Investitorët gjermanë kanë shprehur interes të veçantë për të investuar në Tiranë dhe për t’u bërë pjesë e projekteve të zhvillimit të Tiranës. Kjo iu konfirmua kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, nga presidenti i Shoqatës Ekonomike gjermano-shqiptare, Hans Juergen Mueller, dhe Anette Kasten, drejtore e Filialit të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, në një takim të zhvilluar në Bashkinë e Tiranës. Më konkretisht, investitorët gjermanë kanë shprehur interes për projektin e zgjatimit të bulevardit si dhe për ndërtimin e terminalit multimodal të pasagjerëve. Gjatë takimit, Basha i njohu bashkëbiseduesit me masat që Bashkia e Tiranës ka marrë për një qytet sa më miqësor për biznesin, ku biznesi mund të operojë me procedura më transparente, më të shkurtra dhe të paguajë një taksë më të ulët, në mënyrë që zhvillimi ekonomik i qytetit të njohë vazhdimësi. Në këtë kuadër, Basha i njohu me masat konkrete të marra nga administrata e tij, si heqjen e 60 tarifave dhe uljen e taksave bashkiake, masat për nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja, reduktimin e lejeve dhe licencave si dhe ngritjen e një sporteli unik për aplikimin për to. Në funksion të rritjes së punësimit, si prioritet kryesor të Bashkisë së Tiranës, Basha bëri të ditur se me vendim të Këshillit Bashkiak do të operojë pa taksë, për një periudhë 4-vjeçare, çdo biznes që punëson mbi 50 punonjës.
Kryebashkiaku Basha mirëpriti propozimin e bërë nga presidenti i Shoqatës Ekonomike gjermano-shqiptare, Hans Juergen Mueller, dhe drejtorja e filialit të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, Anette Kasten, që në muajin qershor në Tiranë të zhvillohet konferenca ekonomike Shqipëri-Gjermani. Në këtë konferencë, e cila në qendër do të këtë mundësitë që ofron Shqipëria në përgjithësi dhe Tirana në veçanti për investime, do të marrin pjesë kompani ndër më prestigjiozet që operojnë në Gjermani. Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se janë të mirëpritura të gjitha kompanitë gjermane që duan të shtrijnë aktivitetin e tyre në Tiranë, sikundër garantoi se administrata e drejtuar nga ai do të vazhdojë përpjekjet për të krijuar një klimë sa më miqësore dhe lehtësi të mëtejshme për investitorët vendas dhe të huaj që zgjedhin Tiranën si destinacion të projekteve të tyre të biznesit.