Aktualitet

Intervista/ Piketty: Pandemia 2020 e rrëzoi ligjërimin ‘laissez-faire’





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:42 - 08/04/20 |
mapo.al

Libri “Kapitali në Shekullin Njëzet e Një” i Thomas Piketty, botuar në vitin 2013 krijoi një furi akademike. Në atë libër autori bënte një shpjegim specifik për pabarazinë në rritje, duke u mbështetur në një sasi të madhe provash historike dhe statistikore që nga shekulli 18-tëe në vijim.


Shkalla e kthimit të pasurisë së trashëguar në një ekonomi, argumentonte ai, gjithmonë do të rritet më shpejt sesa të ardhurat që fitohen përmes punës. Rritja e pabarazisë bëhet kështu pjesë e natyrës së kapitalizmit dhe mund të kontrollohet vetëm përmes ndërhyrjeve të shtetit.


Shtatë vjet më vonë, Piketty është rikthyer me një libër edhe më të madh dhe më ambicioz, “Kapitali dhe Ideologjia”, i cili argumenton se pabarazia është e rrënjosur në ideologji. Ai thotë se pabarazia nuk është e natyrshme dhe se ajo mund të përballet dhe të riformatohet përmes një mobilizimi politik dhe social.


Libri i ri kalon fokusin e ngushtë gjeografik të librit të parë dhe ofron një histori globale se si sisteme të ndryshme politike justifikojnë pabarazinë. Autori parashtron në libër propozime të politikave, të tilla si ndarja më e drejtë e pushtetit dhe pasurisë nëpër kompani, një taksë progresive të pasurisë, një plan të përkohshëm të pronësisë dhe zgjidhje të tjeta të ndryshme për ta bërë shoqërinë perëndimore më demokratike. —Daniel Steinmetz-Jenkins.


Suksesi i “Kapitalit në Shekullin XXI” ju zuri në befasi. Tani ju keni shkruar “Kapitali dhe Ideologjia”. Keni qenë nën presion për të përmbushur pritjet e përcaktuara nga puna e mëparshme?

Unë besoj se ky libër është shumë më i pasur dhe shumë më interesant se ai i mëparshmi. ‘Kapitali në Shekullin Njëzet e Një’ ka shumë kufizime. Është shumë i përqendruar në perëndim. Për më tepër, ai tenton të trajtojë ideologjinë dhe qëndrimet politike ndaj barazisë dhe pabarazisë në një lloj kutie të zezë. Në ‘Kapitali dhe Ideologjia’, unë përpiqem ti heq këto dy kufizime duke marrë një perspektivë më globale mbi evolucionin e strukturave të pabarazisë – në Indi, Brazil, Afrikë e Jugut, Kinë, Rusi, etj. — Dhe duke u kushtuar vëmendje shoqërive koloniale dhe trashëgimisë moderne të skllavërisë dhe kolonializmit.

Unë gjithashtu përqendrohem në historinë e sistemeve të ndryshme për justifikimin e pabarazisë. Duke parë një gamë më të gjerë të përvojave historike dhe trajektoreve, del një përfundim më i saktë. Përcaktuesit e pabarazisë janë kryesisht politikë dhe ideologjikë e jo thjeshtë ekonomikë, teknologjikë ose kulturorë.

Gjatë historisë, unë zbuloj se mobilizimet sociopolitike mund të riformojnë organizimin e shoqërive dhe strukturave të pabarazisë shumë më shpejt sesa ato që priret të imagjinojë shumica e vëzhguesve bashkëkohorë. Në veçanti, elitat shpesh kanë tendencë të natyralizojnë pabarazinë, d.m.th., të paraqesin strukturën ekzistuese dhe nivelin e pabarazisë aktuale si diçka natyrore dhe të përhershme. Por kjo nuk është aspak në përputhje me atë që na tregon historia.

Ju nuk ju pëlqen termi “populizëm”. Pse kështu?

Problemi është se termi është përdorur për t’iu referuar gjërave krejtësisht të ndryshme. Disa njerëz e përdorin atë për t’iu referuar edhe Donald Trumpit edhe Bernie Sanders në SHBA ose Jair Bolsonaro dhe Luiz Inácio Lula da Silva në Brazil ose Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon në Francë.

Shumë shpesh, përdoret si një shënjues i përshtatshëm retorik nga njerëz që pretendojnë se janë në qendër — por në praktikë shpesh janë neoliberalë ekstremistë – për të skualifikuar cilindo që nuk pajtohet me ta dhe që arrin të tërheqë votuesit socio-ekonomikë të klasave të ulëta, gjë që e ul stekën poshtë.

Kur flas për Trump dhe Sanders, Bolsonaro dhe Lula, Le Pen dhe Mélenchon, preferoj të flas për nacionalizmin kundrejt socializmit. Qëllimi i hetimit tim historik është të përpiqem të jap përgjigje sa më të saktë për këto ide dhe të analizoi se si ato evoluojnë me kalimin e kohës. Çështja është se ‘nacionalizëm’ dhe ‘socializëm’ duket se janë terma më të dobishëm sesa ‘populizëm’.

