Sunday, April 2, 2023
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

Intervistë e Jorida Tabakut/ Një skaner i politikës, ekonomisë dhe problemeve aktuale dhe të trashëguara të shoqërisë shqiptare

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një intervistë shteruese për Liberale.al ka bërë një skaner të situatës që po kalon vendi ynë aktualisht dhe cilat kanë qenë problemet më të mëdha që ka kaluar Shqipëria në tre dekadat e demokracisë

by us er1
26/05/2022
in Aktualitet, Kryesore, Politika
0

Nga Aranit Muraçi

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një intervistë shteruese për Liberale.al ka bërë një skaner të situatës që po kalon vendi ynë aktualisht dhe cilat kanë qenë problemet më të mëdha që ka kaluar Shqipëria në tre dekadat e demokracisë.



Me një gjuhë të përzgjedhur, zonja Tabaku gjatë intervistës bën një përshkrim të shkurtër të situatës politike duke folur edhe për lakimin e emrit të saj në media si një nga kandidatët për Presidente të Republikës. Më tagrin e një pedagogeje në ekonomi, Tabaku sqaron me detaje situatën ekonomike në vend, madje ajo parashikon që e ardhmja nuk pritet të jetë aspak e mirë në këtë sektor.

Gjithashtu, deputetja Tabaku vuri theksin te borxhet që ka marrë qeveria në emrin e shqiptarëve, mos bërja e transparencës se si janë shpenzuar këto para.  PPP-të, inceneratorët, energjia dhe sektori i ndërtimit; janë për zonjën Tabaku disa nga skandalet më të mëdha të kësaj qeverie. Për çështjen e pronave, deputetja Tabaku tha se dhe Partia Demokratike ka përgjegjësinë e saj që nuk ka mundur t’i japë një zgjidhje kësaj gangrene që trashëgohet ndër vite në tre dekada demokraci.

Intervista e plotë

  • Demokracia zhvillohet mbi institucione të forta. Kanë kaluar plot 30 vite tranzicion dhe ende diskutojmë mbi nevojën e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat edhe ato për ideimin dhe reformimin i financoi dhe i mbështeti më tepër faktori ndërkombëtar. Si shpjegohet?

Shqipëria është një shtet 100 vjeç dhe ka një histori të shkurtër në lidhje me demokracinë liberale dhe institucionale që u instalua në 1992. Në kushtet në të cilat vendi u gjet në fillim të viteve 1990 por edhe momentet politike që kaloi gjatë 3 dekadave të kësaj demokracia e kanë bërë të domosdoshme dhe tejet jetike ndërhyrjet për të përmisuar sistemin.

Fatkeqësisht me gjithë dëshirën për të ndërtuar një demokraci institucionale të fortë nuk mund të them që ia kemi arritur ta ndërtojmë dhe kjo për shkakun e një kulture të mangët institucionale (si pasojë e një trashëgimie komuniste), një kulture skepticizmi mes palëve në lidhje me reformat kyç dhe së fundi si pasojë e një korrupsioni galopant që këto tetë vitet e fundit ka shënuar progres dhe që për demokracinë është regres.

Në kushte të tilla, kur edhe pushteti gjyqësor kishte dhe trashëgonte probleme të thella u mendua një ndërhyrje apo një reformim. Fatkeqësisht shumë mendime të PD-së u refuzuan nga qeveria Rama dhe aleatët e saj në atë periudhë, rezultuan që shqetësimet dhe mendimet tona të ishin të sakta. Nëse sot nuk kemi ende një konsolidim të duhur të këtyre institucioneve të reja vjen si pasojë e skepticizmit të qeverisë Rama asokohe.

  • Qeveria pretendon se i ka përballuar me sukses situatat e vështira ekonomike, si pasojë e tërmetit, pandemisë dhe së fundmi atë të krizës energjetike e të çmimeve. Si do t’ju përgjigjeni këtyre ‘sukseseve’, nëse ekzistojnë?

Problemi i qeverisë është se ajo suksesin e mat përmes propagandës dhe efektit të saj dhe jo zgjidhjes reale të problemit. Shihni situatën me tërmetin dhe pandeminë, janë marrë rreth 1 mld euro nga vendet anëtare dhe donacione nga vendet e tjera dhe ka një transparencë minimale. Shkrimet investigative të fundit nga BIRN kanë treguar që qeveria ka qenë e suksesshme në shpërndarjen e fondeve të tërmetit tek bizneset pranë saj, sikundër ka vazhduar të mbështesë këto biznese edhe në kohë krize.

Në lidhje me pandeminë ndihma e buxhetit të shtetit ishte më pak se sa 1% e PBB-së ku vetëm inceneratorët janë sa 1.4% e PBB-së dhe sot vazhdojnë të paguhen. Numri i vdekjeve, sipas të dhënave nga The Economist dhe jo vetëm, rezulton disa herë më i madh se sa qeveria ka pretenduar. Sakaq, buxheti i vendosur në dispozicion të ekonomisë i kaloi në shumicë absolute koncesionarëve dhe përfituesve të PPP-së.

E fundit, për nga renditja, kriza aktuale ekonomike nuk ka përfunduar. Çmimet e produkteve, pra inflacioni, ka nisur të rritet që në shtator dhe qeveria nuk veproi përkundrazi angazhoi propagandën që të justifikonte një kredi që ka marrë me norma më të larta se sa vendet e rajonit. Pra në agun e një krize të re që u pasua me rritjen e çmimit të energjisë, karburantit dhe më tej çmimeve qeveria shkoi në treg të merrte borxh.

Sot jemi në një moment kur çmimet e produkteve kyçe janë rritur për të tretin apo katërtën herë ndërsa qeveria kënaqet me një 30 mijë lekë ndihmë të vetme ekonomike. Jo vetëm kaq por FMN dhe BB kanë parashikuar një rritje shumë herë më të vogël dhe gjasat janë që kjo rritje do të jetë edhe më e vogël pasi bota po shkon drejt stagflacionit.

Kësaj i duhet shtuar dhe realiteti i një krize në popullsi dhe punësim pasi shumë të rinj, të reja dhe familjarë po largohen nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së. Këto janë tanimë përgjithësisht shtresa e mesme dhe të kualifikuarit që nuk e shohin më Shqipërinë si alternativë.

Pra, siç e përmenda në fillim, varet se cili është etaloni i suksesit që përdor qeveria dhe mbështetësit e saj. Nëse si etalon ne marrim propagandën dhe demagogjinë mbase qeveria e merr notën kaluese por nëse marrim realitetin dhe të vërtetën atëherë kjo është me shumë mundësi qeveria më e korruptuar, e paaftë dhe hajdute në 30 vite demokraci.

  • Kriza e çmimeve, pra inflacioni në rritje, në fakt është çështje globale, e nxitur nga kriza energjetike botërore dhe lufta në Ukrainë. Por vërehet që në Shqipëri, çmimet janë më të larta se në rajon, ndonëse vendit tonë nuk i mungojnë resurset çka do të thotë se kemi mbetur tërësisht në varësi të importeve. Si mund të mbrohet konsumatori nga abuzimi i mundshëm me çmimet?

Që prej vitit 1980 bota ka hyrë në fazën e Globalizimit, pra procesit në të cilin një punëtor që prodhon atletet Nike e gjen në Kinë dhe më pas nga porti i Vietnamit e gjitha shkon në vendet e tjera të globit. Globalizimi pra ka lehtësuar shumë procese dhe ka vështirësuar disa prishje marrëdhënies tregtare.

Mbyllja e menjëhershme nga COVID-19 dhe politikat e ndryshme të ndjekura një vit e gjysmë pas pandemisë prodhuan efekte tek zinxhiri i furnizimit. Kina, një nga ekspertueset më të mëdha të globit, ka ndjekur një politikë tejet strikte të zero rasteve me COVID-19. Për rrjedhojë kjo ka interferuar në zinxhirin e furnizimeve dhe gjithashtu ka krijuar probleme në lidhje transportin duke rritur çmimet, të gjitha këto nisën të ndiheshin në muajt e parë të vitit të shkuar. Po të pyesni grosistët shqiptarë do të thonë që u bë gjithnjë e më e vështirë të kishe në kohë dhe me pak kosto (numri i ulët i anijeve që transportojnë) materiale.

Kësaj i duhet shtuar kriza e thatësirës që në Shqipëri më shumë qe një krizë e ideuar dhe nga qeveria. Të dhënat nga operatorë të tretë, pra nga media si Open Data Albania, tregojnë se në të vërtetë qeveria shqiptare ka shitur lirë kur duhet të shiste shtrenjtë dhe më tej ka blerë shtrenjtë kur duhet të blinte lirë energjinë elektrike. Ajo çfarë është e qartë rezulton se qeveria ka luajtur në kurriz të shqiptarëve jo për interesat e publikut por interesa të ngushta të saj. Pikërisht këtë dosje ne si PD e kemi çuar në SPAK në vjeshtën e vitit të shkuar ku edhe z. Basha e z. Rushaj mbajtën një konferencë të gjatë për shtyp.

Lufta në Ukrainë duket se i vuri kapakun dhe ndikoi në kërcënimin e inflacionit e duhet të mendojmë që e gjithë kjo nuk ka përfunduar pasi situata me thatësirën globale dhe furnizimin e grurit në botë do ndikojë për keq. Ajo çfarë sot përbën frikë është kriza e pritshme me furnizimin me grurë që do të rrisë edhe më shumë çmimin e bukës dhe do të përkeqësohet.

Pyetja është a po përgatitet qeveria për këto situata?! Jo! Për qeverinë vazhdon jeta si më parë, pasi lexuam që po rijep me koncesion rrugët me para nga buxheti i shtetit, po vazhdon pagesën e koncesionit të inceneratorëve me vlerë 430 mln euro dhe po indekson bizneset që merren me rindërtimin. Po rrit taksat për bizneset e vogla, po rivendos taksën mbi profesionet e lira ku më shumë taksohet një avokat se sa një aksioner që merr dividentin e taksuar 5%. Së fundi, ka një shpikje alla komunizëm me Bordin e Çmimeve, diçka qesharake që nuk po e dëgjoj më të jetë vendosur as në Venezuelë.

  • Megjithatë, pas pandemisë dhe hapjes së kufijve me mijëra shqiptarë ose kanë ikur, ose kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga vendi. A është i mundur përmes politikave efikase, që të frenohet një ditë eksodi masiv i shqiptarëve, duke qenë se kryesisht i largohen fuqia më e kualifikuar punëtore dhe përse mungojnë politika të tilla?

Që prej vitit 2014 numri i shqiptarëve që largohen është me rritje progresive, kjo si pasojë edhe e taksës progresive të vendosur nga qeveria Rama. Por, ajo që mendoj se duhet parë lidhet me grupet e personave që po largohen nga Shqipëria. Këtu vërej se shumica e tyre janë persona nga shtresa e mesme, profesionistë të fushave të tyre që largohen nga vendi për arsye që pak a shumë janë të qarta.

E para Shqipëria nuk ka më atraktivitet në lidhje me biznesin, sipërmarrjen dhe takson progresivisht dijen, eksperiencën dhe më pas këtë taksë ia jep oligarkëve.

E dyta, këtyre oligarkëve kjo qeveri i fal taksat, u bën favore të tjera dhe u jep para nga buxheti i shtetit duke korruptuar dhe shkatërruar konkurrencën e lirë.

E treta, mungesa e investimeve serioze dhe vizionare ka shkatërruar qytetin dhe vendin. Hidhini një sy Tiranës që është një lavatriçe e madhe parave të pista ndërsa përditë e më shumë ky qytet po degradon si pasojë e abuzimeve që kryebashkiaku dhe kryeministri bëjnë me të. Shihni investimet strategjike dhe sjelljen e qeverisë karshi tyre.

  • Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy kushtet kryesore që i janë vendosur vendit tonë, për çeljen e negociatave apo edhe rrugëtimin e mëtejshëm në BE. Mund të tingëllojë paksa ironike kjo, pasi të dyja këto kushte i kishim plotësuar në vitin 1992? 

Kultura e korrupsionit në vend nuk është se ka lindur pas viti 1992 por ka qenë e përhapur në forma dhe mënyra të tjera. Mirëpo asokohe ka qenë e pamundur që të deklarohej si pasojë e regjimit dhe sistemit.

Aktualisht problemi me korrupsionin është se ka shkuar në nivelet më të larta të qeverisjes dhe nuk besoj se ka ndonjë habi. Shihni çështjen e inceneratorëve dhe do të shikoni se si kupola e qeverisjes është e angazhuar në këtë aferë me vlerë 430 mln euro që janë taksat e shqiptarëve dhe që janë dhënë disa personave në kundërshtim me çdo ligj dhe normë kushtetuese.

Së dyti, kur shohim pallatet edhe kullat në Tiranë nuk kemi pse habitemi. Po ju citoj një prokuror amerikan të disa javëve më parë që i morri si shembull, diçka të ngjashme thanë edhe z. Çela dhe z. Kraja në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.

Shqiptarët presin ndryshim nga SPAK dhe policia. Ka ardhur koha që pandëshkueshmërisë t’i vijë fundi pasi nuk ka rrugë tjetër të luftohet korrupsioni dhe pastrimi i parave.

  • Sidoqoftë, Shqipëria pas daljes nga komunizmi ndodhet në një krizë të rëndë vlerash si pasojë e të gjitha fenomeneve negative që kanë shoqëruar vendin në këto 3 dekada. Veç reformave të nevojshme për të kapërcyer këtë situatë, a mendoni se së pari, duhen identifikuar shkaqet dhe përgjegjësi kryesorë?

