Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian vendosën që të shtyjnë për në vitin 2019 vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Ashtu siç pritej, Franca dhe Holanda kundërshtuan hapjen e negociatave.
Këtyre vendeve iu bashkua edhe Danimarka.
Franca, presidenti i së cilës po njeh rënie në popullaritet dhe kërkon që të reformojë BE-në, ishte e prerë në kërkesën e saj.
Debati i zhvilluar në takimin e Ministrave të Jashtëm ishte mjaft i hidhur dhe i ashpër, shkruan EuObserver.
Vende si Gjermania kërkuan hapjen e negociatave me kusht, por kundërshtimi i treshes bëri që vendimi të shtyhet.
“Ishte si një luftë,” tha një burim, duke iu referuar toneve të takimit.
Por a ishte ky një lajm i mirë për Shqipërinë, ashtu siç po e paraqet mazhoranca, apo një dështim i madh, siç e paraqet opozita?
Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, vendi që ka presidencën e BE, tha se nuk ishte e lehtë të arrihej një marrëveshje.
Shqipërisë dhe Maqedonisë iu kërkua qartësisht: Luftoni krimin dhe korrupsionin.
“Por është një vendim i mirë, sepse u jep një kuadër kohor të qartë të dy vendeve. Është më mirë se të mos kesh asgjë,” tha kryediplomatja bullgare, duke iu referuar vitit 2019.