fbpx

Aktualitet

Irena Beqiraj: Duhet një qasje e re për ekonominë





               Publikuar në : 10:10 - 13/07/19 |
mapo.al

Ish-zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj në një intervistë për Gazetën Mapo thotë se ekonomia shqiptare ka pësuar rënie, ndërsa klima e biznesit është përkeqësuar. Ajo ka renditur të gjitha shkaqet se pse jemi në këtë situatë.


Ekonomia shqiptare duket se po kalon momente jo të mira. Kë do të rendisni ju si shkaqet kryesore për këtë situatë?



Irena Beqiraj: Është e vërtetë që parametrat që matin shëndetin e ekonomisë shqiptare kanë pësuar rënie. Si shkaqe do të rendisja strukturën e padiversifikuar të ofertës në ekonominë shqiptare. Sektorët të cilët drejtuan rritjen në vitin 2018 ishin energjetika, shërbimet, ndërtimi. Në ekonomi të padiversifikuara si e jona, goditjet që mund të marrë një sektor i rëndësishëm, qoftë edhe nga shkaqe tërësisht të jashtme, ndikojnë në performancën e ekonomisë në tërësi. P.sh., në 2018 natyra na bekoi me shi dhe sektori energjetik kontribuoi me 0.9% në rritjen prej 4.1% të realizuar gjatë po këtij viti. Në tremujorin e parë të 2019 kushtet klimaterike nuk na favorizuan, kështu që sektori energjetik pësoi ulje duke kontribuar me -0.66% në rritjen ekonomike. Me gjithë përpjekjet për të promovuar një model të ri ekonomik që bazohej tek eksportet dhe investimet private edhe publike, ne vazhdojmë të jemi një ekonomi thjesht konsumatore, pra rritja ekonomike drejtohet kryesisht nga konsumi. Për më tej, stanjacioni ekonomik i partnerëve tanë në Europë, do të ndikojë te remitancat, rrjedhimisht te konsumi por jo vetëm. Klima e biznesit po ashtu është përkeqësuar. Po përjetojmë ulje të kreditimit për bizneset, jemi një nga vendet me konkurrueshmërinë më të ulët në rajon, konkurrojmë vetëm prej krahut të lirë të punës dhe monedhës së dobët. Këtë konkurrueshmëri mund ta quaj “konkurrueshmëria e mbijetesës”, nga e cila nuk vjen kurrë zhvillim i qëndrueshëm.


Rritja ekonomike e tremujorit të parë të këtij viti ishte poshtë parashikimeve. Nuk është çudi që kjo të ndodhë edhe në tremujorin e dytë. Ç’do të thotë kjo për një ekonomi si e jona?

Irena Beqiraj: Në aspektin makrofiskal kjo do të thotë një rritje e deficitit buxhetor për 2019, i cili pritet të jetë -1.9% e PBB, krahasuar me -1.6 % që ishte në 2018. Qeveria me të drejtë krenohej me arritjen e balancës primare pozitive, e cila ishte “kali i betejës” i reformës së konsolidimit fiskal. Pas 3 vitesh balancë pozitive në 2019 kjo balancë është parashikuar të zbresë sërish në -0.6% e PBB nga + 0.5% e PBB në 2018. Ulja e borxhit, po ashtu, do të jetë mision i vështirë.

Pak ditë më parë qeveria shkarkoi vetëm 3 muaj pas emërimit drejtorin e Tatimeve. Duket se situata në të ardhurat buxhetore është e vështirë, e për pasojë edhe në shpenzime e investime. Sa ndikim ka kjo në ekonomi?

Irena Beqiraj: Kemi provuar më shumë se një herë që ndryshimet e drejtorëve nuk rrisin të ardhurat. Me këtë nuk dua të them që ndonjë drejtor i caktuar nuk duhej hequr, por problemet që kemi me mbledhjen e të ardhurave janë strukturore dhe nuk zgjidhen me drejtora. Problemet bazë i shoh së pari, në qëndrueshmërinë, kompetencën dhe motivimin e stafit të administratave, ku edhe ndryshimi kaq i shpeshtë i lidershipit është i dëmshëm. Së dyti, që prej paketës fiskale 2017 e këtej, janë krijuar të çara e arnime në sistemin fiskal, të cilat e vështirësojnë mbledhjen e të ardhurave. Së treti, menaxhimi i investimeve publike nuk është i kënaqshëm. Kemi probleme serioze që nga prioritizimi e deri tek ekzekutimi i tyre. Investimet publike rrallëherë mund të kalojnë 55% të realizimit të tyre në nëntëmujor. Kjo ngadalëson ekonominë. Së katërti, nga njëra anë, me të drejtë qeveria promovon vetëdeklarimin edhe vetëpërmbushjen e detyrimeve tatimore, nga ana tjetër, nuk paguan TVSH e rimbursueshme. Ne këtë rast veprimi i qeverisë është si thotë populli “Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë!”.

Raporti më i fundit i DASH e vlerëson vendin tonë si jomiqësor me investimet e huaja. Dhe shkak kryesor për këtë është korrupsioni. A po e përkeqëson më tej situatën qeverisja jo e mirë? A kanë fuqi ta kompensojnë mungesën e investimeve të huaja të ardhurat nga turizmi dhe emigracioni?

Irena Beqiraj: Shoqëria humane është organizuar në mënyrë të tillë që çdo nukël i saj ka një lidership, i cili përcakton modelin. Modeli është bazamenti ku kultivohet kultura e cila është një nga motorët bazë të performancës. Mungesa e transparencës apo transparenca gjysmake kuptohet dëmtojnë qeverisjen sado të mira të kenë qenë qëllimet e saj. Ndërsa sa u takon të ardhurave nga turizmi dhe emigracioni, ata ndihmojnë mbijetesën, por kurrsesi nuk garantojnë rritje të qëndrueshme.

Përveç problemeve të vetë qeverisjes edhe kriza politike është një kosto shtesë. Si e parashikoni të ardhmen afatshkurtër të zhvillimit të ekonomisë?

Irena Beqiraj: Nëse duam të ndërtojmë demokraci funksionale duhet të ulemi të gjejmë, të dakordësojmë zgjidhje afatgjata për ekonominë. Nuk na i zgjidhin këto probleme vetëm qeveritë. Secili duhet të bëhet pjesë e zgjidhjes, mazhoranca, opozita apo edhe shoqëria civile duke u imponuar dhe duke u bërë pjesë aktive e politikëbërjes. Duhet të lëmë mënjanë retorikën, propagandën, histerinë kolektive e militantizmin. Me këtë qasje intelektuale politike edhe drejtimi nuk mund t’u ofrojmë vendit dhe qytetarëve zhvillim të mjaftueshëm.

/Mapo.al


Etiketa: , ,

Pas