Aktualitet

INTERVISTA/ Njihuni me vajzën e fermës së dhive që kërkon mandatin e deputetes














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:17 - 28/01/21 |
mapo.al

Entela Resuli





Në vitin 2002, kur sapo kishte përfunduar gjimnazin në Mamurras, Rigerta Loku fiton të drejtën e studimit në një nga universitetet më të mira të botës, La Sapienza, Romë.


U largua drejt Italisë me bindjen e fortë se një ditë do të kthehej dhe do të kontribuonte për këtë vend. Zgjedhja për të studiuar Shkenca Politike ishte e qartë, pasi ajo e kishte projektuar veten pikërisht në këtë fushë.




Nuk ka qenë e lehtë për të që nga një provincë e Shqipërisë të shkojë të jetojë dhe studiojë në Romë, por këtë e kanë bërë edhe shumë shqiptarë të tjerë. Nëse pjesa më e madhe e tyre nuk janë kthyer apo kur kanë ardhur nuk e kanë gjetur dot më veten në këtë vend, Loku rezistoi. Ajo nuk e ka menduar asnjëherë të lërë Shqipërinë për të jetuar dhe punuar në një tjetër vend.


Në vitet e para të kthimit nga Italia e kishte shumë të vështirë të angazhohej dhe të behej pjesë e politikës dhe si fillim e nisi nga toka e të parëve të saj. Prej vitesh ka ndërtuar një fermë ku rrit dhe mbarështon dhi, së bashku me bashkëshortin, në Rrushkull, të fshatit Prosek. Nuk e pati për turp që nga një studente e La Sapienzës të merrej dhe përpunimin e qumështit të dhive.


Kjo e ka bërë më të afërt me njerëzit dhe me natyrën.

Rigerta është vajza e tretë e dy prindërve arsimtarë, babai mësues i Edukimit Fizik dhe nëna mësuese e Ciklit të Ulët. Është motra e vogël e një vëllai dhe një motre më të madhe.

Sot është vetë nënë e dy vajzave, të cilat mundohet t’i edukojë me dashurinë për librin dhe familjen.

Në këtë periudhë i është bashkuar Nismës Thurje dhe nën siglën e saj kërkon votat e popullit të Lezhës në zgjedhjet e 25 prillit.

Në këtë intervistë do të njohim një vajzë e cila ka kaluar shumë sfida, por të tjera më të mëdha e presin.

Njihni Rigerta Lokun.

-Rigerta, a mund te rikthehemi disa vite pas! Një vajzë nga Mamurrasi që shkon të studiojë në Romë. Si ishte përballja në një vend të huaj?

Kam shkuar në Romë kur isha 18 vjeç. Pasiguria që ofronte asokohe (por dhe sot) sistemi arsimor në Shqipëri shtyu me tepër tim atë se sa mua të më niste për të studiuar në Itali. Unë vij nga një familje arsimtarësh të thjeshtë ku pagat e mësuesve nuk mundeshin kurrsesi t’i ofronin garancitë e mjaftueshme për një student universitar. Prindërit e mi kanë qenë kërkues kundrejt vetes e më pas kundrejt meje. Më vonë, im atë sidomos, e vuajti shumë largimin tim dhe pse kurrë nuk ma dha ta kuptoj. Nuk isha e lumtur që po ikja nga Shqipëria, kur kam vënë këmbën në traget në gushtin e vitit 2002 e kam ditur që do të rikthehem.

Në Romë kam pasur fatin e madh të më priste ime motër dhe kam qenë e privilegjuar në këtë drejtim. Por të ikësh nga Mamurrasi në atë që dhe sot është renditur universiteti më i mirë në Itali, është diçka e madhe. Roma për mua dhe sot është qyteti më i bukur në botë. Jam rritur e shkolluar në atë qytet që aq shumë më deshi dhe e desha. Ka një numër vërtet të madh shqiptarësh që studiojnë atje, ishim dhe vijojnë të jenë një komunitet i madh dhe të them të drejtën e kemi asistuar e ndihmuar shumë njëri-tjetrin. Ndihmë që konsistonte në marrjen e njëri tjetrit nëpër dhomat e vogla të konvikteve, librat borxh njeri-tjetrit, leksionet, abonetë e autobusit, edhe teserat e mensës i shkëmbenim me shumë solidaritet. Viti i parë ka qenë më i vështiri më pas treni hipi në shina dhe gjithçka shkoi mirë. Je i huaj në atë tokë por sukseset e bashkëkombësve tanë ishin një shtysë e madhe për ne që shkuam më pas dhe me këmbëngulje e pasion njeriu arrin gjithçka. Jemi racë e zgjuar por e shprehim më tepër zgjuarsinë tonë jashtë kufijve 😊.

