Kryesore

Hysen Sinani/ Njohja me francezin Vedat dhe sherri me kryeredaktorin






               Publikuar në : 09:05 - 29/09/19 |
Hysen Sinani

Në këtë numër, Hysen Sinani tregon fillimet e tij në Lidhjen e Shkrimtarëve, njohjen me “francezin”, siç e cilësonin përkthyesin Vedat Kokona, si dhe sherrrin e madh që pati me kryeredaktorin e shtëpisë botuese. Batutat me Dritëroin, Llazar Siliqin e detaje të tjera të atyre ditëve.


Brezi i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve



Kam pasur fatin t’i njoh dhe t’i bëj miq disa prej themeluesve të Lidhjes së Shkrimtarëve të pasluftës si Shevqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Fatmir Gjata, Luan Qafëzezi, Kolë Jakova, Ali Abdihoxha e plot të tjerë që i respektoja për titullin e shkrimtarit, por edhe i doja. E kam kuptuar shumë shpejt përse i doja këta ish partizanë-poetë që e donin letërsinë shqipe, aq sa të dukej sikur ata e mendonin veten pronarë të kësaj letërsie. Madje, më dukej mua në atë kohë por edhe tani, ata i prisnin të rinjtë e talentuar të letërsisë si një pasuri që i shtohej pronës së tyre të përbashkët. Nuk ndienin xhelozi ndaj krijimeve të tyre, ndoshta ngaqë e dinin që rivalitetet më shumë lindnin brenda të njëjtit brez. Ose ndoshta ngaqë e kishin kaluar një përplasje me brezin e mëparshëm, me revolucionarët e vargut të ri, ku kishin dalë të humbur përpara gjykimit të Partisë së Punës. Personalisht, në konceptimin e poezisë dhe të letërsisë në përgjithësi, unë do të isha në hapin e poezisë së Moikom Zeqos, për të cilin kisha shkruar dy a tre vite më parë edhe një artikull që revista “Nëntori” nuk ma kishte botuar. Dhe kishte bërë shumë mirë, sepse pas disa muajsh do të niste lufta kundër “shfaqjeve të huaja” në arte e letërsi dhe me siguri që nuk do të mbetesha jashtë kritikës.

Por nga ky brez i parë i Lidhjes, për të mos u larguar shumë nga ajo që dua të them, Fatmir Gjata dhe Llazar Siliqi ishin ata që më deshën dhe më përkrahën më shumë. Ishte ditë e martë, kur në institucionin e Lidhjes dy ditët e para të javës punohej nga tri orë edhe mbasdite. Nja një gjysmë ore mbasi isha ulur në zyrë, vjen Fadili, administrator i Lidhjes, që më thotë se po më prisnin poshtë në sallë Dritëroi me Fatmirin, bashkë me një francez. U ngrita menjëherë duke menduar se do të kishin nevojë për përkthyes. “Francezi” qe një burrë i pashëm dhe i thinjur, ndoshta gjashtëdhjetëvjeçar a diçka më shumë. Mbas përshëndetjeve në frëngjisht nga të dy, Fatmiri, duke më zgjatur një fletë të daktilografuar, më thotë:

– Lexoje këtë poezinë dhe më thuaj si është përkthyer në frëngjisht.
Ngritëm sytë të dy duke u vështruar për një çast pa folur e duke menduar, unë: “Qenka një francez që ka mësuar shqip”, ndërsa edhe “francezi” mund të ketë menduar po kështu. E lexova poezinë me vëmendje dhe pa dëgjuar se çfarë bisedonin ata, pastaj i thashë Fatmirit:
– Mirë është përkthyer.
Kjo përgjigje na kishte zbuluar që të dy; asnjëri nga ne nuk ishte francez.
– Vedati ka përkthyer një cikël nga poezitë e mia, për një antologji, – tha Fatmiri, – dhe ne të thirrëm për t’ju njohur. Sepse, i thashë Vedatit që na ka ardhur në Lidhje një francez që po mëson shqip, kurse Hyseni është redaktor në “Drita”, – shtoi për Vedatin duke qeshur.

– Hysen, – tha Vedati në mënyrë të natyrshme, – jam kureshtar të di, si do të shpreheshe ti në frëngjisht për të treguar se i shërben vetes?
– Se servir de – i thashë pa menduar.
– Po, – miratoi ai, – ua bëj shpesh këtë pyetje studentëve të mi, por nuk më përgjigjen.
E vështrova me habi e ndoshta me ndonjë pamje që tregonte se nuk më kishte pëlqyer fare pyetja e tij, por i thashë si duke qeshur:
– Epo unë jam një student që e ka përdorur shumë fjalorin e profesorit të tij.
Ai qeshi. Pas pak u ngrit dhe u largua.
Fatmir Gjata tha:

– Me sa duket priste ndonjë vlerësim me superlativa për atë përkthim, sepse më tha që ishte më i miri.
Unë u zura ngushtë dhe u shfajësova se, po ta dija këtë, do të kisha thënë fjalë më të mira.
Dritëroi tundi kokën.

– Mos u bëj merak, – tha, – se shkrimtar mesatar është. Ia kam lexuar edhe dramat.
Dhe me këtë përzierje të qëllimshme, donte të thoshte se, edhe si përkthyes, mesatar duhej të ishte.
Në këtë kohë, te dera e sallës së madhe, futi kokën kryeredaktori im, na pa të treve, përshëndeti dhe mbylli derën pa hyrë brenda. Po në këtë kohë, u ngrit edhe Dritëroi duke i thënë Fatmir Gjatës:

– Po ngjitem lart, t’i shoh edhe një herë materialet.
– Mirë, për dhjetë minuta më ke aty, – ia ktheu Fatmiri, pastaj më pyeti mua: – po Vedat Kokona, si t’u duk?
– Në çfarë kuptimi?
– Me pyetjen që të bëri.

Heshta pak, pastaj i thashë:
– Më kujtoi Jusuf Vrionin në takimin që pata për përkthimin e “Nënës Shqipëri”. Çfarë burri ishte! Ma shtrëngoi dorën përzemërsisht dhe në sy të shefes së redaksisë, Fatime Afezollit, më tha: “Hysen, e lexova me vëmendje përkthimin tënd dhe më kanë lindur disa pyetje…” Unë u preva, duke menduar se do të kishte shumë vërejtje. Ai nisi të më pyesë: “Kur fillove përkthimin ose gjatë përkthimit a ke lexuar poezi kineze apo vjetnameze të përkthyera në frëngjisht?” Jo, i thashë, nuk më kanë rënë kurrë në dorë. “Po nga përkthimet e poezive tona në frëngjisht, çfarë ke lexuar? – vazhdoi të më pyeste në një mënyrë mjaft shqetësuese për mua.” Më vjen keq, i thashë, por as nga këto poezi të përkthyera nuk kam lexuar. Kam pasur përpara, që i shikoja herë pas here për intonacionin poetik, vetëm disa poema të Lui Aragonit. “Të lumtë, tha ai dhe iu drejtua shefes, me të cilën duhej të kishte pasur një bisedë të mëparshme për një version tjetër të përkthimit. – Për këtë gjë e kisha fjalën kur e krahasoja me atë përkthimin tjetër, i cili edhe është paguar, dhe këtu kemi një farë problemi…”

