Integrity Initiatives International është një organizatë, e cila ka për qëllim ngritjen e një gjykate ndërkombëtarë anti-korrupsion, që do të sillte si pasojë forcimin e ligjeve kundër korrupsionit dhe dënimin e liderëve, të përfshirë në afera. Tingëllon si Reforma në Drejtësi, me organe si SPAK apo Gjykata e Posaçme Anti-Korrupsion, të ngritura me synimin e ndëshkimit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë shqiptarë, të përfshirë në korrupsion, por vendndodhja është përtej oqeanit dhe shtrirja shumë më e gjerë se vendi ynë i vogël.
E drejtuar nga një gjyqtar i lartë i Gjykatës së Massachusetts, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo organizatë sapo ka hapur dyert për shqiptaren Inva Hasanaliaj.
E diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës, për Marrëdhënie Publike e Komunikim, ish-studentja rrëfen se aktualisht mban postin e planifikues strategjike të mediave. “Ka të bëjë me komunikimet publike që kjo organizatë ka si me publikun e gjerë, ashtu edhe me individët të cilët do të nënshkruajnë për të dhënë pëlqimin mbi ngritjen e kësaj strukture”, rrëfen Hasanaliaj.
Ajo zbulon më tej se u përzgjodh nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit për një program 6 mujor internshipi dhe prej gati dy javësh ndodhet në Boston.
Ajo shton më tej se kjo organizatë drejtohet nga gjyqtari i lartë Mark Lawrence Wolf, i cili ndërkohë është gjyqtar i lartë për Gjykatën e Qarkut të Shteteve të Bashkuara për Distriktin e Massachusetts. “Misioni i Integrity Initiatives International është të forcojë zbatimin e ligjeve penale për të ndëshkuar dhe penguar liderët që janë të korruptuar dhe shkelin rregullisht të drejtat e njeriut, si dhe të krijojë mundësi për procesin demokratik për t’i zëvendësuar ata me liderë të përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve të tyre në vend që të pasurojnë veten e tyre”, shton më tej ish-studentja e UET.
Aktualisht organizata është në fazën e mbledhjes së firmave, ku mbi 75 vende në të gjithë botën kanë nënshkruar deklaratën e kësaj organizate, 42 ish-kryeministra dhe presidentë dhe 250 individë të ndryshëm nga organizata apo fushat ë tjera.
Përpara se të shpërngulej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – ku rrëfen se nuk ka në plan të qëndrojë përgjithmonë, por të kthehet e pasuruar me përvojë e të kontribuojë këtu-, Hasanaliaj i numëron disa vite punë në fushë të komunikimit.
“Kam qenë e përfshirë në disa projekte të mbështetura, ose të iniciuara nga Ambasada Amerikane në Tiranë fillimisht ishte Laboratori i Gazetarisë Investigative dhe më pas “Faktoje.al”, media e parë fact-checking në Shqipëri”, tregon ajo.
Pohon edhe vështirësitë e prurjes së konceptit të verifikimit të informacionit të përcjellë në mediat shqiptare, në një kohë kur në botë mediat e kanë të paktën një strukturë të verifikimit të fakteve, brenda redaksive të tyre.
“Të bësh verifikime në Shqipëri është një sfidë, sidomos kur përmend këtu disa periudha të vështira që vendi ynë kaloi dhe secila prej tyre prodhoi një gamë mjaft të madhe dhe të ndryshme lajmesh të rreme. Kjo periudhë nisi me tërmetin e nëntorit të vitit 2019 vijoi me pandeminë dhe vazhdoi me luftën në Ukrainë”, pranon e reja, duke shtuar se “lajmet e rreme janë një fenomen i cili nuk ka lindur dekadat e fundit, ai ka ekzistuar gjithmonë thjesht ka evoluar ashtu sikurse komunikimi njerëzor, nuk mund të pretendosh që do të zhduket por mund të parandalosh apo të minimizosh efektet që jep”.
Por, përvoja e saj e parë në media, është në të përditshmen Gazeta MAPO. Ishte ende studente e UET, kur trokiti në dyert e redaksisë, në një mundësi internshipi të dhënë nga universiteti, i cili kujdeset që përmes bashkëpunimeve të ngushta me botën e biznesit dhe më gjerë, t’u sigurojë studentëve mundësi të vërteta praktikash dhe punësimi.