– Pse zgjodhët të studionit Shkenca Politike, e kishe menduar që një ditë do të angazhoheshe në këtë fushë?

Nga 15 deri 18 vjeç në Mamurras isha e angazhuar në Kishën e qytetit, në një grup të rinjsh qe quhej “Agimi i Ri”. Asokohe nuk kuptoja rëndësinë e formimit qytetar që në atë moshë. Motër Karmina na kishte organizuar në botimin e një gazete lokale, na nxirrte të pastronim qytetin, na nxiste të merrnim qëndrime qytetare. Nuk e mbaj mend se çfarë pa tek unë ajo grua por kur po zgjidhnim degët e studimit, me shumë dashuri e trishtim( se e kishte të sigurt që Mamurrsit po i iknin të rinjtë) më thotë që donte të më bënte një propozim në lidhje me degën që duhet të zgjedh. Shkenca politike me thotë, duhet të shkosh për shkenca politike, por duhet të kthehesh përsëri këtu, përndryshe e ke kot. Qesha, e mbaj mend, pas rreth 6 muajsh unë isha e regjistruar në vitin e parë për Shkenca Politike dhe Marrdhenie Ndërkombëtare në Romë. Pata shkuar që të kthehem, ndonjëherë e harroja këtë gjë por kthimi ka qënë objektivi im final.

-Ishte një shkollë e vështirë? Ishe një studente që vetëm studioje apo edhe punoje?

Ka pasur raste që kam menduar të ndërroj universitet, disa prej nesh e bënë. Po ta bëja, do më dukej sikur po tradhtoja veten jo universitetin. Është një degë e cila t’i merr një shkollim 360 gradë. Shkolla ofron bursa për nxënësit e mirë, gjë që unë e kam përfituar por të them të drejtën nga ana tjetër kam punuar në piceri, dyqan akulloresh pasi shpenzimet janë të mëdha në një qytet të madh. Por shkolla dhe puna kanë qënë fryma që më kanë rritur prindërit dhe kjo për mua vinte natyrshëm. Punoja e në darkë ndiqja kurset e mbrëmjes se na kërkohej prezenca për të hyrë në provime.

-Shumë nga ata që zgjedhin të studiojnë jashtë, e kanë të vështirë të kthehen dhe të punojnë në Shqipëri, ndërsa ju u kthyet…

Atje kemi qenë katër shoqe, nga të katërta jam kthyer vetëm unë. Ka pasur përpjekje të mikeshave apo të njohurave të mia për t’u kthyer në Shqipëri por terreni shumë i vështirë i ka bërë të shkojnë përsëri në Romë. Ua thashë që në fillim, ky ka qenë objektivi final, që do kthehesha, por që do të kthehesha në Mirditë, kjo është një surprizë e bukur që jeta rezervoi.

-Edhe bashkëshorti juaj nga Mirdita është? Si jeni njohur me të?

Ai është lindur e rritur në Rubik. Jam njohur rastësish në kafenenë poshtë shtëpisë ku po pija një kafe me nipin tim. Ai po përgatiste rikthimin në Shqipëri. Ndër të tjera, na bashkoi rikthimi 😊.

-Disa vite më parë bëri habi që një vajzë e cila kishte studiuar në Romë të kthehet edhe të ndërtojë një fermë në tokën e të parëve të saj. Si e morët këtë vendim?

Babai im është i lindur në Ulëz, mirditor me origjinë nga Bajraku i Rrazës. Ne jemi kthyer në tokën e gjyshit të tim shoqi që për rastësi është vetëm 4 kilometra larg nga tokat e gjyshit tim. Duke qënë që asnjërin prej nesh nuk e ka trembur puna, ishte dhe është nder për ne të kemi një fermë tonën e të kujdesemi për të. Bëmë diçka e cila është në linjë me natyrën e territorit ku jetojmë. Ferma është një lloj biznesi që kërkon përkushtim të madh, por është një angazhim që frytet nuk ja merr sot por i projekton për brezat që vijnë. Por ndërkohë ushqehemi mirë dhe shëndetshëm.

-Çfarë rrisni dhe kultivoni aty dhe ku ndodhet ekzaktësisht ajo?

Ne fermën e kemi në Rrushkull, të fshatit Prosek dhe aktualisht kemi mbi 200 dhi rracë vendi pa numëruar kecat që po shtohen në këtë periudhë të vitit. Janë dhi të cilat rriten 100% në natyrë.

-Si është një ditë pune e juaja, e zakonshme?

Tani jemi në një periudhë intensive pune. Që nga fillimi i janarit kemi nisur sezonin e pjelljeve. Unë nuk shkoj çobaneshë 😊, sa për sqarim. Tani merremi me kecat dhe kujdesemi që të rriten të shëndetshëm, është im shoq eksperti. Unë kam dhe dy vajza të vogla që mundohem t’i rris e edukoj duke i shkolluar por në harmoni me punën, kafshët dhe natyrën. Pas sezonit të kecave nis ai i djathit, aty jam unë ekspertja.

-Rigerta, tashmë ju keni një qasje konkrete drejt politikës, keni vendosur të kandidoni për deputet. Si dhe pse e morët këtë vendim?

Unë asnjëherë nuk kam reshtur të jap kontributin tim modest në zonën ku jetoj. Dashur pa dashur kam bërë politikën time ekonomike në nivel mikro. Shpesh herë na kontaktojnë të rinj të zonës por edhe më gjere të cilët kërkojnë konsulencë në sektorin agroblektoral. Politika, ose më mirë, shërbimi publik është për mua një ndjesi e brendshme, ndjej se duhet dhe jam e sigurt që mund ta bëj.

-Ju vetë e keni akuzuar politikën, e cila nuk bënë mjaftueshëm për njerëzit dhe shpesh i lë atë në baltë, ndërsa politikanët mendojnë vetëm për veten dhe familjet e tyre. Çfarë do të bëni ju ndryshe?

Unë kandidoj në Qarkun Lezhë, jam në shtëpi. Shpesh herë më është dashur të konsultoj ligje e direktiva të ndryshme dhe po aq herë kam parë që të gjitha këto nuk zbatohen në territor. Njerëzit janë të lënë në mëshirë të fatit për gjithçka, si në marrëdhënie me nivelin lokal ashtu në nivelin qendror. Politikanët kur marrin pushtetin shkëputen nga realiteti i njerëzve të thjeshtë dhe jetojnë në oazet e tyre. Ne ndër shumë mangësishë të tjera kemi një defiçit në përfaqësi. Mbi 60% e shqiptarëve nuk janë realisht të përfaqësuar në atë parlament, sepse diktatura e dy partive të mëdha politike kështu do. Unë do të nis nga përfaqësimi real i njerëzve realë që jetojnë në qarkun e Lezhës.

-Pse zgjodhët Nismën Thurje dhe a keni patur oferta nga parti të tjera politike?

Nisma Thurja ka lindur si lëvizje qytetare që në vitin 2014, por duke parë të pamundur që në mënyrë qytetare të influencojë vendimmarrjen ka vetëm një javë që ne zyrtarisht u transformuam në parti politike. E për hir të së vërtetës në gjithë këtë kohë më është dukur si e vetmja opozitë që ka pasur realisht pushteti. Por si qytetarë, me gjithë përpjekjet e herëpashershme për t’u dëgjuar nga politika me nisma të ndryshme ligjor, kurrë politika e këtyre viteve nuk konsideroi jo vetëm Nismën Thurje por asnjë lëvizje qytetare dhe të pa implikuar politikisht. Nga jashtë ky sistem është e pamundur të ndryshohet, është nisur rrugëtimi për ta ndryshuar nga brenda dhe për këtë na duhen shqiptarët.

Oferta kam pasur, por partitë e tjera kanë më të rëndësishëm programin e tyre politik se objektivin për një ndryshim rrënjësor të tablosë politike në Shqipëri. Jam në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

-Si e konsideroni gjendjen e Shqipërisë në këto momente?

E themi shpesh, por u bënë 30 vite, që ne na udhëheqin po të njëjtit njerëz dhe po të njëjtit njerëz ndajnë pushtetin me rrotacion dhe i hedhin fajin njeri-tjetrit po me rrotacion. Është e pakuptimtë që ne të kërkojmë zgjidhjen e kësaj gremine institucionale, ekonomike, sociale,të kërkojmë zgjidhje nga vetë ata që në greminë na kanë hedhur. Ka nevojë fiziologjike ky vend për një brez të rinj politikëbërësish.

-Pse mendoni se ka ardhur kjo?

Ne jetojmë në një diktaturë partitokratike, por në vend që të kemi një parti në pushtet që e ushtron atë, kemi dy. Kemi dy parti qe shpesh nuk janë gjë tjetër veçse zgjatim i njëra tjetrës. Kur bëjnë ligje për të forcuar pushtetin e tyre në dëm të popullit janë bashkë këto parti, kanë qenë gjithmonë bashkë. Duhet shembur ky dualizëm artificial që i shërben vetëm vetvetes.