– Lëre, Jusuf, se e bisedoj unë me Hysenin atë çështje! – i tha Fatimja.
Ishte fjala që të mos bënin dy pagesa për të njëjtën punë, por për të gjetur një mënyrë tjetër në formë honoraresh.
– Epo, është soj tjetër Jusufi, – tha Fatmiri dhe më pyeti: – Do ta marrim nga një gotë të vogël ne të dy?
– Jo, – i thashë, – sepse kam lënë shkrimin përgjysmë dhe ndoshta kryeredaktori prandaj e futi kokën në derë.
Sikur ta kishte dëgjuar atë që thashë, Duroja e hapi përsëri derën përgjysmë dhe më thirri që aty:
– Eja pak lart!
– Tani do ngriheshim, – i tha Fatmiri, por ai nuk e dëgjoi, sepse e kishte mbyllur derën. – Si shkon me të? – më pyeti mua.
– Çka, – iu përgjigja. – Është njeri nopran dhe i nxituar.
– Është injorant, thuaj!
– Nuk e them atë, por mezi merresh vesh me atë njeri, flet shpejt dhe e ka të gatshëm mendimin për çdo gjë. Pastaj, ka edhe një ton urdhërues të padurueshëm.
Fatmiri ndenji ulur, unë ngjita shkallët për në zyrën e kryeredaktorit. Sapo hapa derën, ai m’u vërsul me fjalët:
– Pijanec, me ty do merremi ne!
Nuk jam shumë i sigurt për reagimin tim në atë befasi agresive. Në raste të ngjashme, njerëzit e ndershëm të punës të qëllojnë, ngaqë fjala e fundit e shterron arsyetimin. Por unë nuk e qëllova. Veçse duhet ta kem sharë, madje duhet ta kem sharë me një breshëri të fortë rruge, sa ai shtangu dhe nuk nxorri as një gjysmë fjale nga goja. Aq i zemëruar dhe i nervozuar isha, sa vazhdoja ta shaja edhe në korridor mbasi i përplasa derën e zyrës. Aty ndodheshin disa anëtarë të Kryesisë së Lidhjes që hapën sytë nga reagimi im. Fatmir Gjata më ndoqi pas deri te Klubi i Lidhjes, ku më tha të uleshim dhe e porositi banakieren për një raki.
– Çfarë ndodhi? – më pyeti.
Ia tregova.

– Mirë, – më tha, – mua më duhet të shkoj në mbledhje, sepse pritet që të vijë edhe Ramiz Alia. Ti më prit këtu, ose më mirë ik dhe qetësohu në shtëpi.
Në vend të tij u ul Llamro Ruci, poet dhe redaktor në revistën “Nëntori” e cila i kishte zyrat në katin e parë të ndërtesës.
Ia tregova edhe Llambros incidentin. I thashë që kryeredaktori im nuk priste asnjë shkrim nga unë, por ishte thjesht një inat që më shihte të pija kafe me Dritëroin dhe Fatmirin. Ishte një inat për të më treguar mua se përpara tij unë isha askushi. Por unë nuk i kisha duruar kurrë shefa të tillë, as atje në montimet midis maleve ku kisha punuar.

Çfarë trimoshi ishte ky nga labëria?!
Llambro buzëqeshte me nofkat e mia dhe mundohej të më qetësonte.
Dolëm nga Lidhja e Shkrimtarëve, si për të marrë ajër të pastër dhe për t’iu larguar ideve të zymta që më ngjallte ai mjedis. Shkuam e pimë nga një kafe te kafene “Flora”, pastaj nga një birrë te bar “Peza” dhe ndoshta aty rreth orës tetë të mbrëmjes u kthyem në Lidhje. Mbledhja kishte mbaruar dhe Ramiz Alia nuk kishte ardhur, na tha Fadili që ndodhej aty. Tavolinat ishin të zbrazura. Ne nuk donim t’i ktheheshim edhe një herë bisedave tona për grindjen, ndaj shpejt u ngritëm e dolëm. Llambro do të më përcillte deri te shtëpia ime e vjetër që ndodhej në fund të Rrugës së Pishës, aty ku sot është dera e pasme e Ministrisë së Jashtme.

Isha i shtrirë dhe po shikoja orën e murit që ra dymbëdhjetë herë, kur në atë çast trokitën në derë. U habita për këtë vizitë në orë të vonë; u habita edhe më tepër kur në derë pashë Llazar Siliqin bashkë me Fatmir Gjatën.
Mbas një hajati të ngushtë e të shkurtër, i futa te dhoma ime, në të majtë. Dy dhomat e tjera në të djathtë të hajatit ishin bosh, sepse nëna sapo më kishte vdekur, ndërsa motra e vogël qe martuar. Por varfëria dukej edhe në atë dhomë ku i futa unë e ku ndodhej vetëm një tryezë e madhe e mbushur me libra, një faqe muri e sajuar si bibliotekë nga vetë unë, shtrati ku flija dhe një divan i bërë po nga unë si imitim i atyre me shpinë që shiteshin tetë mijë lekë.

