Aktualitet

INTERVISTA – Pavlina, një libër kushtuar artistes








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:40 - 17/11/20 |
mapo.al

Një ndër aktoret më të njohura dhe të dashura për publikun shqiptar, Pavlina Mani, ka ardhur te lexuesit përmes monografisë “Pavlina…” shkruar nga Anila Dushi.


Lidhur me këtë botim të ri që i kushtohet një artisteje të përmasave të mëdha siç është Pavlina Mani, indiciet, vështirësitë, strukturën, impaktin e sidomos mesazhet që përçon kemi intervistuar autoren Anila Dushi.


Me një karrierë të gjatë në gazetari, veçanërisht në mediat e shkruara, vendosët të shkruanit një libër. Cili ishte motivi që ju shtyu dhe pse një monografi?
Vjen një moment kur e ndjen se duhet të bësh diçka ndryshe qoftë dhe duke sfiduar veten. Pas mbi 20 vitesh në mediat e shkruara, mendova se kishte ardhur koha për këtë. Zgjodha monografinë pasi është më afër gazetarisë dhe janë të shumta monografitë e shkruara nga gazetarë.



Sa e vështirë është të shkruash një monografi dhe pse zgjodhët Pavlina Manin?
Të shkruash një monografi është padyshim një sipërmarrje e vështirë pasi kërkon formimin e duhur, njohuri, hulumtime, intervista dhe më pas sistemimi i materialit të grumbulluar në bazë të strukturës e cila është e para por që gjatë rrugës mund të pësojë ndryshime pa prekur thelbin. Zgjodha Pavlina Manin së pari, arsye personale, pasi ka qenë gjithmonë aktorja ime e preferuar dhe së dyti, për faktin se ajo është një ndër aktoret më të dashura për shqiptarët në breza dhe si shumë aktorë të tjerë është lënë disi në harresë, dhe në rastin e Pavlinës ka ndikuar dhe fakti se ka 20 vite që ajo i mungon skenës shqiptare pasi jeton familjarisht në SHBA.


Jeni e kënaqur me zgjedhjen e bërë, keni ndonjë peng?
Plotësisht e kënaqur dhe e bindur se kam bërë zgjedhjen e duhur nisur nga zëri i arsyes por dhe ndjenjës, pasi siç e theksoja ka qenë aktorja ime idhull. Nuk kam asnjë peng pasi mendoj se ia kam arritur qëllimit, ndiej pak keqardhje që nuk janë pjesë e librit disa figura të tjera të artit shqiptar të cilat i kisha planifikuar të jenë por që për arsye të ndryshme nuk qe e mundur të përfshiheshin. Megjithatë libri ka të përfshirë 38 artistë të njohur nga të gjithë shqiptarët si dhe dy studiues të njohur edhe këta nga të gjithë.


Titulli i thjeshtë: “PAVLINA”, kopertinë domethënëse. Çfarë keni dashur të thoni me to?
Në monografi titujt lidhen kryesisht me emrin e personit për të cilin shkruhet. Ndërsa tre pikat pas, përputhen me kuptimin e tyre në gjuhën shqipe të shkruar, tregojnë vazhdimësinë e asaj që nuk është thënë pasi nisur dhe nga rrëfimet e të tjerëve, për Pavlina Manin dhe atë që ajo ka bërë në skenën e ekranin shqiptar në 30 vitet e të qenit aktive, mund të shkruhet pafundësisht. Ndonëse jam përpjekur maksimalisht të them gjithçka për Pavlinën, jam e bindur se për një artiste të tillë ka përsëri shumë e shumë për të thënë. Kopertina ka pranë fotos së Pavlinës godinën e Teatrit Kombëtar që tashmë nuk është më, dhe duhet të theksoj se kopertina ka qenë e realizuar grafikisht para se teatri të shembej.

Kjo pasi Pavlina Mani në këtë teatër ka gjithë karrierën e saj si aktore profesioniste, plot 30 vite dhe që në fillim isha e bindur se teatri do të ishte në kapertinë. Prishja e tij pak para se libri të dilte nga shtypshkronja, pasi pati vonesa për shkak të pandemisë, bëri që mesazhi të jetë më i gjerë dhe impakti më i madh. Jo pa qëllim në kopertinë sipër është hëna e shoqëruar dhe me yje, që ndriçon natën në qiellin e teatrit shqiptar pasi si teatri ashtu dhe Pavlina ndriçojnë në artin shqiptar. E thënë me fjalët e mia: Interpretimet e Pavlina Manit janë yllësi e përjetshme, figura e saj si artiste e jo vetëm është shëmbëlltyrë e së mrekullueshmes.

Cili është impakti që ky libër ka shkaktuar te ju, qoftë ky dhe personal?
Në jetën time profesionale, në dy profesionet që unë nuk i kam ndarë asnjëherë, atë të mësueses dhe gazetares, kam patur kënaqësi jo të pakta që më kanë motivuar. Ndoshta kompensim i mungesës së këtyre kënaqësive në jetën personale. Por shkrimi i librit ua kalon të gjitha kënaqësive. Ndihem e mbushur dhe emocionuar që arrita të realizoj një ëndërr, ëndërr të hershme të ruajtur në sirtar, që tashmë është bosh. Këtë mundësi ma dha Pavlina dhe të gjithë ata që u bënë pjesë e librit.

Fjala “FALEMINDERIT” për ta është e pakët. Komunikimi me Pavlinën , i cili vazhdon dhe tani pas përfundimit të librit, është një superkënaqësi që nuk e shpreh dot me fjalë pasi do ishin të pamjaftueshme. Marrëdhënie e krijuar me Pavlinën është gjëja më e mrekullueshme që më ka ndodhur profesionalisht dhe personalisht në 25 vitet e fundit. FALEMINDERIT PAVLINA!

Intervistoi: Ergys Kavaja


Etiketa: ,

Pas