Pas Devollit sot tensioni politik për bashkinë është zhvendosur në Kavajë. Marrja e detyrës nga kryebashkiakët e PS-së, të dalë nga votimet e 30 qershorit, duket se nuk është e lehtë në bashkitë e djathta.
Paraditen e sotme kur pritej të konstituohej këshilli i ri bashkiak në Kavajë dhe të betohej socialisti Redjan Krali, simpatizantë të shumtë të PD-së janë mbledhur përpara bashkisë.
Kreu aktual i Bashkisë së Kavajës, demokrati Isa Sakja përpara se të futej në zyrë dha një prononcim për mediat, duke u shprehur se nuk do ta lirojë zyrën, pasi në bazë të dekretit të Presidentit, më 30 qershor nuk ka patur zgjedhje lokale. Ai tha se në votimet e mbajtura nga PS kanë dalë vetëm 5 për qind e votuesve.
“Është e pamundur që populli i Kavajës të lejojë një të emëruar nga qeveria. Në Kavajë kanë dalë në votimet e 30 qershorit, vetëm 5 për qind e qytetarëve. Si mund të qeveriset një qytet nga vetëm 5 për qind e votuesve?! Ti rikthehemi zgjedhjeve të lira demokratike. Unë sot do të jem në zyrë si çdo ditë”, tha Sakja.
Ky zhvillim i fundit në Kavajë ka bërë që Policia e Shtetit të dërgojë përforcime. Përpos forcave të rendit atje është vendosur edhe ndërhyrja e shpejtë (FNSH). Aktualisht në zyrën e kreut të bashkisë qendron Isa Sakja. Ndërsa konstituimi i këshillit të ri pritet të bëhet në zyrën e n/prefektit, siç ndodhi edhe në Devoll. /Mapo.al