“MAPO ka qenë eksperienca ime e parë si gazetare dhe për më tepër në një gazetë të shtypur. Sot janë të paktë ata studentë të cilët e kanë mundësinë të jenë pjesë e një eksperience të tillë”, thotë me bindje Hasanaliaj. Ndonëse me teknologjinë, shtypi ka ardhur në zbehje, për shkak edhe të kostos së letrës, e reja mendon se gazeta e shtypur është një lakmus për profesionistët e fushës. “MAPO më dha mundësinë jo vetëm të jem gazetare, por gazetare ekonomie e cila në fakt për moshën time ishte me të vërtetë sfiduese, por më mësoi se ku qëndrojnë bazat e gazetarisë. Stafi i MAPO-s nga ana tjetër ishte një arsye pse kjo eksperiencë nuk më frikësoi, pasi kam pasur mbështetje në çdo kohë”, kujton ajo.
Periudha e praktikës së punës, ku studentja pati mundësinë të shkruajë artikuj që mbajnë autorësinë e saj, të cilat i ruan ende sot në versionin e shtypur, zgjati një vit dhe e aftësoi të renë për përvojat e ardhshme.
Ajo i kreu studimet dhe u diplomua në UET më 2016-n dhe sot është pjesë e rrjetit të të diplomuarve UET Alumni, të cilët mblidhen çdo vit dhe kanë mundësi të ndajnë në këtë rreth përvojat profesionale dhe arritjet, ku në shumë raste i kanë kaluar edhe kufijtë e vendit.
“Eksperienca ime në UET si studente ka qenë e shkëlqyer. Kjo, për faktin se kam pasur mundësi të marr leksione nga profesorë të cilët janë emra të mëdhenj në fushat që drejtojnë. Kam pasur mundësi jo vetëm të mësoj prej tyre ashtu sikurse pritet në çdo universitet, por kam shkëmbyer ide dhe kam qenë sëbashku me ta pjesë e projekteve të ndryshme që ka ofruar në atë kohë universiteti”, pohon ajo.
Hasanaliaj thekson se tipari që e ka veçuar UET-in mes institucioneve të arsimit të lartë, është mënyra e trajtimit të studentit, si një aset, që do të kontribuojë në të ardhmen për jetën shoqërore në vend. “…dhe si rrjedhojë kjo është një fitore në vetvete për universitetin. Studentët nga ana tjetër , të paktën për brezin të cilit unë I përkas sot janë pjesë e kompanive organizatave të ndryshme strukturave institucionale dhe për këtë them se jam e lumtur të them që kam ndarë auditorët me ta”, shton ajo.
Inva Hasanaliaj u vlerësua më 2018-n, me çmimin e presidentit të Universitetit Europian të Tiranës, për përkushtimin dhe rezultatet maksimale, gjatë studimeve, duke u shndërruar në përfaqësues të universitetit në mjedisin shoqëror.
Si sekret të suksesit, në karrierë, e reja mendon se lidhet me disiplinën në përditshmëri. “Mendoj se janë gjërat ë vogla që bëjmë ato që ndërtojnë rrugën për çfarë gjejmë nesër. Sa informohemi për ndryshimet që ndodhin në fushat që ndjekim, sa kohë shpenzojmë në rrjetet sociale pa qenë e nevojshme, ose pa marrë atë që na nevojitet, ose cili është rrethi i njerëzve me të cilët zgjedhim të kalojmë kohën”.
Për studentët e rinj të Universitetit Europian të Tiranës, që nisin në tetor rrugëtimin akademik, , ka një këshillë: “Fillimisht zgjidhni fushën që ju mendoni se dini të bëni më mirë, jo atë që prindërit tuaj po të ishin në vendin tuaj do ta bënin më mirë dhe merrni maksimumin nga çdo orë, që kaloni brenda universitetit.
Pas përvojës në ShBA, mendon të kthehet. “Mendoj që kam ende kohë në dispozicion për tu lodhur, për t’i bërë edhe përpjekjet e fundit, përpara se të them që nuk kam më çfarë jap në Shqipëri. Nuk pretendoj se unë e vetme si individ mund të ndryshoj gjithë sistemin sepse do ishte naive, por ajo që më pëlqen gjithmonë të them është se mund të jap kontribut për një ndryshim të vogël…”
Për ish-studenten e UET-it, sot profesioniste në fushë të komunikimit dhe marrëdhënieve publike, është fitore s të nxitë në këtë sipërmarrje edhe sikur një apo dy njerëz të tjerë, që do të duan të punojnë për ta ndryshuar për mirë realitetin e vendit.