Ju sugjeroni në libër se e majta është mbizotëruar nga një elitë e arsimuar që mbron diversitetin kulturor. Rivali i saj kryesor, është e djathta tregtare që mbron tregun e lirë. Ju argumentoni se as e majta arsimin elitare dhe as e djathta tregtare, nuk i kanë mundur partitë ‘sovraniste’. A mendoni një se koalicion nga e majta elitare dhe e djathta tregtare duhet për të përballuar lëvizjet e reja nacionaliste?

E majta (elitare) mund të mos ofrojë shumë për rishpërndarjen dhe politikat sociale, por ajo është më e mirë sesa e djathta tregtare, veçanërisht duke pasur parasysh që kjo e fundit është bërë gjithnjë e më shumë ksenofobe, siç ilustrohet nga Trump.

Mundësia e një koalicioni midis segmenteve më të pasura dhe internacionaliste të së majtës dhe të djathtës tregtare korrespondon me strategjinë e ndjekur nga Macron në Francë. Problemi është se ky koalicion i elitave ka peshë të kufizuar tek votuesit e klasës së ulët dhe të klasës së mesme të ulët dhe mund të humbasë betejën kundër koalicionit social-nacional.

Problemi i përgjithshëm me të cilin përballemi është ky: Nëse nuk hapim këndvështrime të reja për sa i përket përparimit shoqëror dhe drejtësisë ekonomike dhe nëse centritistët neoliberalë vazhdojnë të pretendojnë se ekziston vetëm një politikë e mundshme ekonomike – që në thelb sjell përfitimin e më të pasurve – rrezikojmë që diskutimi politik të krijojë gjithnjë e më shumë terren fitues për nacionalistët dhe sovranistët.

Ju keni sjell ide se si të kapërcehet rritja e proteksionizmit, siç është ndarja e pushtetit në firma, një taksë progresive e pasurisë dhe bërja e Bashkimit Evropian më demokratik. Sa rol kanë politika dhe lëvizjet shoqërore për ndryshimin e shoqërive?

Ndryshimi i vërtetë gjithmonë duhet të vijë nga politika dhe lëvizjet shoqërore. Unë në libër jam përpjekur të hedh në një këndvështrim të gjerë historik dhe krahasues në një numër evolucionesh që tashmë kanë filluar të ndodhin. Taksa progresive e pasurisë tani po propozohet nga një numër i kandidatëve demokratë në SHBA, dhe socialdemokratët gjermanë gjithashtu propozojnë ta ri-futin atë.

Gjërat kanë ndryshuar në vetëm 5 ose 10 vjet. Në të gjithë botën, ne shohim lëvizje sociale për më shumë drejtësi ekonomike, dhe gjithashtu shohim nevojën për të rimenduar organizimin e globalizmit ekonomik në mënyrë që të adresohen ndryshimet sociale dhe mjedisore. Në librin tim, unë propozoj konceptet e socializmit pjesëmarrës dhe federalizmit social për të përshkruar këto transformime dhe për të ofruar një këndvështrim mbi to.

Socializmi pjesëmarrës mbështetet në dy shtylla kryesore: drejtësi arsimore dhe qarkullim i përhershëm i pasurisë. Qarkullimi i përhershëm i pasurisë kërkon një skemë trashëgimie për të gjithë, më shumë të drejta votimi për punëtorët, dhe një kufizim të përqendrimit të të drejtave të votimit për aksionarët e vetëm në ndërmarrje të mëdha. Ideja themelore e federalizmit social është që marrëdhëniet socio-ekonomike midis vendeve duhet të jenë objekt i detyrimeve lidhur me drejtësinë sociale, fiskale dhe mjedisin.

Me fjalë të tjera, ju nuk mund të keni fluks të lirë të kapitalit dhe shkëmbim të lirë të mallrave dhe shërbimeve nëse nuk keni një sistem të përbashkët dhe të verifikueshëm të objektivave sociale (paga minimale, të drejtat e punës, etj.), drejtësi fiskale (një taksë minimale e përbashkët për kompanitë e mëdha shumëkombëshe), dhe mbrojtja e mjedisit (objektiva të verifikueshëm për emetimet e karbonit).

Covid-19 e kapi në befasi të plotë botën dhe pasojat e pandemisë po çojnë në një krizë globale. Çfarë duhet bërë për ta adresuar si duhet këtë situatë?

Kjo krizë është periudha kur konceptet ekzistuese për ekonominë po sfidohen dhe kur trajektore të reja politiko-ideologjike mund të lindin. Covid-19 ilustron faktin që autoritetet publike mund të zgjedhin të rregullojnë forcat ekonomike nëse dëshirojnë. Pyetja është nëse ne do të jemi në gjendje të veprojmë fuqimisht për të adresuar ngrohjen globale ose pabarazinë në rritje.

Së bashku me shpëtimin e bankave për vitet 2008-12, kriza shëndetësore e vitit 2020 do të sfidojë ligjërimet afatgjata për laissez-faire dhe do të ushqejë kërkesën sociale për ndërhyrje të tjera. Tani për tani, e vetmja çështje është mbijetesa. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të shmangur një rritje të tmerrshme të numrit të viktimave. /The Nation

/Përktheu: Mapo.al/


Etiketa: ,

Pas