Kryesore

Intervista për MAPO/ Aktivisti Genc Sejko: Pse besoj tek kauza e protestës














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:35 - 14/12/20 |
Nga Blerina Gjoka

Me shtëpinë në Londër dhe shpirtin në Tiranë, njeriu që ka bërë për vete mijëra ndjekës dhe jo pak armiq politikanë me memet e tij, në një rrëfim për aktivizmin, protestat dhe marrëdhënien me politikën






Në krye të protestës të dielën në darkë u pa aktivisti Genc Sejko, ose siç njihet “njeriu i memeve”, po ai thotë se vetëm shpëndan njoftimet e protestuesve për afro 30 mijë ndjekësit e tij dhe nuk është organizator i saj.  Sejko jeton prej 20 vitesh në Londër, ku ka ndërtuar familjen dhe biznesin e tij privat, që siç thotë “i paguan faturat për të udhëtuar në atdhe”.


Dhe udhëton shpesh këto dy vitet e fundit drejt Tiranës, fillimisht duke mbështetur protestën për mbrotjen e Teatrit Kombëtar dhe tani edhe për protestat e këtij dhjetori, që nisën pas vrasjes nga policia të një 25-vjeçarit Klodian Rasha. Edhe pse e ka prekur ëndrrën që ka sot pothuaj çdo i ri që rritet në këtë vend; që të largohet jashtë vendit, ai ka vendosur t’iu bashkohet atyre në protestë. Sejko thotë se shpirtin e investon për Shqipërinë me aq sa mundet dhe me atë që di të bëjë më mirë, memet plot ironi dhe sarkazëm për politikën dhe aktivizmin qytetar.







Por, nëse nuk ka asnjë arsye direkte personale çfarë e nxit atë për të protestuar? “Ndoshta e kam në ADN-në time”- qesh Sejko duke treguar me krenari që është pinjoll i një prej familjeve më të persekutuara të regjimit komunist.




Në familjen e tij numëron plot 5 të vrarë nga diktatura, ndër ta gjyshi i tij Tao Sejko dhe vëllai i të gjyshit, Teme Sejko bashkë me të birin Sokolin vetëm 20 vjeç. Gencit i pëlqen t’i kërkojë rrënjët edhe më larg, tek stërgjyshi Mehmet Sejko nga Filati i Çamërisë, që luftoi për bashkimin e trojeve shqiptare.



Shpirti i tij i lirë dhe talenti për memet; ku një fotomontazh dhe një fjali e vetme, mund të japin një mesazh të tërë, ka tërhequr vëmendjen e partive politike në vend, sidomos atyre opozitare. Sejko e pranon që ka pasur oferta nga parti politike për t’ju bashkuar në prag të zgjedhjeve, por ka refuzuar.

“Jam më i dobishëm për vendin si një aktivist se sa si politikan”, thotë ai, duke shfaqur një lloj mosbesimi për politikën dhe politikanët në vend. Ndaj dhe protestave u është bashkuar se beson tek organizimi i tyre spontan dhe fryma që i mban.

“Sot jam armiku i ‘Rilindjes”, po nesër do jem armiku i pushtetarëve të rinj”- thotë ai duke besuar që aktivizmi i tij i shërben vetëm nxitjes së reagimit qytetar dhe forcimit të njeriut ndaj pushtetit.

Z.Sejko çfarë ju lidh me protestat që po organizohen këto ditë në Tiranë, ju pamë mbrëmë që ishit në krye të tyre?
Nuk isha në krye, unë isha aty me ta, isha pjesë e tyre. Ajo që më lidh me to është përgjegjësia qytetare dhe nevoja për të qenë një qytetar i përgjegjshëm për këtë vend. Aktivizmi im nuk ka lidhje vetëm me një qeveri, por me këta qëe janë dhe ata që do të vijnë. Synimi është forcimi i qytetarit.

Ju keni ardhur nga Londra për të marrë pjesë në protesta?
Nuk kam ardhur nga Londra, protestat më gjetën këtu. Ajo që më lidh me protestën është ajo që më ka lidhur prej dy vitesh, ose dhe më shumë, po them 2 vjet sepse ka 2 vite që ka kauza për protesta. E kemi thënë dhe e kemi përsëritur, unë dhe shumë qytetarë të tjerë, që jemi të shqetësuar për atë që ndodh këtu dhe sa herë që ka një kauzë dhe ne e konsiderojmë si kauzë të drejtë ne e mbështesim atë, qoftë duke marrë pjesë vetë, ose kur nuk kemi mundësi, me mbështetje morale nga larg.

Nga memet në rrjetet sociale që ju bëni jeni shumë popullor dhe është krijuar ideja që ju jeni organizator i protestës së djeshme, edhe për faktin që dje nuk pati akte dhune ekstreme nga protestuesit…
Është krijuar ideja që unë isha pas atyre dhe nuk ka asnjë gjë të keqe me këtë. Fakti që nuk kishte dhunë është shumë pozitive, për tu përshëndetur. Fakti që nuk kishte dhunë nuk kishte lidhje me mua apo me protestuesit, por ka lidhje me faktin që niveli i provokimit nga disa elementë në polici nuk ishte si i 4 netëve më përpara. Në qoftë se një natë më herët turmat u afruan tek kryeministria u hodh ujë dhe gaz lotsjellës, mbrëmë ata pritën deri sa protestuesit shkuan tek Drejtoria e Policisë. Në asnjë moment nuk ka pasur nga ana e protestuesve tendencë për të dhunuar apo dëmtuar, qoftë policinë apo pronën publike, pronën private jo e jo.