-Çfarë mund ta ndryshonte këtë gjendje sipas jush?

Dualizëm që rrëzohet vetëm dukë injektuar gjeneratat e reja në politikë, brezat që nuk janë vijim i demagogjive të vjetra politike. Breza që i japin popullit fuqi me ane te referendumit apo nismave ligjore. Të rinj, nuk them vetëm në moshë por në ideologji që kur bëhet fjalë për të mirën e Shqipërisë të prodhojnë e votojnë bashkarisht ligje, që kur bëhet fjalë për integrimin europian të bëhen bashkë pavarësisht meritave apo interesave të ngushtë politikë.

-Ju thoni se do të jeni ndryshe nga politikanët e tjerë. Ndërsa dihet që në politika ka brryla, sulme… si mendoni që do i përballoni ata?

Transparenca me elektoratin dhe përfshirja e konsultimi me ata që më kanë votuar do të jetë një ndër pikat e mija të forta. Më pas kam bindjen se në këtë legjislaturë do të ketë mjaftueshëm të rinj politikisht që do të vënë të mirat e vendit mbi të mirën personale. Kam bindjen gjithashtu, që vetëm duhet të hapim shtigjet e të fusim njerëzit e duhur në Parlament së do të ketë më shumë shtrëngime duarsh se bërryla.

-Rigerta, cili është kujtimi më i bukur që keni nga fëmijëria?

Kam shumë…nuk di kë të veçoj. Prehrin e gjyshes, lojërat me kushërinjtë nëpër pemë e kodrina, darkat e festat me familjen, pushimet në Vermosh në vendlindjen e mamit, apo shokët, shkollën e mësuesen time të parë. Kam pasur një fëmijëri të lumtur dhe shumë të gjallë. Dashje pa dashje jemi produkt dhe i fëmijës që dikur ishim apo dhe sot vijon të jetojë pakëz në ne.

-Pas kthimit nga Italia, e ke menduar të largohesh serish nga Shqipëria?

Të kthehem? Jo. Jam atje ku duhet të jem. Këtu jam e gjallë, pavarësisht vështirësive të hasura.

-Cila ka qenë familja juaj, sa motra dhe vëllezër ishit?

Unë rrjedh nga një familje e thjeshtë arsimtarësh. Babai im ka punuar për mbi 35 vite ne arsim. Ka qënë mësues i edukimit fizik. Babi ka qenë një antikonformist në shpirt por dhe në vepra. Ne ishim ndër të rrallët që vizitonim të afërmit tanë që i kishim të përndjekur politik, kryesisht nga mami, gjenim gjithmonë mënyrën. Babi im nuk jeton më prej 15 vitesh por unë e di që nuk do ta zhgënjej asnjëherë.

Mami mbi 40 vite në arsimin fillor, unë kam pasur më shumë një mësuese në shtëpi se sa një mama. Na mbushte me mjete didaktike e që i krijonte e ndërtonte vetë ajo.

Një grua e guximshme ime më, vetësakrifikuese si të gjitha nënat shqiptare, sot, pensioniste që ndjek rrugëtimin tim jetësorë po aq e habitur sa një spektator i jashtëm por e ndërgjegjshme që ka qënë edhe faktor. Jam me e vogla e tre fëmijëve kam një vëllai që jeton në Mamurras bashkë me familjen e tij të bukur dhe motrën në Romë që e kam pasur dhe e kam motër, mama, shoqe edhe mësuese kujdestare për një vit.

-Ju keni dy vajza apo jo, cilat janë këshillat më thelbësore që u jepni atyre?

Më duket vetja si prindërit e mi kur flas me to, sidomos me të madhen që është në klase të tretë. Librat i them librat, po gjithmonë e lë që të jetë ajo që të marre vendimet finale, kur dhe si. Nuk jam një prind që i rri te koka, dua të rriten fëmijë të lirë që të jenë më pas njerëz të lirë. Normal qe syri vigjilent i prindit monitoron gjithmonë. Librat dhe puna janë kombinimi perfekt e gjitha kjo spërkatur me argëtimin fëmijënorë. Ndërsa u kujtoj gjithmonë që duhet të sillen me të tjerët ashtu si të tjerët do të donin të silleshin me to. E vogla, është një rebele e vogël, nuk ma vë veshin fort por ka kohë dhe për këto. Uroj vetëm, që bashkë me tim shoq, të jemi një shembull i mirë për to.

Marrë nga Dita

1


Etiketa:

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas