Isuf Kalo, mjeku i diktatorit Enver Hoxha, ka dhënë një intervistë në emisionin “Debati në Channel One”, të gazetarit Roland Qafoku. Isuf Kalo tha se mjekoi pacioentin dhe jo diktatorin Enver Hoxha. Gjithashtu Kalo theksoi se diktatori nuk mbrohej shumë dhe kushdo mund ti bënte diçka.
Intervista e plotë:
PËR ENVER HOXHËN
Roland Qafoku: Doktor Kalo, mirë Enverin e mjekuat dhe e shëruat po vetë si je me shëndet? Si ia ke dalë që ta mjekosh diktatorin duke kaluar stres, preukopim dhe mbi të gjitha frika se mos ju ndodhte juve diçka?
Isuf Kalo: Me shëndet jam mirë. Jam mirë akoma. Jam 77 vjeç, kam dalë në pension por pavarësisht vijoj aktivitetin. Besoj ka edhe të tjerë si unë që duke qenë aktiv në jetën profesionale dhe pedagogjike, publicistike, jeta e ruan ritmin e saj. Vitet e Bllokut ishin vite kur unë isha shumë i ri.
Roland Qafoku: Si mendoni, a ishit ju fatkeq apo fatlum që i shërbyet Enver Hoxhës? Si e përcaktoni sot atë që bëtë?
Isuf Kalo: Po të kthehemi në kohë ishte një detyrë e pabesueshme. Ishte fat i madh. Më shumë se një person real, Enver Hoxha ose siç i thoshim ne shoku Enver ishte një mit. Gëzonte të paktën në aparencë. Sapo mbarova fakultetin e Mjekësisë kërkoja të filloja sa më shpejt punë. Por nuk po kuptoja që pse emërimi im po vonohej. Isha nevojtar sepse kisha gjendje jo të mirë ekonomike. Më kishte vdekur babai gjatë viteve që isha në fakultet dhe më parë më kishte vdekur edhe një vëlla. Ishim 8 fëmijë dhe vetëm me nënën, me një gjysmë pensioni, ishte shumë vështirë jetesa. Kisha ardhur në Tiranë nga Luzati i Tepelenës që në moshën 5-vjeçare. Edhe pse jetoja në Tiranë merrja një gjysmë bursë. Në këtë mënyrë më bëri që nga kjo vonesë të shkoja të interesohesha. Shkova në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kërkova përse nuk po më emëronin. Personi që takova më tha që në pritje të emërimit mund të filloja provizorisht në një punë. Por kjo më habiti edhe më shumë. Të gjithë të tjerët e diplomuar kishin filluar punën, ndërsa unë jo. Nuk kisha asnjë pretendim. Doja punë. Por papritur më thërresin dhe më thonë që isha emëruar në klinikën speciale. I paditur se çfarë ishte pyeta; Ku është kjo në Tiranë? Pa e ditur që nga ai moment e deri në vitin 1991 do punoja aty dhe nuk e kam ndërprerë asnjëherë punën po nga aty. Ai që më lajmëroi më tha që kisha qenë me fat.
Roland Qafoku: Si mendoni ju përse ju përzgjodhën pikërisht juve?
Isuf Kalo: Unë mendoj se kisha rezultate të mira në mësime. Një nga arsyet ishte se familja ime kishte shumë anëtarë partie. Ndërkohë kisha dy vëllezër ish-partizanë dhe tre vëllezër të tjerë anëtarë të partisë. Biografia ime ishte shumë e mirë, shumë solide.
Roland Qafoku: Sa vjeç ishit kur filluat punë në klinikën speciale të Bllokut?
Isuf Kalo: 23 vjeç. Dhe gjatë gjithë kohës punova aty në klinikë. Në vitin 1973 më thirri Hysni Kapo dhe më tha se Partia të ka besuar një detyrë shumë të rëndësishme, të jeni mjek personal i shokut Enver. Ishte e pabesueshme për mua dhe shqetësim. Hysni Kapo më tha që mos të shqetësohesha se profesor Fejzi Hoxhën do ta kisha mbështetje. Madje edhe atë vetë do ta kisha mbështetje. Që nga ai moment fillova punën si mjek personal i Enver Hoxhës. Ka qenë 9 korrik 1973 kur nisa këtë detyrë.
Roland Qafoku: Keni shkruar në libër që këta lloj mjekësh që mjekonin diktatorin cilësoheshin si veterinerët që mjekonin kafshët e egra në kafaz në kopshtin zoologjik. Pra kishin rrezikun brenda. Ok profesor Kalo, ju ishit veterineri, por ata që mjekuat jua çfarë lloj kafshësh ishin?
Isuf Kalo: Jo, nuk e kam thënë. Unë kam cituar një mjek të huaj që në një takim në Paris më provokoi duke ma thënë këtë shprehje. Ai më tha jam kurioz, ti kur shkon dhe viziton këta personalitete, a e ke ndjerë ndonjëherë veten si veterineri që hyn brenda në kafaz? Unë i thashë jo, nuk e kam menduar asnjëherë.
Roland Qafoku: Në atë kohë unë e kuptoj që doemos kështu do ta thoshit, po sot a keni të njëjtën përgjigje apo mendoni ndryshe?
Isuf Kalo: Edhe sot mendoj njësoj. Nuk e kam menduar. Nuk e kam pasur këtë frikë. Ata ishin shumë të sjellshëm.
Roland Qafoku: Doktor Kalo, nëse do e përmblidhnit me një fjalë çfarë ishin njerëzit e Bllokut, përbindësha kriminelë apo bamirës dhe heronj?
Isuf Kalo: Unë do të thosha se ata ishin njerëz si të gjithë ne. Nuk pashë që dikush prej tyre të kishte dhunti ekstraordinare. Por ata kishin fat ndryshe nga ne. Disa patën fat të çuditshëm që nga askush u bënë dikush, ndërsa disa nga dikush u rrëzuan në humnerë pa e ditur edhe ata përse. Përzgjedhja ishte bazuar në kriteret e besueshmërisë dhe jo të zotësisë. Është gabim që i perceptojmë sikur këta ishin mostra. Sepse kështu do quhej aksident gjenetik. Dhe kjo lindte supozimin që ndodhi një herë dhe nuk mund të ndodhë gjithmonë. Por një pjesë e tyre ishin të sjellshëm qoftë edhe për fasadë. Sepse morali komunist kështu e kërkonte.
Roland Qafoku: Ju e keni shkruar në libër që Enver Hoxha ishte diktator dhe të gjithë në Bllok ishin ashtu. Por sot pas kaq vitesh a ndjeni brengë që keni mjekuar një diktator dhe i keni zgjatur jetën atij dhe në një farë mënyre i keni zgjatur jetën diktaturës në Shqipëri?
Isuf Kalo: Por kjo është një çështje etike dhe deontologjie. Unë nuk konkurrova për të qenë mjek i Enver Hoxhës dhe as mjek i klinikës. Mua më emëruan, mora një detyrë shtetërore. Unë e quajta fat. Unë Enver Hoxhën nuk e kam trajtuar si një person i jashtëzakonshëm. Unë e kam trajtuar si pacient. Mjeku nuk ka një pacient më të mirë dhe një pacient më të keq. Një mbret i tha mjekut do më mjekosh më mirë se ushtarët. Mjeku i tha, jo, unë ushtarët i mjekova si mbretër. Nuk kam brejtje ndërgjegje dhe e kam pasur krenari që kam qenë mjek i tij.
Roland Qafoku: Në atë kohë që ishit krenar unë e kuptoj. Por tani a vazhdoni të ndjeheni krenar? Me atë që lexova në libër unë kuptova që ju keni brejtje ndërgjegje. U ngrit një sistem diktatorial që vuajti populli.
Isuf Kalo: Që Enveri ishte diktator dhe regjimi ishte diktatorial kjo ishte e shpallur nuk do ta zbuloja unë. Por unë nuk mjekova diktaturën por unë mjekova diktatorin. Edhe po të mos ishte Enveri dikush tjetër do zëvendësonte atë, një Enver tjetër, një diktator tjetër. Sepse sistemi do të thoshte diktaturë. Nuk ishte diktator vetëm Enver Hoxha. Diktator ishte drejtori i shkollës, drejtori i ndërmarrjes. Diktator ishin edhe burrat në familje.
Roland Qafoku: A ishit ju i privilegjuar dhe i përkëdhelur nga sistemi komunist?
Isuf Kalo: Mua më vjen zor të them që nuk isha. Po ta krahasosh me ata që vuanin unë isha shumë ndryshe. Por unë nuk kam qenë më mirë i paguar se të tjerët.
Roland Qafoku: Sa ishte rroga juaj?
Isuf Kalo: Rroga ime ka qenë si e çdo mjeku.
Roland Qafoku: Sa merrnit ju kur ishit mjek i Enver Hoxhës?
Isuf Kalo: Paga ime ishte 8 mijë lekë të vjetra.
Roland Qafoku: A merrnit suplement?