Ju e patë në terren protestën dhe protestuesin, cili është prototipi i protestuesit, si i shikoni ju të rinjtë që s’kanë mbushur ende 18 vjeç, pse  dalin ata të protestojnë?
Ka një grupmoshë, që është diçka që varion nëse bëjmë një mesatare është moshë e adoleshencës 17-18 vjeç, ne ishim më të vjetrit aty. Janë të rinj, që në gjykimin tim, nuk e shohin veten të përfshirë në këtë shoqëri që është krijuar, ata nuk e shohin veten pjesë të kësaj shoqërie dhe ndaj revoltohen. Një grup moshë që nuk shohin asnjë të ardhme, arsimi është përtokë, punësim s’ka, shto kësaj dhe dhunën policore dhe ke një miks shumë të rrezikshëm. Shqetësimi tjetër është si t’i bëjmë këta fëmijë që ta shohin shtetin si aleat të tyre, që shteti të mendojë si t’i bëjë ata të ndihen që i takojnë këtij vendi. Shoh që shqetësohen njerëzit; pse thyejnë semaforët?! Shumica e tyre nuk jetojnë në qendër të Tiranës, vijnë nnga rrethinat. Pra kjo Tiranë nuk u përket atyre , ndaj duhet të gjejmë një mënyrë se si kjo Tiranë dhe kjo Shqipëri t’u përkasë dhe atyre. Është ky miti që është krijuar që ky qyteti po transformohet kaq shumë dhe po të shkosh pak më tej në rrethina do shohësh që ajo Tirana e rrjeteve sociale të pushtetit nuk ekziston.

Lexo edhe :  Del VIDEO/Si u ekzekutuan në atentatin e Astirit Erigers Mihasi dhe shoku i tij

Çfarë ka të mirë kjo protestë dhe çfarë i mungon kësaj proteste sipas jush?
E mira e kësaj është se udhëhiqet dhe ka në shumicën e saj njerëz të rinj, përgjithësisht të rinj. Kjo është e mirë sepse tregon edhe pse të rinj janë të përgjegjshëm dhe luftojnë për ta ndryshuar këtë situatë që është krijuar. Kjo bën që të kemi një grup  qytetarësh aktivistë dhe njerëz që janë gati të marrin mbi shpatullat e tyre të njoma, nuk po themi fatet e vendit, por interesat në një farë mënyre. Pra, bën që të kemi një shoqëri që do t’i mbrojë nesër, pasnesër, interesat e shoqërisë. E keqja, nuk mund të them e keqja, por do të doja që të kishte më shumë mbështetje nga grupmosha si e jona ndoshta dhe më të mëdha, do të doja të kishte mbështetje, sepse mungon komplet, e organizatave që marrin fonde qoftë nga qeveria apo organizata të tjera të huaja, për të mbrojtur fiks interesat e këtyre qytetarëve që po shtypen. Jam i sigurt që ka plot OJQ të ndryshme që paguhen dhe paguhen mirë për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve, të cilët duhet të jenë aty fizikisht, dhe jo vetëm për të dërguar një letër qeverisë apo pushtetit.

Kryeministri Rama akuzon se është opozita pas këtyre protestave, nxitjes të të rinjve, ju rezulton kështu në terren, mendoni se është opozita pas?
Nuk më rezulton që të jetë e tillë, thjesht për arsyen se e para e punës e shoh që ata që tentojnë të vijnë në pushtet nuk kanë interes fuqizimin e qytetarit. Opozita është kandidate për të ardh në pushtet në pak muaj. Forcimi i qytetarit i intereson vetëm qytetarit. Çdo lloj politike, çdo lloj politikani, kur tenton të vijë në pushtet do një qytetar të dobët, kërkon një qytetar të nënshtruar. Kjo ndodh në të gjithë botën, nuk është thjesht vetëm në Shqipëri. Prandaj unë nuk e shoh dhe nuk e ndjej prezencën e tyre. Do doja të kishte më shumë prezencë, të zhvisheshin nga kostumi i politikanit dhe të ishin në shesh, po ja që nuk është e tillë. Ata që, në rastin konkret zoti Rama, që i mëshon kësaj ideje mundohet të justifikojë atë që po ndodh në shesh dhe në gjithë Shqipërinë. Protesta ka kudo, në Shkodër, Lushnje, Fier…edhe në Vlorë 4 veta ishin, por nuk ka rëndësi sa veta dalin, ka rëndësi fryma. Pra, protesta ka në të gjithë Shqipërinë dhe nuk besoj se ka nuanca politike. Largimi i atyre që janë përgjegjës nuk është politik. Largimi i drejtorit të Policisë së Shtetit nuk është politik. Besoj se ka elemente të mjaftueshme në policinë e shtetit për të zëvendësuar Ardi Veliun. Të kërkosh një reformë të thellë në Policinë e Shtetit nuk është politike. Të kërkosh të ndalohet dhuna dhe që Policia e Shtetit të operojë në konture ligjore nuk është politike. Këto janë komplet të realizueshme dhe nuk e kuptoj pse zoti Rama heziton.

Z.Sejko ju jeni shumë aktiv, a keni pasur oferta nga politika për t’u përfshirë në politikë dhe a do pranoni nëse do të keni?
Kam pasur oferta për t’u përfshirë në politikë. Jam njeri i keqkuptimeve ndonjëherë dhe është krijuar ideja që këtë aktivizëm e bëj për të hyrë në politikë. Jam shumë larg politikës. Dhe pse më kanë ardhur oferta i kam refuzuar sepse besoj fort se Genci si aktivist  shërben më shumë sesa Genci në politikë. Besoj dhe këtë tjetrën, se Genci në politikë do të vriste Gencin aktivist dhe Shqipëria ka më shumë nevojë për aktivizëm sesa për politikanë.

1


Etiketa: , , ,

Pas