Si studente e Komunikimit, Irisa Veizaj kish qenë e vëmendshme sa herë koordinatorët e Erasmus organizonin në auditorët e UET takime informuese për studentët, ku veç mundësive studentëve u sugjerohen edhe si të mund të plotësojnë aplikime të suksesshme.
“Njohja ime me programin Erasmus ka qene pikërisht në një nga këto takime gjatë vitit të parë të studimeve. Aplikimi për këtë program u realizua një vit më vonë, në vitin tim të dytë të studimeve, pas informimit nga koordinatorja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare znj. Lula, për kryerjen e një semestri akademik në Spanjë” –rrëfen Irisa, duke shtuar se aty nisi edhe rrugëtimi i saj si studente Erasmusi.
Irisa vijon më tej, duke thënë se me dimensionin e pasur ndërkombëtar në kuadër të marrëveshjeve me universitete të huaja por edhe përfshirjes në skemën e shkëmbimeve studentore ishte njohur qysh kur kishe qenë maturante.
“Të tregohem e sinqertë një nga arsyet pse zgjodha Universitetin Europian të Tiranës ka qenë, se në takimet e ¨Gjimnaz Tour¨ u informuam që ishte një universitet që kishte marrëveshje bashkëpunimi me universitete të huaja dhe studentëve shqiptarë u jepej mundësia për të patur shkëmbime studentore”. Megjithatë, edhe pse e dinte këtë, nuk e kishte parashikuar se kishte përmasa aq të mëdha apo se do të përfshihej edhe vetë.
Përvojën në universitetin e Almerisë nuk e quan thjesht studentore, por një përvojë jete.
“Shprehem në këtë mënyrë sepse duke filluar që nga kampusi universitar, metodat e mësimdhënies, pedagogët e kualifikuar, koordinatorët që punojnë posaçërisht vetëm për studentët internacionalë e deri te studentët që njeh në auditorë. Është një shok kulturor duke të dhënë një pikëpamje të re të botës”- thotë ajo, e bindur se çdo student duhet ta provojë të paktën një herë gjatë jetës studentore,
“Erasmus nuk mund të përmblidhet me fjalë, duhet provuar që të mund të kuptosh vlerat e vërteta të programeve të tilla”.
Në këtë përvojë semestrale, Irisa ka gjetur shumë pika takimi mes kurrikulave të UET dhe Universiteti të Almerisë. “Pa dyshim që ka ndryshime, por integrimi i shpejtë në klasa, metoda e mësimdhënies, praktikat që zhvillojmë si dhe shkëmbimi studentor që aktualisht po kryej ndodhi pikërisht falë pikave të përbashkëta në kurrikula”. Ndërsa studimet në UET thotë se i kanë kthyer në një kalitje të personalitetit, mendimeve dhe dijeve.
“Edhe pas kësaj eksperience, UET mbetet zgjedhja e duhur, dhe jam e lumtur që do të kthehem të vazhdoj vitin e fundit të Bachelorit, pasi standardet e mësimdhënies janë ndërkombëtare dhe pedagogët e përgatitur” , thotë Irisa, ndërsa përfundon duke thënë se Erasmus për të nuk ka qenë thjesht një vit i jetës, por e gjithë jeta në një vit.