Aktualitet

INVESTIGIMI/ Shqipëria kosh i mbetjeve të rrezikshme, plot 29 milionë tonë plehra





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:26 - 27/02/20 |
mapo.al

28 milionë tonë iu përkasin vetëm mbetjeve minerale me rrezikshmëri të lartë toksike, që ndotin ambientin dhe ndikojnë direkt në jetën e njerëzve. Të tjerat janë mbetje spitalore, vajra makinash, goma apo mbetje spitalore të cilat hidhen ku të munden. Shifrat janë alarmante, por veprimet e institucioneve të mangëta.


Vetëm 5 ditë më parë në Itali u kapën 25 tonë mbetje të rrezikshme që do të vinin drejt Shqipërisë. Në tragetin që vinte nga Brindizi përpara një jave u kap një ngarkesë amianti, një lëndë tjetër e rrezikshme kancerogjene, dhe nuk janë vetëm kaq. Me qindra tonë të tjera, vajra makinash, pajisjesh elektroshtëpiake, bateri, apo mbetje spitalore e mineralesh që hidhen ku të munden, si pasojë e keqmenaxhimit dhe e mosvrasjes së mendjes nga autoritetet. Asnjë kompani nuk është licencuar për të pastruar këtë zallamahi mbetjesh nga ana e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.



Ligji
Shqipëria ka një ligj të miratuar në vitin 2011 për “Menaxhimin dhe integrimin e mbetjeve” por një sasi shumë e vogël e tyre kalojnë në pikat e ndërtuara për këtë qëllim. Madje dhe vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit, ka një informacion të pakët në lidhje me atë çfarë ndodh me to. Në faqen kryesore të saj, është mjaftuar me një draft informues mbi rrezikshmërinë e tyre, por jo ndonjë strategji të miratuar për këtë qëllim. Nga një investigim i Gazetës MAPO rezulton se dhe kompanitë që merren me këtë problem janë shumë të pakta, dhe në shumë raste nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se transportin nga pikat e grumbullimit në landfille. Nga informacionet që kemi, p.sh. nga tre kompani që operojnë në fushën e mbetjeve spitalore, dy prej tyre nuk kanë incenerator. Është e habitshme se qendrat spitalore janë të pajisura me autoklavë për djegien e mbetjeve, por sërish qeveria ka lidhur kontrata me subjekte private për asgjësimin e tyre, të cilat si zgjidhje kanë gjetur dërgimin e tyre në landfillet për mbetjet urbane.


29.4 milionë tonë
Vendi ka aktualisht rreth 29.4 milionë tonë mbetje të papërpunuara, ku masën më të madhe e zënë mbetjet nga përpunimi i mineraleve në një masë rreth 28 milionë. Më tej janë mbetjet nga ndërtimet, mbetjet e vajrave të makinave, përpunimi i naftës, djegia e gomave të makinave, makinat në fund të jetës për të cilat s’ka ende një informacion të detajuar. Burime nga Ministria e Mjedisit shprehen se nuk ka një informacion të detajuar për këtë çështje. Dhe natyrshëm lind pyetja ku shkojnë gjithë këto mbetje.

“Ku shkojnë mbetjet e serviseve të makinave? Bidonat që mbajnë vajin e makinave, pasi ky vaj hidhet në automjete, ku çohen këta bidona? Të cilët janë të ndotur dhe nuk mund të riciklohen. Apo thjesht hidhen në koshat e mbeturinave të bashkisë? Ku hidhen filtrat e makinave që ndërrohen, që janë mbetje të rrezikshme? Vlen për t’u theksuar fakti që këto servise janë të pajisur me leje mjedisi të tipit C dhe duhet të monitorohen dhe inspektohen nga strukturat përgjegjëse për mjedisin.

