Ish-drejtori i Burgjeve do ti marrë shtetit 1 725 000 lekë ose 14 mijë euro. Vendimi është dhënë nga Gjykata Administrative e Tiranës, e cila pranoi kërkesën e Artur Zotos për dëmshpërblim.
Zoto u akuzua për korrupsion me tenderat, por u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda. Kështu, ai përpos pafajësisë mori dhe dëmshpërblim për 576 ditët e paraburgimit.
Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të padisë. “Detyrimin e palëve të paditura t’i paguajnë paditësit shumën 1 725 000 (një milion e shtatëqind e njëzetë e pesë mijë) lekë, si kompesim për periudhën e burgimit të padrejtë të kryer prej tij. Rrëzimin e padisë për kërkimet e tjera të saj”, shkruhet në dispozitivin e vendimit të dhënë në fund të muajit janar.
Artur Zoto u padit nga ish-vartësi i tij Iliaz Labi për korrupsion me tenderat e ushqimit në burgje. Labi gjatë procesit gjyqësor ka deklaruar se ka marrë 2 milionë lekë nga tre firma konkurruese në tendera, duke i ndarë paratë me eprorin e tij Artur Zoto. Shkalla e Parë e dënoi me 5 vite burg, por ky vendim u rrëzua në Apel. Me burg u dënua edhe Iliaz Labi po për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të drejtësisë 3 vite që ai duhet të kalonte në qeli u konvertuan në shërbim prove.
Etiketa: Artur Zoto, burgjeve, Demshperblim, ish drejtor