Vetë Shqipëria nën komunizëm ka qenë një krizë e rëndë vlerash morale dhe njerëzore. Nuk duhet të harrojmë që shoqëria shqiptare ka kaluar një totalitarizëm të egër dhe kriminal që ka tjetërsuar dhe transformuar shoqërinë dhe individin. Të ndërtosh njeriun e ri socialist, do të thotë të tjetërsosh njeriun si krijesë e Zotit në njeriun si krijesë të Partisë. Jo rastësisht ne ishim vendi i vetëm Ateist në botë ku me sa duket Partia dhe elita komuniste pasi vrau qindra mijëra shqiptarë vendosi të “vrasë” dhe Zotin.

Kjo shoqëri që kaloi pa medituar dhe reflektuar mbi të djeshmen në formën dhe mënyrën e duhur nuk mundi dot të përqafonte siç duhet demokracinë dhe akoma më tej defiçencat e demokracisë liberale. Pra, të kthehemi tek pyetja e mësipërme për problemet me institucionet demokratike. Këto probleme ekzistojnë si pasojë e një të shkuare dhe mbi të gjitha si pasojë e mos sheshimit të ndasive të thella që me sa duket zënë vend dhe tek e tashmja.

  • Sipas KLSH-së dëmi ekonomik i vitit që shkoi ishte mbi 600 milionë euro, gati aq sa shuma e një borxhi që u kërkua nga qeveria në tregjet ndërkombëtare. Si mund të shmangeshin këto të dyja?

Korrupsioni është tanimë në çdo qelizë të qeverisë dhe në nivelet e larta, personalisht kam dyshime se dëmi ekonomik është më i lartë se sa aq. E vetmja rrugë për të luftuar korrupsionin është t’i jepet fund pandëshkueshmërisë dhe e përsëris që shqiptarët po e presin fundin e pandëshkueshmërisë.

  • E keni ngritur shpesh çështjen e inceneratorëve dhe sot kemi disa të arrestuar mes të cilëve edhe ministra. A mund të jetë abuzimi dhe përgjegjësia çështje individuale, siç përshkruhet?

Historia e inceneratorëve dhe çështja e tyre më kujtojnë një tregim që e kam përzemër nga Franc Kafka, shoqëria e hajdutëve. Sa herë që i rikthehem asaj teme më venitet para syve ky tregim dhe mendoj që kështu i kam kthyer përgjigje dhe pyetjes suaj.

  • Qeverisja e majtë ka ndjekur edhe modelin e PPP-ve. Çfarë i ka sjellë një model i tillë ekonomisë sonë?

FMN raporton se 50% e PBB, pra gjithçka që prodhon dhe ofron Shqipëria, janë kontrata PPP-je. Kjo do të thotë që në çdo 10 lek që kontribuon kushdo në rritjen e PBB-së 5 lekë i shkojnë kontratave të PPP-ve, pra oligarkëve. Pyetja është çfarë marrin pas shqiptarët dhe ekonomia shqiptare nga ky investim? Një ekonomi më të centralizuar, një treg më të mbyllur dhe padyshim PPP si ajo e inceneratorëve, pra para në parajsat fiskale.

Mendoj që vetëm një qeveri hajdute operon në kushte të tilla dhe me një ekonomi të tillë!

  • Pronat janë një problematikë ende e pazgjidhur, madje ato janë shoqëruar me gjyqe, konflikte dhe probleme të thella sociale. E besoni se e djathta ka pasur përgjegjësinë e saj në këto 30 vite mbi këtë çështje të zvarritur, çka mund të ketë humbur deri diku besimin e elektoratit të saj?

Duhet të jemi të sinqertë në këtë pikë. Po! PD ka përgjegjësinë e saj dhe morale më shumë se sa PS në sensin që duhet të ishte me të drejtën e pronës. Unë ndjehem në siklet sa herë pyetem për diçka të tillë dhe më duhet të bëjë një zgjedhje politike pasi votues të PD janë si pronarët që toka iu është marrë me forma jo ligjore edhe ato të ligjit 7501. Një ligj që në fakt u propozua nga PPSH në parlamentin e parë pluralist.

Ne u përpoqëm që vitin e shkuar për zgjedhje të ofronim një paketë serioze në lidhje me pronat dhe angazhuam të gjitha shoqatat e pronarëve për t’i dhënë një zgjidhje fundore procesit të legalizimeve dhe gjithashtu edhe të pronarëve dhe kompensimit të tyre fizik dhe monetar. Sot e shohim që çështja e pronës është kthyer gangrenë dhe nga ligji i investimeve strategjike për të cilat PD ka depozituar një kërkesë për Komision Hetimor.

