Nga Pano Soko
Një partner i huaj, i cili po mendonte të vlerësonte Shqipërinë si destinacion për të investuar, tek raporti që i kisha përgatitur, kishte nënvizuar pjesën ku flisja për stabilitetin social dhe kishte shënuar “Sa protesta popullore ka pasur gjatë këtij viti?” Përgjigjja ime (që unë mendova se do të kishte impakt pozitiv tek ai) ishte “Zero”.
Ai më pas m’u përgjigj me një emoticon “😏”.
_____
Asnjë investitor nuk trembet nga protestat, qofshin këto dhe me thyerje xhamash, kapsolla apo djegie gomash. E gjithë kjo zhurma e madhe se protestat prishin imazhin e Shqipërisë në sytë e investitorëve është e gjitha një gënjeshtër që duke qënë se përsëritet gjithmonë dhe fort, tashmë merret si e mirëqënë. Madje protestat veçse përmirësojnë imazhin e vendit, sepse krijojnë perceptimin që demokracia, kërkesa e llogarisë ndaj pushtetit apo reagimi ndaj padrejtësive në atë vend funksionon.
Për ta shpjeguar më qartë.
– Kush i tremb në të vërtetë investitorët?
Investitorët, ata të huaj kryesisht, nuk kanë frikë nga protestat, se protestuesit s’kanë ndonjë hall as me ta personalisht, as me pronat e tyre, apo as me biznesin e tyre. Po kujt i tremben investitorët?
-Investitorët i tremben qeverive, në fakt. Më konkretisht i tremben pushtetit. Sepse pushteti është ai që vërtet mund t’ju bëjë dëm atyre. Kjo, qoftë nëpërmjet abuzimeve direkte siç janë korrupsioni, gjobvënia e paligjshme, rrëmbimi i pronës me vendime të paligjshme, gjykatat jo-funksionale apo që japin vendime të deformuara etj.; qoftë nëpërmjet abuzimeve indirekte siç janë rritjet e taksave të herë pas hershme, trajtimet abuzive nga institucionet tatimore-doganore, favorizimi i një segmenti të caktuar biznesi pranë pushtetit, mbështetja ndaj monopoleve etj.
Pra, nëse ka një aktor që ata mund t’i dëmtojë vërtetë, kjo është qeveria me pushtetin e saj.
Protestat në vetvete, janë ato që i tregojnë investitorit që në këtë vend ka kërkesë llogarie. I tregojnë që, kur qeveria nesër të kryejë një akt abuziv ndaj tij, kur qeveria të nxjerrë një vendim që një rrugë që sot përdoret pa pagesë nesër të kthehet me pagesë (duke i prishur planin e biznesit atij-sepse ai e ka parashikuar rrugën falas në planin e tij të biznesit), këtu ka njerëz që sensibilizohen dhe ngrihen dhe protestojnë.
E kundërta është vrastare. Pra kur investitori sheh që në këtë vend askush nuk ngrihet, pavarësisht se qeveria mund të bëjë padrejtësi pa fund, ai do mendohet dy herë. Sepse me veten e vet do mendojë “Domethënë nëse qeveria abuzon nesër me mua, më merr pronën, më ngre taksat deri në mbytje, më gjobit deri në vdekje, këtu s’ka kush reagon”.
Demokracia, shteti funksional, shteti i së drejtës janë jetike për një investitor. Pushteti i fortë, shteti i gjymtuar dhe jo-funksional dhe demokracia fasadë janë fatale për ta.
Prandaj ata i konsiderojnë protestat si termometër demokracie. “A ngrihet populli kundër padrejtësive që bëhen nga pushteti? Nëse ngrihen, jemi në rregull. Aty mund të bësh biznes. Nëse nuk ngrihen, aty kemi një problem, sepse aty askush s’i kërkoka llogari qeverisë”.
Prandaj protestat (qoftë edhe partiake) i bëjnë veçse mirë imazhit të vendit, sepse lëkundin tendencat autokratike dhe omnipotente.