Vetëm 3 ditë pas humbjes në Hamburg me rezultatin 2-4 përballë Holandës, Gjermania do të ketë shansin të kthejë menjëherë faqen dhe të rikthehet te sukseset, pasi mbrëmjen e sotme do të luajë në transfertën përballë Irlandës së Veriut.
Të besuarit e Joakim Low zhgënjyen totalisht si me lojë edhe me rezultat përballë “tulipanëve”, por mbrëmjen e sotme do të kenë mundësi t’u shkaktojnë humbjen e parë vendasve dhe të marrin kreun e grupit.
Kalendari favorizoi ndjeshëm Irlandën e Veriut, që 4 ndeshjet e para i pati me dy kundërshtarët më të fortë të grupit, Estoninë dhe Bjellorusinë, duke arritur të marrë 12 pikë të plota.
Megjithatë 4 ndeshjet e radhës do të jenë përballë Gjermanisë e Holandës, ndaj jo vetëm kreu, por edhe shanset për kualifikim janë të reduktuara për irlandezo-veriorët, që gjithsesi do të tentojnë befasinë, duke filluar që nga mbrëmja e sotme.
Nga ana tjetër, pas fitores së bukur në Gjermani, Holandën e pret sot një tjetër transfertë, por këtë herë shumë më modeste, përballë Estonisë, ku marrja e 3 pikëve është një detyrim për djemtë e drejtuar nga Ronald Koeman.
Sfidat e tjera të mbrëmjes janë: Skoci-Belgjikë dhe Letoni-Maqedoni e Veriut, ku veçanërisht takimi i parë pritet të jetë vërtetë i luftuar, ndonëse belgët kanë marrë pikët maksimale deri tani dhe thuajse kanë prekur kualifikimin./SS/