Isuf Kalo: Jo. Nuk kishte. Fat i madh ishte që unë shkoja jashtë shtetit. Për të parë botën dhe specializim. Por kur kujtoj vajzën që kur mbushi 20 vjeç më tha babi më ke munguar shumë, jam ndjerë keq. Pastaj po të llogaritësh që nuk kam qenë kur më vdiq im vëlla. Orari ishte 8 orë, por në fakt isha 24 orë në punë. Isha i monitoruar.
Roland Qafoku: Prandaj unë ju pyeta në fillim si keni qenë me shëndet?
Isuf Kalo: Megjithatë kam qenë mirë.
Roland Qafoku: A e keni shkelur betimin e Hipokratit duke shkuar këtë libër?
Isuf Kalo: Absolutisht jo. Unë nuk kam punuar duke u betuar në betimin e Hipokratit. Por kam punuar me ndërgjegjen dhe impenjim.
Roland Qafoku: Si ka mundësi që ju në libër shkruani për barazi varfërie në Shqipëri kur në fakt rreth 100 mijë shqiptarë vuajtën nga ai regjim 50-vjeçar duke i pushkatuar, burgosur dhe përndjekur? A i thatë ndonjëherë pacientit tuaj Enver Hoxha që përveç kësaj barazie në varfëri pushkatoheshin dhe burgoseshin njerëz për shkak të bindjeve dhe ky ishte krim masiv?
Isuf Kalo: Ju e prisni këtë që t’ia thoshte doktori? Apo prisni që t’ia thoshin shokët, shoqja, fëmijët? Me këtë pyetje ju tregoni se nuk dini asgjë çfarë përfaqësonte ai regjim. Hysni Kapo më tha shërbeji mirë atij dhe populli do të jetë përjetë mirënjohës.
Roland Qafoku: A u është mirënjohës populli shqiptar juve?
Nuk e di. Di që askush nuk mund t’ia thoshte Enverit diçka që nuk shkonte. Dikush që ia ka thënë përfundoi keq.
Roland Qafoku: Si ka mundësi që edhe përpara togës së pushkatimit unë kam lexuar që armiqtë dhe kundërshtarët e Enverit thërrisnin ‘Rroftë Enver Hoxha’, ‘të Rrojë Partia’! Si ka mundësi?
Isuf Kalo: Sepse ata besonin që ai regjim do ishte i përjetshëm. Kishin shpresë që e drejta e tyre do dilte. Nëse ata dënonin Enverin ata merrnin vulën e përhershme. Ata luteshin dhe qanin si Petrit Dume, madje edhe Kadri Hazbiu. Ose nuk kishin njohur mekanizmin se si Enveri funksiononte se kishin shpresë që e drejta e tyre do dilte. Ata e kanë ndjerë vetë që janë dënuar me pa të drejtë ose gabimisht.
Roland Qafoku: A kishte sozi Enver Hoxha?
Isuf Kalo: Jo. Të paktën sa kam shërbyer unë kurrë nuk di që dikush të ketë bërë sozinë e tij
Roland Qafoku: Një student më pyeti një ditë, kur ishte kaq gjakatar regjimi komunist, dhe Enver Hoxha një përbindësh si ka mundësi që nuk iu bë asnjë atentat? Si ka mundësi që nuk u qëllua as me llastiqe?
Isuf Kalo: Nuk bëhej fjalë. Enveri nuk mbante kurrë antiplumb dhe nuk ruhej siç mund të ishte perceptimi. Nëse dikush do të donte ti bënte diçka mund t’ia bënte shumë lehtë. Unë kam qenë atje dhe e njihja masën e sigurisë. Ai futej në mes të turmës dhe nuk kishte asnjë droje. Nuk kishte fare rrezik. Truprojat ishin të thjeshtë pa ato teknikat e njohura që kanë.
Roland Qafoku: A ishte Sulo Gradeci, komandant i grupit të shoqërimit të Hoxhës, një njeri i zoti që vërtetë i mbronte jetën?
Isuf Kalo: Ai ishte shumë i zgjuar, por jo se kishte ndonjë teknikë të lartë për mbrojtjen e Enverit. E thashë, nëse dikush do të donte ti bënte diçka Enverit mund t’ia bënte.
PËR VDEKJEN E MEHMET SHEHUT
Roland Qafoku: Zoti Kalo përse e keni kaluar tangjent në libër vdekjen e Mehmet Shehut. Madje keni dhënë një lloj sigurie që ishte vetëvrasje kur faktet flasin ndryshe? Janë disa fakte që e konfirmojnë që Mehmet Shehun e vranë por një fakt është mbi të tjerët: Ekspertiza balistike cilëson se e ka qëlluar veten me dorën e majtë, ekspertiza mjeko ligjore cilëson se e ka qëlluar veten me dorën e djathtë. Mjafton vetëm kjo për të thënë se gjithçka është e manipuluar.