  • Aktualisht po diskutohet Presidenti i ri, ndërsa në media mes të tjerash është publikuar edhe emri juaj si një kandidaturë e mundshme. A do ta pranonit ofertën?

PD morri pjesë në proces duke respektuar kushtetutën e bindur që Rama është një shtetar që nuk e mban fjalën e dhënë. Natyrisht propozuam një listë me parime dhe nxorëm së paku 10 kandidatura që ishim të gatshëm t’i diskutonim me PS.

Sapo ne nxorëm kandidaturat edhe PS nxori yçklat e saj duke kërkuar emra me firma dhe duke e futur procesin në një rrugë qorre. Treguan që nuk kishin as dëshirë dhe as nevojë për një president konsensual por si sovjetë të mirë të gjithë pushtetin e duan për veten e tyre dhe tarafin e tyre.

Jam një deputete prej dy legjislaturash në parlament dhe do të vazhdojë karrierën time politike si e tillë në shërbim të qytetarëve po si deputete me bindjen se kjo mazhorancë duhet rrëzuar.

  • Qeverisja edhe kur është efikase kërkon patjetër një alternativë, që të funksionojë demokracia. Si mund të ngrihet e djathta shqiptare, për të qenë më shpresëdhënëse, mbi çfarë modeli?

Duhet të shohë nga e ardhmja dhe të rikuperojë kohën e humbur duke marrë pas saj personat që për një arsye apo një tjetër ka larguar këto vite. Ka ardhur koha të shohim dhe të zgjedhim të ardhmen për një të djathtë më të fortë dhe të bashkuar.

  • Së fundmi, a mendoni se politika nuk ka mundur dot të ngrejë një model ekonomik në 30 plot vite tranzicioni dhe koha tashmë nuk premton: gjithçka po ecën kundër vullnetit të shumicës dërrmuese të shqiptarëve?

Politika është rruga e vetme se si shoqëritë kanë zgjedhur të drejtohen dhe të zgjidhin problemet e tyre. Nuk mendoj se politika do rreshtë sepse nuk gjen zgjidhje. Përkundrazi politika është e prirur të gjejë zgjidhje thjesht duhet që njerëzit të kenë besim dhe t’i japin shans të mirës dhe dobisë në shoqërinë tonë të prevalojë. Shqetësimi aktual është se Rama do ta vrasë politikën në emër të spektaklit për të prodhuar autoritarizmin dhe po kthehet në një spin dictator.

Marrë me leje me shkrim nga Liberale.al.

Tags: aranit muraçiEkonomiintervisteJorida TabakuPolitike

JU SUGJEROJME

25 VITE MË PARË/ Agolli: Nano, je i dështuar
Arkiva

25 VITE MË PARË/ Agolli: Nano, je i dështuar

31/03/2023
Alpet zgjeron gamën e shërbimeve të ofruara, ja pikat ku mund të gjenden produktet premium!
Aktualitet

Alpet zgjeron gamën e shërbimeve të ofruara, ja pikat ku mund të gjenden produktet premium!

31/03/2023
Igli Cara: Porti i Durrësit është afera më e madhe, qyteti i pajetueshëm
Kryesore

Igli Cara: Porti i Durrësit është afera më e madhe, qyteti i pajetueshëm

30/03/2023
Forumet UET, CEO i Century 21: Sektori i Pasurive të Paluajtshme, alternativë punësimi për të rinjtë
Kryesore

Forumet UET, CEO i Century 21: Sektori i Pasurive të Paluajtshme, alternativë punësimi për të rinjtë

30/03/2023
Next Post
Kurti u bën thirrje shqiptarëve të votojnë për Shaip Kamberin

Kurti u bën thirrje shqiptarëve të votojnë për Shaip Kamberin

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

No Result
View All Result

     








Më Të Lexuarat

  • 25 VITE MË PARË/ Agolli: Nano, je i dështuar
  • Alpet zgjeron gamën e shërbimeve të ofruara, ja pikat ku mund të gjenden produktet premium!
  • Igli Cara: Porti i Durrësit është afera më e madhe, qyteti i pajetueshëm
  • Forumet UET, CEO i Century 21: Sektori i Pasurive të Paluajtshme, alternativë punësimi për të rinjtë
  • 25 VITE MË PARË/ Shqipëri- Serbi, trafik armësh



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtor Marketingu
Ledio Trungu
Tel : +355683673191
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In