fbpx

Kryesore

Irritimi i lëkurës së fëmijëve nga nxehtësia dhe kujdesi për puçrrat





               Publikuar në : 10:00 - 12/07/19 |
mapo.al

Në përgjithësi shfaqet në lëkurën e fytyrës dhe në pjesët ku lëkura formon palosje, (kofshë, krahë), prush në ngjyrë rozë në fytyrë dhe në palat e lëkurës, por në disa raste mund të mbulojnë edhe të gjithë lëkurën e trupit


Një mjedis i nxehtë dhe i paajrosur mund të shkaktojë irritime të lëkurës, pasi temperaturat e larta nxisin procesin e djersitjes e për pasojë gjëndrat e djersës zmadhohen dhe inflamohen. Irritimi i lëkurës nga nxehtësia është më i zakonshëm te fëmijët, pasi gjëndrat e tyre të djersës ende nuk janë maturuar e nuk funksionojnë ashtu siç duhet. Nga ky irritim shfaqen puçrra të vogla të kuqe në pjesët ku trupi është më i nxehtë, veçanërisht në qafë, fytyrë, bërryla dhe poshtë gjunjëve. Mjekja dermatologe pediatre, në Shërbimin e Pediatrisë, në QSUT, dr. Erjona Shehu, këshillon se për të evituar shfaqjen e këtyre puçrrave duhen pasur parasysh këto këshilla: fëmija nuk duhet veshur trashë në verë, duhet larë me ujë 33-37 gradë Celsius dhe të thahet mirë me peshqir, prindërit duhet të sigurohen që temperatura e dhomës të mos jetë shumë e lartë dhe ajri të qarkullojë, nëse puçrrat nuk zhduken pas 12 orësh, atëherë duhet kontaktuar mjeku.



Puçrrat e vapës (vaporet)


Puçrrat e vapës janë një shpërthim puçrrash të vogla (prush) në lëkurë të shkaktuara nga mbinxehja e tepërt e fëmijës. Kjo situatë është e shpeshtë gjatë stinës së verës, veçanërisht te foshnjat e vitit të parë të jetës. Në përgjithësi shfaqet në lëkurën e fytyrës dhe në pjesët ku lëkura formon palosje, (kofshë, krahë), prush në ngjyrë rozë në fytyrë dhe në palat e lëkurës, por në disa raste mund të mbulojnë edhe të gjithë lëkurën e trupit.

Parandalimi

Çfarë mund të bëni për të parandaluar puçrrat e vapës? Në stinën e nxehtë visheni fëmijën lehtë, vetëm me veshje të lehta pambuku. Zbulojeni fëmijën nga mbulesat e rënda e të trasha në shtrat. Bëjini banjë me ujë të vakët. Nëse ka puçrra mos e fshini fort pas larjes, por thajeni lehtësisht lëkurën me peshqir. Kur të thahet lëkura, mund të vini një krem hidratues për fëmijë. Mbajeni në hije, jo në rrezet direkte të diellit. Këshillohuni me mjekun nëse skuqja si prush nuk zhduket brenda 12 orëve.

Herpes simpleks

Infeksioni i lëkurës i shkaktuar nga virusi i quajtur Herpes simpleks, shfaqet në formën e një plage në trajtën e një grumbulli vezikulash, që kur thahen bëhen me kore. Ky virus qëndron i heshtur në pjesën e fundit të nervave. Ai kalon nga prindërit te fëmijët me anë të puthjes. Një rritje në temperaturën e lëkurës prej diellit të fortë etj., mund ta gjallërojë virusin dhe të çojë në formimin e një plage. Këto plagë nuk janë të rrezikshme, por duhet mjekuar. Lëkura skuqet dhe shfaqen puçrra të vogla gjatë buzës dhe poshtë hundës, që bashkohen dhe formojnë një plagë. Kjo fazë zgjat 10-14 ditë. Në kohën që këto plagë janë duke u zhvilluar, fëmija mund të ankohet për dhimbje në fytyrë, në vesh dhe gjatë përtypjes, sepse nervat e fytyrës ndikohen nga virusi. Plagët janë shumë ngjitëse dhe fëmija mund t’i përhapë në pjesë të tjera të fytyrës me anë të prekjes. Me shfaqjen e këtyre shenjave fëmija patjetër duhet dërguar te mjeku. Mjeku mund të rekomandojë mjekim nga goja dhe mjekime lokale, në varësi të situatës klinike.


Etiketa: , , , , , ,

Pas