Arsenali e ka nisur në mënyrë të kënaqshme këtë sezon, me “Topçinjtë” që renditen në vendin e tretë pas tetë javësh kampionat. Notat pozitive për lojtarët londinezë kanë qenë të shumta, sidomos për të rinjtë.
Një ndër më të spikaturit nga talentet e Arsenal është padyshim Gabriel Martinelli. Sulmuesi i ka mahnitur të gjithë me paraqitjet e tij dhe së fundmi duket se ka nisur një luftë për të mes federatës italiane dhe asaj braziliane.
Martinelli ka lindur në Brazil dhe është rritur atje, por babai i tij zotëron pasaportë italiane dhe për këtë arsye federata italiane e futbollit kërkon ta rrëmbejë 18-vjeçarin në kombëtaren axurre.
Sulmuesi i Arsenalit ka luajtur me ekipet zinxhire të Brazilit, por ende nuk ka pasur një ftesë nga Tite për në kombëtaren e parë dhe nga ky fakt kërkon të përfitojë Italia, që duket se i ka shpallur luftë të hapur Brazilit. Megjitatë, vendimin përfundimtar do ta marrë padyshim vetë talenti Martinelli.