A kanë të dhëna këto struktura për këto mbetje? Ku dhe si trajtohen? Këto servise kanë kontrata vetëm me disa kompani që trajtojnë, rikuperojnë apo asgjësojnë vajrat e përdorura, por prapë lidh pyetja: sa është sasia e këtyre vajrave të trajtuar, rikuperuar apo asgjësuar në nivel kombëtar? Të njëjtat pyetje lindin për industrinë e naftës të cilat gjenerojnë një sërë mbetjesh të rrezikshme. Ku dhe si trajtohen mbetjet plastike të ngopura/ndotura me hidrokarbure? Po filtrat që përdoren në procese të ndryshme të industrisë së naftës ku dhe si trajtohen”, thonë specialistët e mjedisit. Përgjigjja është një, hidhen ku të munden.

Prej vitit 2008, nuk ka një statistikë të gjenerimit të mbetjeve urbane dhe atyre të rrezikshme. Për shembull deri në këtë vit sipas informacioneve zyrtare, në magazinat shtetërore kryesisht afër minierave ishin depozituar më shumë se 500 tonë mbetje, kancerogjene. Por që prej asaj kohe nuk ka asnjë informacion se çfarë është bërë me to. Pra janë groposur apo janë asgjësuar. Duhet theksuar se të gjitha këto janë mbetje me rrezikshmëri kancerogjene, për të cilat ndiqet një procedurë e qartë asgjësimi. Kësaj i shtohen dhe mbetjet minerare të ferrokromit që prodhohen çdo ditë. Shifra prej 28 milionë tonë, është jashtëzakonisht e madhe. Ambientalistët thonë se ky është një rrezik potencial për ndotjen e tokës dhe të ujërave, të cilat më pas kontaminojnë biodiversitetin përreth dhe ndikojnë direkt në shëndetin e njeriut. Zgjidhja e vetme është ngritja e inceneratorëve përkatës për zgjidhjen e tyre.

Raporti i KLSH
Procedurat e menaxhimit të mbetjeve kanë qenë vazhdimisht objekt auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Për mbetjet e rrezikshme, sidomos ato spitalore, në një raport të vitit 2018, KLSH konstaton se në adresën e deklaruar nga njëra kompani koncesionare, për asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, nuk rezulton të kryhet asnjë veprimtari trajtimi/asgjësimi e mbetjeve spitalore. Pra, sipas KLSH, bëhet fjalë për një skemë mashtrimi dhe mbetjet nuk dihet se ku zhduken. Në raport thuhet se nuk ka të dhëna se ku përfundon mbetja nga djegia ose hiri që përftohet nga procesi i trajtimit të mbetjeve spitalore nëpërmjet incenerimit. Po ashtu, sipas KLSH, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk kanë të dhëna mbi mbetjen nga djegia ose hiri që përftohet nga procesi i trajtimit të mbetjeve spitalore nëpërmjet incenerimit.

Mbetjet nga ndërtimet dhe prishjet e objekteve
Deri më tani, sasitë e Mbetjeve nga Ndërtimi dhe Prishjet nuk janë monitoruar në mënyrë sistematike. Në shumicën e rasteve, sasitë e mëdha të mbetjeve prej druri, letre dhe plastike të krijuara gjatë ndërtimit, digjen në sheshin e ndërtimit. Të dhënat në vijim paraqesin një vlerësim për MNP, meqë sasia e kësaj rryme nuk bazohet në matje në terren. Pothuajse shumica e mbetjeve përfundojnë në venddepozitimet e mbetjeve bashkiake, duke rritur artificialisht çmimin e depozitimit (atje ku aplikohet), duke zënë shumë hapësirë, duke shkurtuar “jetën” e venddepozitimit dhe duke rritur disa herë koston e punimeve riparuese. Shpesh këto mbetje gjenden të hedhura buzë akseve të rrugëve kombëtare ose në zonat periferike të qyteteve etj. Ndonëse 80% e këtyre mbetjeve mund të ripërdoren, të ndara si lëndë të para sekondare ose të riciklohen, ende nuk ka asnjë venddepozitim të dedikuar për këtë rrymë mbetjeje, por ka një nismë të tillë për ndërtimin e mbetjeve inerte në Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë, por që akoma nuk janë ndërtuar për arsye burokratike.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas