Kreu i ARRSH, Afrim Qëndro është shkakruar sot nga detyra, në vend të tij do të jetë Sonila Qato, bën me dije News 24. Qëndro ka qenë në krye të ARRSH vitet e fundit, por pas skandalit me DH Albania, ka qenë edhe në qendër të akuzave të opozitës.
Partia Demokratike në shumë nga denoncimet e saj ka përmendur dhe emrin e Qëndros si një të korruptuar. Në lidhje me akuzat që janë bërë Prokuroria ka nisur dhe një hetim për tenderin e Unazës së re dhe një prej linjave të OST, në të cilat kishte fituar kompania “DH Albania”.
Drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro, javën e shkuar zhvilloi një seancë pyetjesh në Prokurorinë e Tiranës, në lidhje me çështjen e falsifikimit të dokumenteve nga ana e kompanisë “DH Albania”.
Burime bënë të ditur se, Qëndro është pyetur në lidhje me procedurat dhe verifikimin e dokumentacionit të dorëzuar nga kompanitë që kanë konkurruar. Kujtojmë se organi i akuzës, më herët, ka sekuestruar këtë dokumentacion dhe ka bërë këqyrjen e tij.
Edhe pse Qëndro në dalje nga organi i akuzës u shpreh se ka bërë punën e tij dhe do të vijojë ta bëj, sot është njoftuar shkarkimi i tij dhe do të zëvendësohet nga ish-ministrja e për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit të kaluar, pasi u shkarkua dhe është zëvendësuar me Eduart Shlasin.