Nga Hysen Sinani
Si më sollën në Lidhje?
Kur shoh ndonjëherë ish-ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të shkretë dhe të përdorur vetëm në një kthinë për Vetingun e ditëve të sotme, nuk mund të rri pa kujtuar njëzet a tridhjetë vjet të kaluara nëpër vorbullën e shoqatës së dikurshme, ku kisha qenë gjithmonë i huaj për të. Gjithçka më vjen në mendje si një e shkuar surreale me njerëz të çuditshëm që më tepër ngjajnë me trillimet mbi këta njerëz se sa me veprimet e tyre të vërteta, për të cilat sot mund të thuash se nuk kanë të ngjarë të kenë ndodhur…
Duhet të ketë qenë pranvera e vitit 1975, sepse ishin bërë ndryshimet administrative në Shqipërinë revolucionare dhe unë sapo kisha përkthyer në frëngjisht poemën e famshme “Nënë Shqipëri” të poetit Dritëro Agolli, që në atë kohë ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve.
Ai më kishte thirrur në zyrë dhe unë po i ngjisja shkallët e kësaj ndërtese me omocion e shpresë, sepse e merrja me mend që aty më thërrisnin për ndonjë gjë të mirë, ngaqë nuk kisha të bëja fare me këtë organizatë krijuesish.
Ashtu qe.
Dritëroi më priti i qeshur dhe, shoqërisht e shkurt, më tha:
– Dëgjova që duan të të marrin përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. E kishin pritur mirë përkthimin e poemës sime dhe Jusuf Vrioni i kishte thënë drejtorit se ti mund të punoje që tani si përkthyes i shqipes në gjuhën frënge, apo jo? Ta kishte thënë edhe ty më duket, në sy të shefes së redaksisë.
– Po, ma tha.
– Ky është vlerësim i madh për një autodidakt si ti, sepse ne i dërgojmë studentët tanë nga pesë a gjashtë vjet jashtë shtetit për të studiuar dhe nuk e bëjnë këtë punë.
– Faleminderit!
– Mirëpo unë kam menduar një gjë tjetër për ty: them të vish këtu, në Lidhjen e Shkrimtarëve, në gazetën “Drita”, si redaktor e gazetar, sepse më thanë që të pëlqen edhe letërsia. Atje, përkthyes në shtëpinë botuese, do të jesh si në burg…
Në të vërtetë, po fluturoja nga gëzimi, ndaj nxitova t’i them:
– Unë përkthimin e kam të dorës së dytë, si i thonë. Frëngjishten e kam mësuar që fare i ri për t’u bërë shkrimtar, në qoftë se do të bëhem…
– A shkruan?
– Shkruaj tregime, por nuk kam botuar deri tani.
– Do të botosh, por eja me mua!
Doli nga zyra e tij, trokiti në derën përballë ku shkruhej Gazeta “Drita” – Kryeredaktori dhe i tha njeriut që ishte ngritur në këmbë me të hyrë ai:
– Duro, jepi Hysenit të bëjë ndonjë shkrim për gazetën, ndonjë recension apo reportazh, çfarë të duash, se ky i bën të gjitha… Do të shihemi, – m’u drejtua mua dhe më la aty me kryeredaktorin.
– Ulu, – më tha kryeredaktori dhe sikur po mendohej për shkrimin që do të më ngarkonte të shkruaja.
Isha kureshtar të dija cili do të ishte shkrimi im i parë për atë gazetë letrare që e lexoja prej vitesh çdo të diel.
– Na bëj një reportazh nga Ndërmarrja Artistike “Migjeni”, – tha ai. – Shiko diçka karakteristike në punimet e tyre të veçanta dhe na e sill me frymëzim poetik.
– Me gjithë qejf, – ia ktheva, – sepse e njoh atë ndërmarrje.
– Aq më mirë! Po e solle nesër, e botojmë që këtë numër.
Unë ngurrova. Ishte ditë e martë, e nesërmja e mërkurë.
Ai e kuptoi ngurrimin tim.
– Mirë, edhe pasnesër në mëngjes, – tha, – por jo më vonë, sepse shkon materiali në shtypshkronjë. Ndryshe do të mbetet për numrin tjetër.
Por unë do të bëhesha copash dhe reportazhin do t’ia dërgoja të nesërmen. Më kishte ardhur në dorë një rast i artë dhe nuk do ta lija të më ikte për asnjë arsye. Madje, kërkesës së kryeredaktorit do t’i shtoja edhe diçka nga vetja: disa fotografi ilustruese nga puna në ndërmarrje.
Ndaj shkova menjëherë te miku im fotograf Besim Fusha, të cikit i kërkova një aparat fotografik. Më tha se do të më shoqëronte edhe ai në këtë “porosi” të parë. Por unë doja t’i bëja vetë fotot. “Ti do t’i bësh, – ma ktheu ai, – por unë do të jem me ty”.
Të nesërmen, reportazhi ishte gati që në mesditë: ishte shkruar me stilograf, qe daktilografuar në dy kopje dhe qe shoqëruar me disa fotografi nga autori i shkrimit.
Nuk besoj të ketë bërë ndonjë përshtypje kushedi çfarë, por ma merr mendja që kryeredaktorit do t’i ketë pëlqyer shpejtësia e realizimit, sepse e kishte filluar reportazhin që në faqe të parë, duke e ilustruar me dy fotografi, pa harruar të shënonte poshtë tyre që ishin bërë nga autori i shkrimit.
Nuk kam menduar shumë për shkakun e mirëpritjes që gjeta në Lidhje, ende pa filluar punë aty, por tani them se do të ketë mjaftuar mendimi që një djalë i ri nga Tirana, me dy gjuhë të huaja dhe i zgjedhur nga kryetari i shkrimtarëve e artistëve për të punuar në gazetën “Drita”, edhe pse nuk e kishte kryer arsimin e lartë, të vishej me një lloj kureshtjeje dhe simpatie.
Njerëzit e parë më miqësorë për mua atje do të ishin redaktorja e re Diana Çuli dhe bibliotekarja e Lidhjes, shoqja e saj, Flutura Greva, tek e cila do të gjeja një pasuri të madhe të letërsisë franceze të kohës.
Ndërsa prisja kryerjen e formaliteteve të emërimit në këtë qendër kryesore të kulturës shqiptare, Diana më porositi të shkruaja dy recensione për romanet “Shkëlqimi i rremë” dhe “Nëntori i një kryeqyteti” që ishin botuar së fundi te ne dhe kishin për autorë njëri Dhurata Bozdon, autore e re, por jo në moshë, ndërsa tjetri Ismail Kadarenë, për të cilin redaktorja më tha se qe pak i mërzitur ngaqë për gazetën ende nuk po shkruante njeri mbi romanin e tij. Të dy shkrimet u pritën mirë në Lidhje dhe mua më qe zgjeruar rruga e ngjitjes letrare që mund ta kisha ëndërruar vetëm si një mundësi.
Më në fund, erdhi edhe ajo ditë kur kryetari i degës së kuadrit në Lidhje, Thoma Frashëri, një burrë simpatik i brezit të studentëve të Italisë para Luftës, do të vinte në ndërmarrjen ku punoja për të marrë karakteristikën time bashkë me mendimin e kolektivit.
Midis vlerësimeve të zakonshme dashamirëse të punëtorëve me të cilët kisha pak kohë që njihesha, sepse më parë kisha qenë në kantiere, një sekretar partie, nga ata që shpesh e kishin kokën pak si të shtypur, e pyet Thomain përse më merrnin mua në Lidhje, sepse ata në ndërmarrjen e tyre kishin plot djem e vajza shumë më të mirë se unë?
Duke buzëqeshur me naivitetin e tij, Thomai i përgjigjet se në Lidhje nuk merrnin një punëtor të mirë, por një gazetar të mirë që duhej të dinte të bënte punën e kualifikuar të redaktorit letrar dhe të gazetarit në terren.
Me sa dukej, sekretarit nuk po i mbushej mendja me këtë shpjegim, por i dërguari i Lidhjes nuk e zgjati më duke i falenderuar të pranishmit dhe duke më thënë ta shoqëroja deri te porta e Ndërmarrjes së Montimeve Industriale.
Në të vërtetë, disa kohë pasi kisha filluar punë në Lidhjen e Shkrimtarëve, një ditë po pinim kafe me Dritëroin në Klubin e Lidhjes, kur në tryezën tonë vjen e ulet drejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, Çajup Rusmajli. Unë bëra të ngrihesha, por Dritëroi më tha të rrija, sepse me Çajupin ishin miq të vjetër dhe kishin ku t’i llafosnin “sekretet”.
Çajupi e kishte vërtet një sekret dhe i tha:
“Na ka zënë një hall i madh me këta të klasës punëtore: nuk janë të aftë për punë dhe kërkojnë poste, duan të bëhen shefa sektorësh ose kryetar bashkimesh profesionale…”
Dritëroi buzëqeshi dhe ia ktheu:
– Shiko Çajup, ju keni marrë aty punëtorët e talentuar për në karrierën e klasës punëtore dhe jo për në zanatin e radiotelevizionit. Po ta kishe ti atë punëtorin që kemi marrë ne, do ta bëje menjëherë drejtor të televizionit apo zëvendësin tënd.
– E vërtetë, – i tha Çajupi. – I kemi marrë nga mbledhjet e kolektivit.
Unë u përkëdhela në sedër dhe u ngrita që t’i jepja mundësi Dritëroit ta vazhdonte më tej lavdërimin për mua.
***
Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë është formuar në vitin 1945 ndërsa e Artistëve në vitin 1949. Kryetar i parë i Lidhjes së shkrimtarëve u zgjodh Sejfulla Malëshova. Në vitin 1954 u hap revista e përmuajshme “Nëntori” ndërsa në 1961 doli së pari gazeta letrare e përjavshme “Drita”, të dyja këto organe letrare të Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve të Shqipërisë. Lidhja e shkrimatëve ka qendruar që nga viti 1970 në godinën përformante dhe të bukur në krye të rrugës së “Kavajës”. Kjo godinë përfundoi në vitin 1938 me rastin e 10-vjetorit te Mbretërisë Shqiptare.
Ajo është ndërtuar mbi themelet e një garnizoni ushtarak turk, në të cilën pas Pavarësisë, në 1912, u vendos gjimnazi shtetëror i Tiranës.
Më pas, për shumë vjet ka qenë Qendër Kulturore e Ushtrisë deri në vitin 1970, ku në të u vendos Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Kronika e Kryetarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë fillon me Sejfulla Malëshovën, e pastaj Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limoz Dizdari, Zyhdi Morava, dhe në fund Hysen Sinani.
Pikërisht Hysen Sinani, ky shkrimtar dhe autor fjalorësh, ka punuar për një periudhë të gjatë në këtë Lidhje dhe në këtë godinë, dhe ka kujtime të shumta rreth punëve që bëheshin në Lidhje, mardhënieve dhe prapaskenave, botimeve dhe hatërmbetjeve, krijimeve dhe brrylave, miqësive dhe inateve të brendshme, artit të vërtetë dhe pseudo letërsisë, dinjitetit dhe servilizmit, mendjeve të hapura dhe njerëzve të indoktrinuar, shkrimtarëve të vërtetë dhe autorëve të rremë.
Në shumë puntata në vazhdim, në Suplementin Letrar të gazetës MAPO, do të kemi pikërisht këtë atmosferë, këtë gjendje, e shikuar dhe e shkruar nga vetë një prej përsonazheve më aktivë të asaj përiudhe në shtypin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Aristëve, nga libri i tij që është në përgatitje e sipër, nga shkrimtari Hysen Sinani.
Të vërteta të bukura e të hidhura, anale të ndritura dhe të errta, përsonazhe të thjeshtë dhe të ndërlikuar që punuan në këtë Lidhje dhe në këtë godinë, ka në librin e Hysen Sinanit, që do të botohet javë pas jave në këtë faqe.
Gazeta Mapo, por dhe autori, janë të hapur dhe e kanë vullnetin për të pranuar dhe botuar replika që vijnë nga autorë të ndryshëm, të cilët nuk janë dakort apo kontestojnë shkrimet e përjavshme të Sinanit.