi se nuk ka marrë mundimin ministria që të marrë një feedback nga mjekët që të kuptojë që ky koncesion nuk është i mirë. Por dhe kur është dhënë ky koncesion nuk i ka pyetur njeri mjekët.

Po koncesionet e tjera në mjekësi a kanë të njëjtat probleme? A besoni në parim që kjo metodë është e duhur për të rritur cilësinë e shërbimit në mjekësi?
Koncesionet e tjera si perceptim është që nuk janë të drejta. Por them që është thjesht perceptim sepse duhen parë në detaje dhe nuk i kam parë, kam studiuar vetëm pjesën e sterilizimit. Për pjesën tjetër që duhet ta japë shteti shëndetësinë me koncesion, patjetër që jo. Kjo jo vetëm që është normalja, por është dhe në përputhje me atë që thotë vetë shteti; mjekësia është falas. Nëse është falas atëherë nuk ke pse e bën me koncesion dhe nëse e bën të thuash ke një limit të caktuar shërbimi. Nuk është logjikë e drejtë. Mjekësia funksiononte dhe para koncesioneve dhe pas dhënies së shërbimeve me koncesion çfarë ka ndryshuar? Praktikisht, për ne mjekët asgjë.

Ju keni kritikuar edhe koncesionin e Check up-it, që ishte i pari koncesion që hapi siparin në shëndetësi. Çfarë nuk shkoi me të?
Nuk ka një kontratë të shpallur online që ta shohim të gjithë se kush është kontrata e këtij koncesioni. Po ne shohim përherë perceptimin e njerëzve dhe ai është që check up-in nuk e duan. Shikoni vitin që kaloi as gjysma e atyre njerëzve që kishin për të shkuar të bënin check up-in nuk shkuan dhe çfarë bëri ministria, filloi të detyrojë mjekët e familjeve që t’i detyrojnë pacientët të bëjnë check up-in e pastaj t’i shkruajnë recetën për tensionin a sëmundjet që kanë. Nga ana tjetër mjeku nëse nuk kishte plotësuar një kuotë të caktuar penalizohej dhe rrezikonte punën. Pra i detyronin pacientët nëpërmjet mjekëve që të shkonin të bënin një gjë që nuk e duan. Mos t’i futemi pastaj nëse bëhen analizat mirë, por njerëzit nuk e duan, që këtu nuk vlen më si koncesion.

Nëse do ishin ju ministër i shëndetësisë sot cilat janë sipas jush problemet kryesore që përballet ky sektor dhe si do t’i rregullonit?
Shëndetësia shqiptare vuan nga shumë gjëra, së pari, vuan nga perceptimi që kanë ministrat e kryeministrat, politika për shëndetësisë. Ata kanë perceptimin që mjekësia rregullohet duke ndryshuar fasadat, duke rregulluar dritaret, duke blerë krevatë të rinj e duke bojatis poliklinika atje ku s’ka njeri. Kështu që shpenzojnë dhe investojnë vetëm në tulla e llaç dhe jo në burimet njerëzore. Ajo që do bëja unë është anulimi i koncesioneve se pa anuluar këto nuk ke para për asgjë dhe gjëja e dytë që do bëja do të ishte investimi në burimet njerëzore. Vetëm me lekët e një koncesioni do të ishin trefishuar rrogat e infermierëve dhe dyfishuar rrogat e mjekëve dhe s’ka pse të ndodhë ky eksodi që ndodh tani, ku të gjithë mësojnë gjermanishten dhe ikin jashtë.

Keni plane të angazhoheni politikisht, dhe a ka lidhje kjo që bëtë me profilin që doni të krijoni në të ardhmen?
Jo nuk jam angazhuar asnjëherë politikisht dhe skam ndërmend të angazhohem, por më pëlqejnë lëvizjet sociale dhe jam anëtar i lëvizjes Thurje, që ngrenë zërin për problemet që ka shoqëria shqiptare. Kjo që bëjmë ne është një e mirë e përbashkët që i tejkalon partitë.

LEXO EDHE:

Koni debatoi me Beqajn për trajtimin e veshkave tek “Amerikani”


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas