Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, tashmë në pension, Mit’hat Havari dyshon tek pista zyrtare e hetimeve se Admir Murataj është vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes së Rinasit. Sipas tij, ballafaqimi i fakteve në vendngjarje tregon se Admir Murataj është eliminuar nga shokët e tij.
Duke folur për “Top Story” ai tha se “versioni i dytë i bie që të jetë te grabitësit, është një lloj akt human që shteti policia kur u janë vrarë shokët i kanë marrë me vete, edhe grabitësit kanë atë unitetin me njëri tjetrin nuk mund ta linin të braktisur këtu koka e këmbët andej, për mua është shumë e qartë”, tregon Mitat Havari.
Po kështu edhe gazetari Artan Hoxha thotë se “sigurisht nuk duhet dalë se kush ka qëlluar nëse do ishte nga policia por predha nuk ka dalë nga armët e policisë. Nëse nuk ka dalë nga policia dyshimi bie mbi anëtarët e tjerë. A është goditur gabimisht në shkëmbim zjarri apo qëllimisht kjo duhet provuar nga hetiomet”.
Në analizën që bën për ngjarjen, ish-drejtori i policisë Arben Hajdarmataj, tregohet disi më i rezervuar për të arritur në konkluzion. Ai, i lë të hapura të gjithë variantet.
“Nuk përjashtohet asnjë lloj variant, asnjë lloj mundësie se ka shumë variante që edhe mund të jetë vrarë nga shokët, mund të jetë vrarë nga shkëmbimi dhe shokët e kanë lënë…”, tha Arben Hajdarmataj.
Hajdarmataj thotë se zgjidhja e këtij misteri mund të vijë nga eksperimenti që mund të bëjë grupi hetimor në terren.