– Mezi e gjetëm shtëpinë, – tha Llazari, – edhe pse qe e thjeshtë, por këtu në fund të rrugës nuk kishte njeri që ta pyesnim. E gjeti Fatmiri: kjo është portë e vjetër tiranase, tha dhe trokiti.
– Me çfarë t’ju qeras, – u thashë, edhe pse nuk kisha asgjë në shtëpi.
– Me kurrëfarë gjëje, – tha Llazari, – kemi ardhë nga darka.
– Me ujë të ftohtë, po pate, – shtoi Fatmiri, që dukej se kishte etje.
– Uji është i Selitës, i mirë dhe i ftohtë. Veçse do më prisni një minutë, sepse e kam çezmën në oborr.

Mora kanën mbi tryezë dhe kur u ktheva e po u mbushja gotat, Llazari tha:
– Më tregoi Fatmiri për grindjen me Duron. Më tha që ishe mërzitun shumë dhe nuk doje të ktheheshe mâ në Lidhje…
– Nuk mund të vij më, – i thashë, – pas gjithë atyre të sharave, nuk mund të punoj më me atë njeri.
– Kështu më tha edhe mua, – përforcoi Fatmiri, dhe piu gotën me ujë deri në fund duke u kënaqur si me asgjë tjetër “me këtë ujë të bekuar nga perëndia”.

– Shiko, Hysen, – filloi Llazari me atë natyrën e tij paqësore prej babaxhani. – Ti në Lidhje nuk ke ardhë as për Duron, as për mua e Fatmirin dhe as për Dritëroin. Ti ke ardhë për talentin tand, për punën tande të madhe derisa ke arritur aty ku je. Një grindje, sado e ashpër të jetë, në punën e përditshme, nuk ashtë fundi i botës, prandaj nuk ke përse të largohesh…

– A e di si i tha Dritëroi kryeredaktorit tënd kur i treguan se çfarë kishte ndodhur? “Po mirë, o Duro, kur pi një gazetar, ti i thua pijanec, në vend që t’i japësh makinën dhe ta dërgosh në shtëpi?”

– Aq ma mirë, – vazhdoi Llazari, – domethanë se nuk e kanë miratuar fyerjen e tij dhe në mbledhjen që do të bahet thuaj se e kishe gabim që nuk e përmbajte veten… Dhe le të kalojë me kaq kjo gjë, jo ma shumë…

Nuk po e dëgjoja më. Po më vinte turp nga këta dy burra afër të gjashtëdhjetave, të cilët dashamirësia ndaj meje i kishte detyruar të vinin në mesnatë në shtëpinë time për të më këshilluar se çfarë duhej të bëja. Nuk do t’ua prishja kurrë, çfarëdo që të më kërkonin. Por ata donin vetëm që unë të vija të nesërmen si çdo ditë në punë dhe kur të bëhej mbledhja e kolektivit, të mbaja këtë qëndrim që thoshte Llazari.

Në të vërtetë, as për këtë qëndrim nuk pati nevojë, sepse diskutimi në kolektiv mori atë rrjedhë, sa u mbyll me fjalët e Llambro Rucit.
Kur kryeredaktori tregoi se i kishin thënë që unë e kisha pritur deri në ora nëntë të mbrëmjes për t’u zënë, Llambro u ngrit në këmbë dhe e kundërshtoi:

– Nuk është e vërtetë, – i tha ai. – Deri në ora nëntë kam qëndruar unë me Hysenin dhe e vetmja gjë që ka përsëritur disa herë ishte keqardhja që i ndodhte kjo gjë, sidomos me shokun Duro për të cilin kishte respekt.

Këtë të fundit e kishte shtuar nga ana e tij, por ndoshta kjo edhe i vuri kapakun asaj zhurme të një mbasdite terse, si e marta e maces së zezë. Kaq ishte. As për ndonjë masë paralajmëruese nuk u kujtua njeri.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas