Lóránt Balla: 2018 pritet të sjellë intensifikim të marrëdhënieve tona. Protestat normale, të presim mbledhjen e Parlamentit hungarez më 7 maj për të mësuar më shumë. E kuptueshme që njerëzit mbase nuk janë të kënaqur me rezultatet por rezultatet janë atje. Fitorja tregon një shumicë dërrmuese
Nga Rudina Hoxha
Me ardhjen e sezonit veror këtë vit, një charter hungarez do të sjellë rreth 200 turistë hungarezë për çdo rrugë në brigjet e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Pra, bregdeti shqiptar ka filluar të bëhet shumë tërheqës për turistët hungarezë. Ndërkohë që po mendojmë edhe për një investim për të ngritur një hotel me 5 yje në bregdetin shqiptar. Këtë e konfirmon Ambasadori hungarez në Shqipëri, Z. Lóránt Balla, në një intervistë ekskluzive me gazetën MAPO.
Sipas diplomatit hungarez, të dy vendet duhet të presin të reja këtë vit nga bashkëpunimi dypalësh. Vitin e shkuar eksport/importi midis Shqipërisë dhe Hungarisë shënoi 110 milionë euro dhe ky tregues po shënon rritje. “Çështja e ujësjellësve apo ujërave të zeza ka mjaft perspektivë. Për momentin po punojmë me Tiranën. Në lëmin e bujqësisë, Shqipëria mund t’i ofrojë Hungarisë produkte të mira”, -tha Z. Balla. Gjithashtu Ambasadori analizon zgjedhjet e fundit në Hungari të cilat do të çojnë në një qeveri të re pas 7 majit.
Si mendoni se do të ndikojë fitorja e Z. Viktor Orban për here të tretë të zgjedhjeve në Hungari në aspektin e perspektivës europiane si edhe nga pikëpamja ekonomike dhe politike e këtij vendi?
Sipas mendimit tim është diçka e rrallë në një demokraci që një parti, një politikan fiton 2/3 e votave për herën e tretë. Pjesëmarrja në votime ka qenë 70 për qind që është mjaft e lartë. Pra, qeveria e ardhshme duket se do të ketë një mandat të fortë. Kjo do të ndikojë në stabilitetin politik të vendit por edhe në atë ekonomik. Kështu tregojnë shenjat e para pas zgjedhjeve.
Opozita ka qenë e fragmentarizuar. Mbetet edhe tani. Katër parti hyjnë në Parlament përveç FIDESZ. Ç’të them më, është diçka që flet vetë… Domethënë votuesit hungarezë kanë votuar për një farë sovraniteti të vendit të tyre dhe shpresojmë që do të mbajnë këtë linjë.
Nga ana ekonomike, mund të them se rritja ekonomike vitin e shkuar shënoi mbi 3 për qind. Ne jemi një vend që zhvillon një tregti të dendur me vendet e tjera të botës. Eksporti hungarez shënoi vitin e shkuar 100 miliard euro dhe një shifër e tillë është hera e parë që arrihet. Është një fakt që flet vetë.
Nga pikëpamja europiane, kam përmendur sovranitetin. Hungarezët kanë votuar për sovranitetin e tyre. Në Europë, ndoshta ka pikëpamje të tjera. Ka përpjekje për të krijuar një farë “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Votuesit hungarezë janë kundër kësaj ideje. Edhe qeveria hungareze nuk e mbështet këtë ide.
Gjithashtu migrimi ilegal pati një ndikim te votuesit. Sipas nesh, ai është një fenomen i rrezikshëm që mund të sjellë edhe terrorizmin. Në dy vitet e fundit, në Europën Perëndimore kemi parë 28 akte terroriste me më shumë se 300 të vdekur dhe mbi 1300 të lënduar. Këto akte terroriste lidhen me njerëz që infiltruan nëpërmjet migrimit ilegal.
Si do t’i komentonit protestat e fundit të hungarezëve?
Është shumë e qartë se në gati 30 vitet e fundit pas rrëzimit të regjimit komunist në Hungari, nuk ka ngjarë kurrë që një qeveri në fuqi të mos përfundojë mandatin e saj 4-vjeçar. Një javë pas zgjedhjeve që të shkosh në rrugë dhe të demonstrosh është diçka demokratike. Nuk e shoh kuptimin e një gjëje të tillë. Që nga e majta radikale deri tek e djathta. Njerëzit ishin atje. Nuk është paraqitur ndonjë program prej tyre. E kuptueshme që njerëzit mbase nuk janë të kënaqur me rezultatet por rezultatet janë atje. Fitorja tregon një shumicë dërrmuese. Sistemi ynë i zgjedhjeve është si i shumë shteteve të tjera, nuk është një model ndryshe. Mund të protestojnë por të shohim se çfarë kërkojnë. Parlamenti mblidhet më 7 maj dhe të shohim se çfarë do të kërkojnë partitë opozitare.
A do të kenë këto zgjedhje një farë ndikimi te V4?
Në këtë moment, Hungaria mban presidencën e V4 deri në fund të qershorit. V4 është një grup 27 vjeçar. Ky grupim është më i fortë se kurrë. Katër vendet e Vishegradit ndoshta kanë edhe ide dhe interesa të ndryshme. Por kemi më shumë interesa të përbashkëta. Kemi një kulturë që na bashkon. Edhe ekonomia na bashkon. Ka pasur dëshira edhe nga vende të tjera që t’i bashkohen këtij grupi por vendet e V4 kanë vendosur që të mos lejojnë zgjerimin e saj. Megjithatë Hungaria e sheh që V4 mund të ketë një ndikim global në një farë mënyre. Domethënë mund të kemi takime të niveleve të larta që nga Australia e Japonia, vendet e Partneritetit Lindor (Eastern Partnership) por edhe me Ballkanin Perëndimor. Domethënë një interes i përbashkët është që të ndihmojmë në integrimin Europian të Ballkanit Perëndimor. Ndoshta është edhe një interes i përbashkët i vendeve të Vishegradit që të mos i japin më shumë fuqi Brukselit, d.m.th. Komisionit Europian dhe të ndalojnë migrimin ilegal.
Çfarë synimi keni në postin e Ambasadorit të Hungarisë në Shqipëri?
Si Ambasador në Shqipëri jam për herë të parë. Por në vendin tuaj kam shërbyer si zëvendësambasador në vitet ‘90. Zhvillimi i Shqipërisë është fantastik sidomos nga pikëpamja e infrastrukturës, ndërtimeve të reja. Besoj se edhe njerëzit kanë një mentalitet të hapur, të qytetëruar, të kulturuar. Unë erdha këtu të vazhdoj linjën që kishim më përpara, domethënë, ne kemi lidhje të mira historike që nga Gjergj Kastrioti Skënderbe e János Hunyadi deri te Mbretëresha Geraldina e të tjera figura të mëdha. Pra, një nga detyrat e mia është që të mbaj nivelin miqësor të lidhjeve politike. Diçka tjetër është që të forcojmë lidhjet ekonomike midis dy vendeve tona. Ne kemi arritur diçka që nuk e kemi patur më parë: vitin e shkuar eksport/importi midis Shqipërisë dhe Hungarisë shënoi 110 milion euro. Ky tregues është në rritje. Ambasada ka një atashe ekonomik që përgjigjet për këtë aspekt. Dhe ne të gjithë punojmë bashkë për këtë qëllim.
Edhe nga ana kulturore, kemi shumë për të bërë. Javën e shkuar përfunduam Javën e Filmit të Vishegradit. Vitin e ardhshëm do të organizojmë një sezon kulturor hungarez.
Gjatë 2018, presim një vrull nga të dyja palët.
A kanë dy vendet tona një projekt të përbashkët konkret në fushën e turizmit?
Është një fakt që tani kemi Wizzair, tre herë në javë. Avionët janë plot megjithëse sezoni nuk ka nisur ende. Por do të kemi edhe një charter hungarez këtë vit që do të sjellë rreth 200 turistë hungarezë për çdo rrugë në brigjet e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Pra, bregdeti shqiptar ka filluar të bëhet shumë tërheqës për turistët hungarezë.
Javën e shkuar u takova me Ministrin Shqiptar të Turizmit, Z. Blendi Klosi. E informova atë për këtë arritje. Dhe theksova se përveç bregdetit, Shqipëria ka shumë për të ofruar si për shembull Berati, Butrinti, Gjirokastra si qytete të përfshira në listën e Ëorld Heritage. Gjithashtu edhe malet e Shqipërisë nuk janë shumë larg dhe ka shumë turistë hungarezë që preferojnë edhe malet më shumë se sa detin. Kam përshtypjen se me hapjen e disa shtigjeve në këto male ashtu si në Austri, Sllovaki, Gjermani apo vende të tjera, kërkesat për Shqipërinë do të jenë edhe më të mëdha. Kjo është një anë.
Por ana tjetër është që shqiptarët të vijnë në Hungari, jo vetëm të vizitojnë Budapestin por edhe SPA-të e mrekullueshme hungareze që nuk i gjejnë në Shqipëri. Ndërsa këtu mund të bjerë shi, ju mund të provoni ujërat e ngrohta me vlera kurative në vendin tonë. Më pas, mund të provoni një gulash të mirë hungarez (qesh).