Janë arrestuar në Itali për grabitje dhe vjedhje banesash në bashkëpunim dy shqiptarë, të identifikuar, si Alfons Bibaj 23 vjeç dhe Ndue Selmanaj 27 vjeç.
Nga raportimi të cilin e bëjnë mediat fqinje, të enjten e shkuar, disa patrulla policie janë vendosur pranë një banese ku dyshohej se dy shqiptarët kishin bazën e tyre, në Forli. Ndërkohë, dy të dyshuarit ishin të impenjuar në disa vjedhje banesash.
Efektivët kanë ndërhyrë menjëherë për të ndaluar shqiptarët, teksa ata u kthyen në vendin që e përdornin si bazë. Sipas raportimeve dy të rinjtë kanë bërë rezistencë ndaj uniformave të policisë duke goditur me grushte e shqelma në përpjekje për tu arratisur.
Gjatë kontrollit, dy shqiptarëve iu gjetën bizhuteri të shumta, nga dy vjedhje të kryera prej tyre disa orë më parë. Ndërsa nga kontrolli i banesës, karabinierët gjetën para dhe bizhuteri me vlerë rreth 10 mijë euro.
Në makinën që përdorej nga shqiptarët u gjetën objekte që përdoreshin për vjedhje.
Pas verifikimeve të mëtejshme që karabinierët kanë kryer, zbuluan se ndaj njërit prej të rinjve kishte dy urdhër-arreste europiane, njëri i lëshuar nga Spanja dhe tjetri nga Greqia, të akuzuar për posedim armësh dhe tentativë vrasje. Një zyrtar nga karabinierët e Meldolas, konfirmoi se njëri prej tyre është me precedent penal edhe në Shqipëri.