Aktualitet

Irena Beqiraj, një socialiste kundër rrymës, që nuk dorëzohet






               Publikuar në : 09:45 - 06/07/19 |
mapo.al

Kur marrëzia të bjerë e të soset dehja e mujsharisë, e fitores së çdo bashkie, e kapjes së gjithë pushteteve, kur të mos mbetet më askush për t’u fajësuar, pse sërish, edhe pse qeveria dhe Edi Rama po çajnë përpara horizonteve, vendi ngelet gjithnjë e më mbrapa, shumëkush, sidomos ata që brohoriten gjithë këto kohë brenda PS-së dhe mazhorancës me siguri do të kenë brerje të ndërgjegjes. Irena Beqiraj, nuk do të jetë një nga ata. Kjo socialiste, e ngriti zërin dhe, me aq forcë sa mund të ketë një njeri që nuk ka pasur shumë pushtet, në një vend ku media rend pas ngjarjeve të mëdha, pas bujës, dhe pas joshjes qeveritare.


Kur mundohesh të kalosh në mendje socialistët që u ndalën, reflektuan, që kontestuan, apo edhe kundërshtuan kursin e timonierit, mezi i bën 4.

Irena Beqiraj është në krye të kësaj liste të vogël, sepse që prej ditës së parë ajo duket se kishte një dhimbje, dhe jo një strategji për të denoncuar, në emër të një agjende.

Beqiraj ka patur poste të larta në mandatin e parë të qeverisjes socialiste. Zv.ministre e Financave, këshilltare e Kryeministrit, dhe drejtoreshë e Doganave. Ka njerëz që e kanë njohur në raporte pune që thonë se ishte shumë skrupuloze dhe korrekte. Po dëshmi e integritetit të saj, është kuraja që ka sot për të mos i thënë marshallah asaj që po ndodh, përkundrazi për të akuzuar me forcë çka nuk shkon.

Nëse do ishte ngjyer në mrekullitë financiare rilindase, ajo do të rrinte urtë. Sepse mjeshtrat të zënë diku pas një zullumi, e të shantazhojnë. Beqiraj nuk është masivisht e njohur sepse ajo asnjëherë nuk ka kapur ekranin e madh, atë të kokave të rënda e të menduara të kombit.

Por vazhdimisht po spikat me qëndrimin konsistent, jashtë rrjedhës, larg çmendurisë. Përtej kompetencës në ekonomi e financë, çka është profesioni i saj, Irena duket nga larg që lexon.

Ne nuk kemi udhëheqës, ishte titulli i shkrimit të saj të parë të fortë, pikërisht ditën kur PS kishte vendosur të hapte fushatën elektorale.

“Pikërisht sot kur kreditimi në ekonomi ka rënë sërish për muajin Prill, por qeveria është besimplotë, që një kompani e mesme për nga madhësia, mund të marrë borxh 70 milionë euro, sot kur fatkeqësisht investimet e huaja shkojnë vetëm në shfrytëzimin e pasurive natyrore që kemi, partia ime ku unë aderoj hap fushatën e zgjedhjeve vendore, ku do të valëviten flamujt e fitores, ndërsa opozita proteston që nuk do të ketë zgjedhje dhe do të çirret në zemërim”, pohonte Beqiraj.

Shihni më tej, tonet e saj.

“Një udhëheqës nuk është ai që është zgjedhur nga partia, për të udhëhequr partinë, nuk është ai që është zgjedhur për të drejtuar qeverinë. Udhëheqës është ai, që është i kujdesshëm me çdo fjalë që nxjerr nga goja, me çdo vendim që merr për vendin e tij. Udhëheqës është ai që për të mbajtur popullin të bashkuar është i gatshëm të shpërfillë propagandën, dhe të arrijë kompromise pa kushte. Udhëheqës është ai që nuk ka nevojë të kërkojë të vërtetat në raportet e ndërkombëtareve, duke pritur dëshpërimisht një fjalë të mirë për punën e tij, për të thënë: “E shikoni kemi punuar!” Udhëheqës e burrë shteti është ai që ndahet nga pushteti “me një ndarje për të qenë” edhe pse siç thotë Kadare për të ndërtuar një ndarje për të qenë, është më vështirë se të ngresh një piramidë.

Gjatë ditëve të vështira të krizës kur acarimi, antagonizmi dhe armiqësia po shkonte drejt kulmit, Beqiraj ishte gjithnjë prezente.

Ajo mori si shembull shtyrjen e zgjedhjeve të pjesshme të Kavajës nga Edi Rama për të shmangur një përplasje civile në vitin 2017, ndërsa sot e gjithë ditën po kontrastonte me vendimin për t’u vlerësuar të asaj kohe.

Beqiraj u shpreh se dekreti i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve, ishte një zë racional, që duhej shfrytëzuar nga palët.

E pyetur në një rast, nëse ishte korrekte që të mbante këto qëndrime në publik, kur ajo është një person që ka përfituar nga mundësitë që i dha Rama, Beqiraj u shpreh se: Mirënjohja ime nuk do të mungojë kurrë për këtë. Nëse dikush mendon se për shkak të mirënjohjes duhet hequr dorë nga liria e të menduarit ndryshe, është vetëm një skllav. Unë nuk kam për të qenë kurrë e tillë. Besoj që PS-së nuk i hyjnë në punë skllevërit megjithëse duken më të lehtë për t’u menaxhuar.

Beqiraj nuk heq dorë nga Partia Socialiste. Ajo thotë se është një anëtare e thjeshtë, dhe bën jetë të zakonshme partie. Është e majtë, dhe sipas saj, pjesa më e madhe e ekonomistëve të atillë janë.

Ajo u bën vazhdimisht thirrje socialistëve që të zgjohen.

“Mendoj që recitimet me fitore, arritje, premtime, sharje apo akuza i rrezikojnë partitë, pasi promovojnë servilizmin, mediokritetin, paaftësinë dhe jo elitat. Aty ku debati, idetë, qëndrimi kritik respektohen, aty ka vizion dhe përparimi është i sigurt”.

Beqiraj është një mbështetëse e qëndrimeve kritike të Ditmir Bushatit.

“Unë besoj se brenda grupit parlamentar dhe PS ka mendje të mençura, të cilat po të fitojnë vetëbesimin se minimalisht dëgjohen, nuk anatemohen si kundërshtarë apo etiketohen si të pakënaqur, do të mund të artikulonin zgjidhje dhe mesazhe shumë më shpresëdhënëse, sesa klishe të tipit: Ne dialogojmë, por nuk negociojmë?”.

Irena nuk harron asnjëherë të jetë socialiste sa duhet. Në një analizë të do kohëve më parë, ajo nuk ngurroi të shprehë konsideratat për kreun e PD, Lulzim Basha, të cilin e akuzon se po bën gjithçka për pushtetin e tij personal.

Mandatin e dytë të Edi Ramës, ajo nuk e quan se erdhi për shkak të punëve të mëdha të mandatit të parë, apo se shitblerja e votës ishte aq vendimtare. Por sipas saj, qeveria ishte me fat, se kishte përballë një njeri që ka kryer disa vetëvrasje politike deri tani.

Beqiraj ka treguar kurajë në këto kohë të vështira ku trysnia e fortë e qeverisë dhe e tërë instrumenteve të saj, ka tulatur edhe senatorët hijerëndë të PS, të cilët nuk bëzajtën dhe bekuan në heshtje mbarimin e demokracisë në parti e më tej, rrezikimin e saj në gjithë vendin e sistemin. Me një pamje të qeshur, si amvisë e këndshme reklamash, Beqiraj po mundohet çdo ditë në Facebook-un e saj, të tregojë se nuk është dorëzuar, dhe se idetë dhe shqetësimet që ngre meritojnë vëmendje.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas