Italia e Roberto Mançini ka harruar shumë shpejt humbjen përballë Spanjës.
Kampionët e Europës mposhtën 2-1 Belgjikën në finalen e vogël për të siguruar vendin e tretë në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve. Azurrët ishin dominues ndaj kryesuesve të renditjes së FIFA-s, që sërish zhgënjejnë për të qënë protagonist në turne të rëndësishëm, duke mbetur edhe jashtë podit.
Pjesa e parë nuk prodhoi asnjë gol, pavarësisht rasteve. Fraksioni i dytë ishte më i bukur dhe dhuroi edhe plot 3 gola. Barrela zhbllokoi duelin me një gol të bukur, për të kaluar në avantazh Italinë.
Kjo zgjoi belgët që u munduan të reagojnë, gjithsesi ishin sërish italianët ata që gjetën rrjetën, këtë herë me Berardi nga 11 metra larg.
Belgjika kërkoi të rikthehej në lojë, por goli i të riut Ketelere erdhi shumë vonë, duke mos ndikuar në fatet e duelit. Tashmë fokusi për dy kombëtaret përqendrohet te kualifikueset e Botërorit të Katarit 2022, ku kryesojnë grupet respektive.