Ndërtimi i një parku lojërash për fëmijë në zonën e Parkut të Liqenit ka provokuar reagime të ashpra në vend.
Një nga arsyet e kësaj revolte mbetet ndërtimi i një kafeneje në këtë zonë.
Gazeta “Shqip” ka publikuar dokumentin e paraqitur për ngritjen e këtij parku.
Bie në sy se dokumenti mban datën 25 shtator 2015 dhe është përgatitur nga shoqëria “Bolles + Wilson”.
Në dokument shpjegohet se përse duhet edhe një kafene.
“Zona e këndit të lojërave, sipas masterplanit, është paralel dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me një hapësirë tjetër, të quajtur ‘Grand Kafe’, një hapësirë kjo e rezervuar për prindërit, të cilët duke pirënjë kafe, ose duke lexuar një gazetë, kanë nën kontroll fëmijët e tyre”, thuhet në dokument.
Sipas dokumentit, në majë e kodrës, tarraca e ‘Grand Kafe’ është e pajisur me kioskë akulloreje, gazete, platformë vallëzimi, pikë informacioni në lidhje me parkun si dhe një zonë për ndihmën e shpejtë.
Zona e përzgjedhur për këndin e lojërave, në vazhdimësi të propozimeve në masterplan, lidhet me një shëtitore, e cila zgjatet drejt liqenit, ku është vendosur klubi i vozitjes dhe një pishinë publike lundruese brenda në liqen, të cilat mbulohen nga një platformë dritash, e quajtur Tufa e Xixëllonjave.