Isuf Kalo: Unë nuk jam mjek hetues. Unë kam folur me shumë imtësi me doktor Hariton disa herë dhe ai më ka thënë 200% se kjo është vetëvrasje. Nëse ekspertiza e letrës që ka lënë Mehmeti vërtetohet katërcipërisht e shkruar me dorën e tij, këtë nuk mund ta ketë shkruar vrasësi. Kjo i mbyll të gjitha. Unë kam dhënë versionin tim, logjikën që të çonte që vetëvrasja ishte një nga opsionet e fundit dhe e vetme që i kishte mbetur Mehmetit për të minimizuar pak vështirësitë e situatës që ishte krijuar. Unë nuk aludoj fare sepse bazohem mbi këtë logjikë. Nuk ishte një vetëvrasje nga emocioni apo frika dhe dëshpërimi. Ishte një akt negocimi “unë po iki nga jeta sepse e kuptova që unë pengoj por vetëm do më plotësoni këto, këto, këto gjëra dhe i la të shkruara. Fatos Harito më thotë që i biri i Mehmetit, Bashkimi ka ardhur nga Spanja për këtë punë, i ka marrë të gjitha argumentet dhe ka ikur plotësisht i sqaruar.
Roland Qafoku: Si u zhduk infermierja e Mehmet Shehut menjëherë pasi ai u gjet I vdekur?
Isuf Kalo: Nëse i referohemi librit unë kam dhënë racionalitetit se si zhvillohen ngjarjet dhe pse kishte logjikë që kjo ishte vetëvrasje. Mehmeti e vrau veten atë natë kur nuk kishte mbaruar procesi i dënimit të tij . Kush tha që u zhduk infermierja e Mehmetit?
Roland Qafoku: Ku është? Ku shkoi?
Isuf Kalo: Tani po diskutojmë librin tim dhe jam i mendimit se ishte vetëvrasje.
Roland Qafoku: Gabon vëllai i Mehmetit?
Isuf Kalo: Nuk e di, nuk e njoh.
Roland Qafoku: Vëllai i Mehmetit, Duro Shehu është i bindur që kjo është vrasje dhe e ka shkruar në kujtimet e tij se i vëllai është helmuar dhe më pas është vrarë. Duro Shehu shkruan se nuk mund të vrasë njeriu veten me dy plumba në zemër.
Isuf Kalo: Unë në libër nuk merrem shumë nëse është vrasje apo vetëvrasje. Për mendimin tim me Mehmet Shehun u nis një vendim që quhet eliminim, i cili është një proces që ndiqet shkallë-shkallë, i cili përveç jetës të merr të gjitha meritat. Fati i Mehmetit është vendosur qysh në 15 ditëshin e parë të muajit shtator pas 4 takimeve që ai bëri më Enver Hoxhën dhe Nexhmijen në të cilat Enveri i propozoi Mehmetit që për ta mbyllur gojën dhe opinionin të pranonte ta dënonte djalin, të hiqej sikur nuk kishte pasur dijeni për fejesën. Me këtë ai thoshte se do shpëtonte opinionin e partisë që mos mendojnë njerëzit se ndryshe themi, ndryshe bëjmë. Mirëpo Mehmeti nuk pranoi. Tha: Jo, gabimin e bëra unë sepse djali im më pyeti. Kjo ishte e kundërta e asaj që donte Enveri. Vrasja nuk ishte një akt që i shërbente Enverit ndaj Mehmetit sepse krijonte histori, krijonte zhurma pas, kurse eliminimi bëhej dalëngadalë duke i hequr nga kryeministër, drejtor ferme etj. Mehmeti e prishi këtë plan. Ai e kuptoi që një ditë do përfundonte keq. Unë jam i bindur se ishte vetëvrasje.
Roland Qafoku: Doktor, ky është aludim nuk është fakt. Faktet janë fakte, ato nuk janë as të miat dhe as tuajat. Mehmet Shehu është vrarë.
Isuf Kalo: Ky është mendimi juaj. Unë nuk mendoj kështu.
Roland Qafoku: Ka një fakt që më ka habitur nga ajo që e sillni në librin tuaj. Në materialet që iu gjetën Mehmet Shehut në zyrë pasi u gjet i vdekur ishte edhe një revistë pornografike dhe një disk me pamje filmike pornografike. Çfarë ishte kjo?
Isuf Kalo: Edhe unë jam habitur. Mehmeti nuk jepte shenja dhe të dhëna që të ishte pas fustaneve. Ky fakt më ka habitur. Unë kam pasur shumë kontakte me të dhe e kam vizituar, por nuk më ka lënë asnjë mendim në këtë aspekt. Por kjo kështu ka qenë.