Ish-deputetja e PD, Majlinda Bregu, ka paralajmëruar me padi për cenim të nderit, personazhin që krijon MEME-t në rrjetet sociale, Genc Sejkon. Përplasja mes tyre vjen pas një fotomontazhi të krijuar nga Sejko ditën e sotme në Facebook, ku ironizoheshin shoqatat e grave dhe OJF-të të cilat ende nuk kishin reaguar për rastin e dhunimit të Xhisiela Malokut.
Në formë ilustrimi, Sejko kishte zgjedhur të vendoste një ‘grusht’ mbi fytyrën e këtyre aktivisteve, por duket se forma e zgjedhur nuk i ka pëlqyer ish-deputetes demokrate e cila ka vendosur të replikojë me të. Po në të njëjtin postim, Bregu thotë se do e padiste Sejkon nëse nuk do të ishte në varrimin e një mikeshe të saj. Padia konsiston në nenin 617 të kodit civil, ku siç shkruan Bregu thuhet se:
“Pergjegjesia per publikimet online te komenteve qe cenojne nderin, personalitetin ose reputacionin e personit” ndryshimet e te cilit i kam propozuar vete.
Përgjigjia e Bregut në Facebook
Replikat kanë vijuar, dhe nuk ka munguar përgjigjia sërish e Sejkos i cili thotë se jeton në Mbretërinë e Bashkuar, në vendin ku liria e fjalës është e shenjtë. Ai sqaron se fotomontazhi ka patur si pyetje, arsyen e heshtjes së grave që drejtojnë shoqatat kryesore të mbrojtjes së grave të dhunuara në vend.