Kreu i PAA, Agron Duka dhe ai i PDK Nard Ndoka në një intervistë për MAPO flasin për negociatat që kanë zhvilluar me PD: Kryetarët e partive do jenë në listat e sigurta.
Partia Demokratike ka hyrë në një proces intensiv negociatash me aleatët për mënyrën e daljes në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit, e kushtëzuar kjo dhe nga ndryshimet që mazhoranca i bëri Kodit Zgjedhor. Në intervistat e tyre për MAPO, kreu i PAA Agron Duka dhe ai i PDK-së Nard Ndoka shprehen se është përmbyllur faza paraprake e këtyre negociatave, çka është e sigurt se krerët e partive do jenë në listat e sigurta. MAPO pyeti dhe kreun e PR Fatmir Mediu i cili u shpreh se është ende në fazë negociatash me kreun e PD Lulzim Basha. Për aleatët e PD-së, mënyra më e mirë e daljes në zgjedhje është ajo me dy lista, ku LSI të garojë më vete dhe PD me aleatët me një listë më vete. Natyrisht, te PD do futen aleatët strategjikë të saj, siç janë PR, PAA, PDK, PBDNJ apo ndonjë tjetër. Gjithsesi aleatët, siç shprehen dhe ata vetë nuk do kenë kandidatë në të gjitha qarqet, dhe jo të gjithë kandidatët e tyre do jenë në lista të sigurta.
*****
Agron Duka: Ekuilibrat na detyrojnë të cedojmë të gjithë diçka
Zoti Duka, si kryetar i PAA-së ju keni nisur negociatat me aleaten kryesore të opozitës PD-në për dalë në një koalicion të përbashkët në zgjedhjet e reja. Në ç’fazë janë bisedimet? A keni arritur një marrëveshje për listë të përbashkët?
Fazën paraprake të bisedimeve e kemi mbyllur, duke arritur një dakordësi mbi një mandat në pozicion fitues për PAA-në, si dhe do të kemi gjithashtu disa kandidatë, të tjerë për të cilët do të rakordojmë në ditët në vijim, në pozicione që nuk konsiderohen fituese. Megjithatë do të kenë mundësinë teorike të thyejnë konceptin që është ndërtuar mbi dallimin midis listës fituese dhe jo. Natyrisht kjo nuk është marrëveshja më e mirë për PAA-në, por në rrethanat politike të krijuara, ekuilibri i përgjithshëm brenda kampit opozitar, na detyron të cedojmë të gjithë diçka.
Cilat parti të tjera aleate do të jenë në koalicion me PD-në? Do të jenë vetëm kryetarët në listën e sigurt fituese apo do të ketë më shumë kandidatë nga aleatët?
Besoj se marrëveshja e arritur me PAA-në do të jetë modeli mbi të cilin do të bazohen edhe me aleatët tradicional të Partisë Demokratike.
A është e hapur PD-ja për t’ju dhënë aleatëve peshën që kërkojnë në listën e koalicionit?
Të gjitha vendimet që po merren në këto momente janë të vështira, si nga ana jonë, që po cedojmë nga përfaqësimi, si nga ana e PD-së e cila duhet të akomodojë kërkesat e aleatëve. Personalisht nuk besoj se është çështje vullneti për të qenë e hapur apo jo, por çështje ekuilibri për të gjetur formulën më të mirë, e cila na siguron fitoren e zgjedhjeve dhe kthimin e vendit në normalitet. Nëse ka vend për pakënaqësi, jam i pari që mund të kem të tilla, jo të bazuar mbi ndjeshmëri personale, por mbi punën që ne si PAA kemi bërë ndër vite. Por ky është momenti në të cilin interesi i përbashkët duhet të sundojë mbi atë personal.
Opozita e Bashkuar ka shumë parti politike dhe po qarkullon ideja që të ketë dy koalicione parazgjedhore, një i kryesuar nga PD dhe një tjetër nga LSI. A është kjo zgjidhja e duhur?
Gjykoj se në këto rrethana është zgjedhja më e përshtatshme, pasi respekton një farë tradite politike të forcave të ndryshme si dhe krijon mundësin e maksimalizimit të votës. Nga njëra anë kemi LSI-në, e cila tashmë është një parti e konsoliduar, e cila ka mundësi të kthehet në një strehë për votuesit e majtë, të papërfaqësuar nga Rilindja. Ndërsa nga ana tjetër kemi grupimin me në qendër PD-në, i cili do të forcohet nga votat tona, si dhe ka mundësi që të jetë përfaqësues edhe për elektoratin e qendrës.
Nëse do realizohen dy koalicione si do të jetë ndarja e grupimit të partive opozitare?
Ndarja do të jetë ajo që thashë më sipër, por kjo nuk do ta ndalojë opozitën që në qarqe të caktuara, sipas llogarive elektorale, të ketë lista unike, pra në të cilat do të jemi të gjithë bashkë. Kjo rrit edhe më shumë mundësitë që asnjë votë të mos shkojë dëm.
Zoti Duka, ju vetë keni thënë se do kandidoni në Durrës, si e shikoni këtë zonë elektorale? A është e vështirë të përballeni me PS-në në këtë zonë?
Durrësi është një qarqet në të cilat mishërohet dështimi dhe arroganca e Rilindjes. Qyteti në veçanti është nëpërkëmbur dhe tjetërsuar nga betonizimi i egër, që ka pasuruar disa, por ka varfëruar qytetarët, duke i lënë pa hapësira publike, në mëshirë të reshjeve. Njëkohësisht është edhe qyteti ku arroganca e pushtetit është ndjerë më shumë, pasi qytetarëve u është imponuar modeli i ekspozuar nga dosjet e BILD. Ai i simbiozës së politikës me krimin. Unë jam i bindur se beteja jonë politike ka ndihmuar në sensibilizimin e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve dhe ky fenomen do të zhbëhet në 25 prill. Ne do t’ua kthejmë qarkun qytetarëve dhe do t’i çlirojmë nga lidhjet e pamoralshme dhe të rrezikshme të Rilindjes me krimin.
*****
Ndoka: Nuk janë kushtet që PD të plotësojë gjithë kërkesat e aleatëve
Zoti Ndoka, si kryetar i PDK-së keni nisur negociatat me PD-në për dalë në një koalicion të përbashkët në zgjedhje. Në ç’fazë janë bisedimet për marrëveshje me listë të përbashkët?
Kemi negociuar në nivele politike e teknike me PD-në për të futur në listën e Opozitës, disa kandidatë konkurrues të Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Kemi ofruar kandidatë në qarqet Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Kukës e Berat.
Cilat parti të tjera aleate do të jenë në koalicion me PD-në? Do të jenë vetëm kryetarët në listën e sigurt fituese apo do të ketë më shumë kandidatë nga aleatët?
Besoj se do të ketë një listë përfaqësuese, ku mund të rreshtohen për të garuar çdo subjekt politik që e konsideron veten opozitar.
A është e hapur PD-ja për t’ju dhënë aleatëve peshën që kërkojnë në listën e koalicionit?
Nuk jemi në kushtet ideale për të kërkuar diçka të tillë, mbasi Rilindja dhe Edi Rama prishën Kodin Zgjedhor dhe shembën Kushtetutën për të penguar koalicionet klasike. Por gjithsesi PD-ja është treguar e gatshme dhe e hapur për të ruajtur përfaqësimin plural tek e djathta.
Opozita e Bashkuar ka shumë parti politike dhe po qarkullon ideja që të ketë dy koalicione parazgjedhore, një i kryesuar nga PD dhe një tjetër nga LSI. A është kjo zgjidhja e duhur?
Unë gjykoj, se kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme. Opozita me dy koalicione maksimalizon votat, por jep garanci e shpresë se do të qeverisë me një mazhorancë solide dhe plurale, më një hark opozitar më të madhin në këto 30 vite.
Nëse do realizohen dy koalicione si do të jetë ndarja e grupimit të partive opozitare?
LSI-ja do të ketë edhe parti të tjera, të qendrës dhe të majta, ndërsa PD-ja të gjithë aleatët strategjikë e historikë të saj, por duke u zgjeruar në përfaqësim me PAA, me PBDNJ, që përfaqëson pakicat.
Ju vetë ku do të kandidoni dhe cili është parashikimi juaj për përballjen me PS-në në atë zonë elektorale?
Unë do kandidoj në Qarkun e Shkodrës, aty ku kam vendlindjen dhe nga ku kam nisur karrierën politike. Përballja me PS-në do jetë e lehtë, për faktin se PS është totalisht e shkatërruar në Shkodër, rikthimi i Beqës e ka bërë akoma më pis se ishte. Fitorja e Opozitës do të nisë nga Shkodra.