Mapo Letrare

Ishte mosha kur…






               Publikuar në : 15:48 - 08/09/19 |
Mark Simoni

Nga Mark Simoni


Mbaj mend qytetin tim të vogël,

(në moshën kur unë shkruaja poezi).

Nuk e di se përse mendoj që, atëherë në Lezhë frynte më shumë erë dhe mbrëmjeve të vjeshtës binin më tepër gjethe pemësh se sa tani. Ndoshta kjo ka ndodhur në kokat tona të mbushura me përfytyrime, imazhe të çakërdisura, të dalldisur pas figurave dhe poezive që shkruanim, të hareshëm e entuzistë që po bëheshim poetë. Qemë të rinj. Me jaka të ngritura, deri natën vonë, trotuareve të qetë, flisnim e flisnim për jetë shkrimtarësh dhe libra, imagjinonim veten shkrimtarë të mëdhenj, (madje dhe me mjekra e me flokë të gjatë).

Ishte koha kur nga fshatrat mberrinin tek ne ne qytet djem me fletore plot vjerrsha e na i lexonin gjithe ankth e pasion. Kujtoj se hipur në biçikletën e tij thatime, vinte nga Shënkolli e në Lezhë, (për të na sjellë tregimet e tij), Valet Fufi, krejt entuziast. Arben Prendi, i matur e i thellë, me një vuajtje gati migjeniane. Viktor Vokrri me nje talent fin. Mbaj mend në muzg, kur i përcillnim tek agjensia e kamionëve. Hipnin sipër ndonjë makine rrangallë rasti, dhe niseshin për në fshatrat e tyre. Na e bënin me dorë derisa humbisnin në ndonjë kthesë.

Ishte koha kur Mehdi Dashi shkruante ca poezi të veçanta spontane që vetëm ai dinte t’i bënte. Alfons Zeneli më mrekullonte, Marash Mirashi qe i paparashikueshëm. Secili ndrysh njëritjetrit, secili më i talentuar se shoku. Po Alban Bala? Mendoj se qysh atëherë ka qenë ndër më të mirët e atyre që shkruajnë poezi në shqip.

Në Lezhë binte shumë shi. Për ne, që bubrronim në letërsi, shiu qe melankolik, na jepte frymëzim. Por shiu erdhi e u bë akoma më i bukur, kur binte qelqesh, pasi Kadare shkroi “Ca pika shiu ranë mbi qelq….”. Që atëherë, nëse të tjerët ankoheshin e turfullonin sa herë binte shi, ne vjershëtarët kishim një shi tjetër. Shi dashurie, trishtimi, të bukur e të bekuar. Ai binte për poezitë tona.

Më kujtohet Rudolfi, mësuesi im i vitit të parë në gjimnaz, që pati shkruar se e ndizte cigaren e fortë, pikërisht poshtë tabelës “Ndalohet duhani”. Një poezi kokëforte dhe rrebele, që na dha të gjithëve entuziasëm. Agim Isaku botoi “Poetët e qyteteve të vogla”, një poezi që na sajdisi të gjithëve me mundësinë për t’i zmadhuar mëhallat tona, ato rrugica të mjera për t’i bërë më të gjëra e më me dritë, gjithë botën për ta bërë tonën. Poezitë e Preç Zogajt bëheshin këngë, e ndoshta pikërisht për këtë kushdo e donte Preçin. E patën tretur në një shkollë të vogël nëpër ca lugina, të jepte këndim atje. Shpresa Kapisyzi, pedagogia ime, shkruante poezi delikate, të hajthshme, fragile, gjithë sharm e nur. Po ashtu dhe mësuesja ime Silvana Gjebrea.

Ishte koha kur puthesha me M., një vajzë tiranase, që pati ardhur të bënte vitin e fundit të gjimnazit në Lezhë. Më sillte nga Tirana libra të vjetër, pëlqente “Beatles” dhe kishte një aromë të mrekullueshme flokësh. Takoheshim tek biblioteka, një godinë e vogël në të dalë të qytetit. Mbrëmjeve.

Qe e rrethuar me kangjela, mbushur oborrin me hurma e lloj lloj pemësh. Hijet e bënin më të fshehtë, të bukur e miosterioz takimin tonë në atë oborr, më me shumë magji. Dikur kishte qenë vila e sekretarit të parë. Nuk e di se kujt i pati shkuar ndërmend që atë godinë ta bënte bibliotekë, por më kujtohet se e bekoja shpesh për këtë. Atje, në oborrin e godinës së librave, ndjehesha krejt i sigurtë, më fatlum se gjithëkund, në tokën më të fortë, larg syve të njerëzve. (Më kujtohet se Ndoc Gjetja qe kritikuar para ca vitesh për poezinë “Puthja”, dhe ndoshta pikërisht për këtë, poezinë e Ndocit e dinim të gjithë përmendësh. E pati mësuar madje dhe M. që nuk shkruante letërsi).

Mbaj mend kur në Lezhë pati ardhur Frederik Rreshpja. E njihnim ngaqë shkruante në revistën “Pionieri”. Më shumë më intrigonte me mbiemrin e tij se me ato që shkruante. Kur bëri “Zëri i largët i kasolles”, mu duk akoma më misterioz.

Visar Zhiti kishte shok Kujtim Dashin, dhe ndalej shpesh në Lezhë. S’kisha lexuar asgjë nga ai. Qeshë fare i pa rritur atëherë. Por më ka mbetur në mendje nga emri. (Im atë kishte një kolanë të “Visareve të Kombit”, dhe Zhiti, që qe një mbiemër krejt i çuditshëm. Aq më tepër që dhe sot e kësaj dite nuk e di se përse, por “zh”-ja, e sidomos “z”-ja më jep një shije krejt ndryshe nga tingujt e tjerë).

Nuk kishte shumë atmosferë përndritëse në poezitë tona. Mundoheshim të bënim metafora, qemë disi të zymtë. Ndoshta po e njëjta filozofi të shkruari, si rryma e ca autorëve italianë që u klasifikuan si “Poeti crepuscolari”, (poetë muzgëtar). Madje mbaj mend nga këto, poezinë e Morettit “Në Çezena”.

Kush dreqin e di se sa gjethe kanë rënë rrugëve të qytetit tonë të vogël. Por jam krejt i sigurtë se në rininë tonë më shumë gjethe të rëna kishim ne në vjershat tona se sa patën rënë vërtetë në natyrë. Dhe s’mjaftonin gjethet tona, na sillnin dhe vjershtoret e fshatit te vetat.

Më kujtohet Bashkim Shehu, (djali i kryeministrit), që vinte shpesh në Lezhë tek Ndoci, Dolfi e Gimi. Madje për një kohë ndoqi xhirimet e filmit “Skëterrë ‘43” (me skenar të tij), ku nxënëset e klasave tona i morën si figurante për të mbushur një kamp të madh përqëndrimi.

Eh Lezha, qyteti im i voge! Dashuria dhe dhimbja ime e madhe.

Ishim të rinj, dhe fantazia, dëshirat dhe ëndërrat tona iknin larg, taman si ato balonat tabake që u është këputur peri dhe s’ka kush t’i zbresë më në tokë. Megjithatë dhe ai entusiazëm na është dashur për të na sjellë deri këtu.


Etiketa: , ,

Pas