Italia ka rihapur sot kufijtë për turistët, 3 muaj pasi vendi u izolua për shkak të pandemisë së koronavirusit. Italia ishte ndër vendet më të prekura nga koronavirusi, me më shumë se 33 mijë viktima.
Vendi po pëson reçesionin më të madh që prej Luftës së Dytë Botërore, prandaj hapja e kufijve për turistët ishte e domosdoshme, mbi të gjitha në prag të sezonit të verës.
Hapja e kufijve ishte lajm kryesor sot në të gjitha mediat italiane. Në faqen e parë të La Repubblica shkruhej: “Italia rihapet sot. Një lule për 33 mijë të rënët… Rifillojmë të gjithë, me solidaritet dhe kurajë”.
Rihapja ishte diçka e shumëpritur prej shumë javësh, momentesh kritike dhe një pasigurie për të ardhmen që i shoqëroi të gjithë në këto 3 muaj.
Italisë i duhen turistët që rimarrë veten, sepse turizmi është themeli i ekonomisë së saj. Megjithatë, frika te turistët ekziston dhe është mëse e kuptueshme.
“Ejani në Kalabri! Ka vetëm një rrezik – do të shëndosheni”, -tha kryetari i zonës, Jole Santelli të dielën, duke u bërë thirrje turistëve të mos kenë frikë ta vizitojnë vendin.
Tani të gjithë mund t’i shijojnë sërish shëtitjet me gondola, pizzat e famshme napoletane, llojet e ndryshme të makaronave dhe të dashuruarit mund të sillen si Romeo dhe Zhulieta në ballkonin e famshëm të Veronas…
Mirëpo, teksa duket se situata po i rikthehet normalitetit, jo çdo gjë po shkon siç duhet.
Edhe pse Italia i mirëpret turistët, italianët nuk janë të mirëpritur në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Shumë prej këtyre vendeve i kanë vendosur në “listën e zezë” shtetet e prekura shumë nga pandemia, duke përfshirë edhe Italinë.
Zvicra paralajmëroi shtetasit e saj se nëse do të shkonin në Itali, do të ishin subjekt i “masave shëndetësore” kur të ktheheshin. Austria po lehtëson masat me disa vende, por jo me Italinë, e cila u përshkrua nga Ministri i Shëndetësisë së Vienës si një “pikë e nxehtë”.
Qeverisë italiane nuk i ka pëlqyer aspak kjo mungesë reciprociteti, sidomos në një situatë të tillë, kur të gjitha vendet kanë nevojë për mbështetjen e njëri-tjetrit për t’u rimëkëmbur pas goditjes që morën nga pandemia.
Ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio tha se Italia po trajtohet “si një koloni lebroze” dhe paralajmëroi se BE do të shkatërrohet nëse vendet nuk i marrin vendimet së bashku.
Megjithatë, këtë vit Italia do të ketë mbështetjen e shtetasve të saj më shumë se kurrë më parë. Nëse zakonisht rreth 40% e italianëve i bënin pushimet jashtë vendit, këtë vit do t’u duhet të pushojnë në Itali, në mënyrë që të ndihmojnë bizneset lokale.
Tani duket se vendi po i rikthehet vrullit të mëparshëm të jetës dhe me shpresën e të gjithëve, shumë shpejt do të rimëkëmbet.