Kryesore

INTERVISTA/ Simon Mirakaj: Hiqini retë e dosjeve të sigurimit, politika duhet të pastrohet






               Publikuar në : 09:24 - 01/02/19 |
mapo.al

I lindur në internim dhe i dënuar në moshën 10-vjeçare nga regjimi komunist, Simon Mirakaj gjendet sot në krye të Autoritetit të Dosjeve, i votuar nga Parlamenti. Në një intervistë për gazetën MAPO, Mirakaj thotë që personat me të shkuar të errët të largohen nga institucionet.


Nga Blerina Gjoka

74-vjeçari Simon Mirakaj është ulur në një dhomë mobiluar në stilin e kohës komuniste. I veshur me një kostum blu ai pret të takohet me një grup nxënësish të moshës 14-15 vjeçare. Mirakaj, ka kaluar 44 vitet e para të jetës së tij si i dënuar e internuar nga regjimi komunist për arsye politike.

I ftuar nga drejtoresha e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” Etleva Demollari për të treguar historinë e tij si ish- i përndjekur politik në komunizëm në kuadër të projektit: “Kujtojmë për të mos harruar”, Mirakaj ishte dhe pak në ankth se si do t’ua tregonte historinë aq tragjike të familjes së tij një brezi që ka lindur në demokraci dhe njohuritë i kanë të përcipta ose në rastin më të keq të gabuara. “Unë kam lindur praktikisht në burg, pasi mamaja ime ishte dënuar kur ishte 7 muajsh shtatzënë me mua dhe ndodhej në burg në Shkodër. Kur isha vetëm një muajsh mora rrugën e internimit për në Berat, më pas në kampin e Tepelenës. E kam dëgjuar mamanë time të thotë; Falënderoj Zotin që fëmijët i nxora gjallë nga Tepelena, sepse atje vdiqën 300 fëmijë”. Fjalia e fundit është tronditëse për të rinjtë dhe për atë vetë, pasi përlotet. Më pas ai i jep një kthesë të fortë rrëfimit: “Por njeriu gjen forcë. Në ato kohë të errëta kishte dhe ditë të lumtura. Për mua një kohë e lumtur ka qenë koha e shkollës. Udhëtoja 4 km çdo ditë për të shkuar në shkollë, por leximi i librave ishte gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë”. Në intervistën për gazetën Mapo, pas atij takimi me të rinjtë në “Shtëpinë me Gjethe”, Mirakaj, anëtar i Autoritetit të Dosjeve, i votuar nga Parlamenti, nisur edhe nga rasti i fundit i prokurorit Bujar Sheshi pranon se përballja me të shkuarën nuk është e bukur, por është e domosdoshme.

Zoti Mirakaj çfarë ndjeni kur hyni në këtë ndërtesë? A kishit menduar, se një ditë do të ishit në këtë pozicion si sot?

Ka shumë emocione, janë emocione të forta, por fillojnë e zvogëlohen kur iu përcjellim të rinjve mesazhe që duhen përcjellë për të mos harruar të shkuarën. Siç ka thënë At Zef Pëllumbi, ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm. Edhe të rinjtë që po rriten në demokraci kanë nevojë të dinë se çfarë ka ndodh në Shqipëri. Rrëfimet tona nuk kanë qëllim me tregu se unë kam vujtur e të thonë ata “oh i shkreti ai”. Qëllimi ynë është me thanë se kam vujt nga padrejtësia dhe kjo padrejtësi të mos ndodhë më, ajo histori tragjike të mos përsëritet më, pavarësisht emocioneve që të shkakton rrëfimi. E komplimentoj Etlevën që ka hapur dyert për të rinjtë dhe na sjell ne këtu që rrëfejmë për jetën tonë. Por Ministria e Arsimit duhet të ketë një strategji për këtë punë, është e domosdoshme që këto të futen në kurrikulume. Të dihet historia e vërtetë, pa ekzagjerime. Realiteti është se diktatura është diktaturë. Ajo është dhunë. Në diktaturë nuk dënohet veprimi, por dënohet mendimi. Kjo shkakton tragjedi, jo vetëm individit që e dënon apo internon padrejtësisht, por i shkakton padrejtësi familjes së tij e trashëgimtarëve të tij. Janë plagë që edhe sot janë të pashërueshme.

A keni parë dosjen e represionit ndaj jush? Çfarë të ka tronditur më shumë?

Për fat të keq dosja ime fillon me internimin e familjes në vitin 1945 dhe pastaj janë ligjet e dënimeve. Ajo që më bëri përshtypje është dënimi im me ligj në moshën 10 vjeç. Ajo që më tronditi është dokumenti kur thotë; të mblidhet komisioni i dënimeve, ku janë këta gjeneralët e famshëm, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, e të tjerë. U mblodh komisioni, thotë, dhe në bazë të këtij ligji dënohet për rrezikshmëri shoqërore në moshën 10 vjeç. Pra, janë gjëra që sot mendja nuk i kap dot, por janë dokumentet e arkivës së Ministrisë së Brendshme që e vërtetojnë. Pastaj i shikoja dënimet që na jepeshin ne, nga 5 e nga 5 vjet dhe kur i mblodha ato, dolën 45 vjet. 45 vjet pa bërë asnjë krim. E sheh veten të dënuar përjetësisht. Mbaj mend që kishim bërë në gjimnaz se ajo që plagosi Leninin u dënua me 40 vjet burg dhe u lirua, ndërsa ne pa plagosur asnjë mizë, ia kaluam me 4 vjet asaj. Dosjet e sigurimit të shtetit ne nuk i kemi gjet, janë disa individë që kanë qenë në kampe e burgje që nuk i kanë gjetur dosjet e tyre të përndjekjes.

Shumë dosje u shkatërruam në momentet e rënies së regjimit komunist. Çfarë dëmi ka shkaktuar asgjësimi i tyre? A mund të rikuperohet

Është e vërtetë. Është një dëm i parikuperueshëm. Marrim rastin e bashkëpunëtorëve të sigurimit për shembull, ata figurojnë si bashkëpunëtorë, por i është zhdukur dosja e aktivitetit të tij.

Në Gjermani kemi shkuar dhe na treguan se në momentin që po ndodhnin ndryshimet, STAS-i u mundua t’i dëmtonte letrat, por iu turr populli e nuk i lanë. Ne nuk e bëmë këtë, se diktatura te ne ka qenë jashtëzakonisht e egër dhe ka një diferencë të madhe me komunizmin në Gjermani apo Çeki. Atje mund të jetë një individ i dënuar me 20 vjet burg, kurse këtu ka njerëz që kanë bërë nga 30 vjet burg. Janë dënuar e ridënuar në burg për agjitacion e propagandë. Të vërtetën dhe të bukurën diktatura nuk i do. Për fat të keq. Është bërë një hulumtim që në vitin 1992 për këtë gjë. Është gjetur urdhri që ka dhënë në mos gaboj ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, degëve të brendshme në rrethe, që të zhduknin dokumentet.

A vijnë shumë njerëz tek autoriteti i dosjeve për të parë dosjet e tyre të përndjekjes. Sa tronditëse janë dëshmitë, çfarë gjejnë njerëzit kur vijnë atje?

Sigurisht që nuk kanë ndonjë sadisfaksion kur hapin dosjet. Ata e kanë kaluar periudhën e internimit e të burgut, shpirti i tyre e di si e kanë kaluar, por dosjet e sigurimit janë dosjet e operativit që ka bashkëpunuar me bashkëpunëtorë të tjerë, që i kanë përgatit atë akuzën mbi të cilën është dënuar.

Ndodh shpesh që këta bashkëpunëtore janë të afërm, familjarë?

Ka raste, sepse ka patur operativë që kanë patur akses te familja. Por shumica e të burgosurve i kanë ditur dëshmitarët me intuitë. Tashmë jetojmë në Shqipëri dhe nuk dimë që ka ndodhur ndonjë incident, as me dëshmitarët, madje as me operativët. Ata dhe unë kemi prit që drejtësia ta thotë fjalën e vet. Hakmarrja nuk është gjë e mirë.

-Së fundi Autoriteti i hapjes së dosjeve u bë pjesë e debatit për pastërtinë e figurës së prokurorit Bujar Sheshi. Pse u transferua debati te ju?

Po, ne jemi që japim përgjigje si institucion. Individët vijnë për të parë nëse janë ndjek nga sigurimi i shtetit, ndërsa institucionet bëjnë kërkesat e tyre për të verifikuar pastërtinë e figurave kur i emërojnë apo kur janë në detyrë. Në rastin konkret, Prokuroria e Përgjithshme solli kërkesën për personin në fjalë dhe ne i dhamë përgjigjen referuar dokumenteve që kemi. Ne sigurojmë dokumente të hartuar nga Sigurimi i Shtetit nga viti 1944 deri në korrik 1991.

A është e vonuar kjo nismë?

Ka patur herë pas here përpjekje. Në vitin 1995 ka patur një komision dhe në vitin 2001 ka qenë një tjetër komision dhe besoj se është hera e tretë. Uroj të jetë hera e vërtetë për ta mbyllur këtë histori pasi ka mjaft institucione që kërkojnë nga ne verifikim për emërimet. Por ka një defekt ligji, sepse nuk është imponues, sepse deputetët nuk e kanë detyrim që të vijnë për pastërtinë e figurës. Kanë ardhur deputetë me dëshirën e tyre, ka patur dy parti që nuk janë parlamentare, që kanë kërkuar verifikim për kandidatët. Kanë ardhur individë të partive kryesore që kërkojnë verifikim. Shpresojmë që të kemi një parlament sa më të pastër, sa më dinjitoz e të mbyllen këto akuza e të mos qëndrojë çështja e dosjeve si një re e zezë.


Etiketa: , , , , , ,

Pas