Ish-ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, është shtruar me urgjencë sot në spital me probleme të rënda shëndetësore. Hajdaraga, 66 vjeç ka pësuar ishemi në tru.
Mësohet se Hajdaraga ka qenë në Strugë, Maqedoni, ku jep mësim në një universitet shqiptar.
Bëhet me dije se, Hajdaraga, ka qenë në pikën kufitarë të Qafë Thanës, duke u kthyer në Shqipëri kur ka pësuar ishemin.
Po ashtu burimet bëjnë me dije se, ish-ministrit socialist i është dhënë ndihma e parë në mënyrë urgjente, për t’u nisur më pas drejt Përrenjasit, ku e priste helikopteri që do e sillte drejt spitalit të kryeqytetit.
Po kështu, burime për “BalkanWeb” pohuan se, kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, është ngarkuar për t’u marrë me menaxhimin e situatës shëndetësore të ish-ministrit socialist të Mbrojtjes, gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 1999.
Një helikopter ka marrë z. Hajdaraga për ta transportuar në një nga spitalet e Tiranës, për mjekim më të specializuar.
Për momentin ish ministri i Mbrojtjes ndodhet në ambientet spitalore në Tiranë, ku dhe po merr shërbimet e nevojshme për stabilizimin e parametrave jetësore.