fbpx

Mapo Letrare

ITALO CALVINO – PËRSE TË LEXOHEN KLASIKËT





               Publikuar në : 16:45 - 10/08/19 |
mapo.al

Le të fillojmë me disa propozime lidhur me përkufizimin:


1. Klasikët janë ata libra për të cilët zakonisht dëgjon të thuhet: “Po



rilexoj…” dhe kurrë “Po lexoj…”


Kjo ndodh të paktën ndër ata njerëz që njihen “si lexues të zellshëm”; nuk vlen për rininë, moshë në të cilën takimi me botën e me klasikët si pjesë e saj, është pikërisht si takimi i parë.

Parashtesa përsëritëse para foljes “lexoj” mund të jetë hipokrizi e atyre që kanë turp të pranojnë se nuk kanë lexuar as edhe një libër të famshëm. Për t’i qetësuar mjafton t’u vësh në dukje se sado e gjerë të jetë gama e leximeve “formuese” të një individi, gjithmonë mbetet një numër i madh veprash thelbësore që ai nuk i ka lexuar.

Kush e ka lexuar të gjithë Herodotin e të gjithë Tukididin të ngrejë dorën. Po Saint-Simon-in? Kardinalin e Retz-it? Por, edhe ciklet e romaneve të tetëqindës janë më shumë të përmendur se të lexuar. Balzaku në Francë fillon të lexohet në shkollë dhe nga numri i botimeve në qarkullim mund të thuhet se vazhdon të lexohet edhe pas mbarimit të saj. Por nëse në Itali do të bëhej një sondazh Doxa**, kam frikë se Balzaku do të renditej nga fundi. Të apasionuarit e Dickens-it në Itali përbëjnë një elitë njerëzish që kur takohen, menjëherë fillojnë të kujtojnë personazhe e episode si të flisnin për njerëz të njohur. Vite më parë, Michel Butor, që jepte mësim në Amerikë, i lodhur nga pyetjet e vazhdueshme mbi Emil Zola-në që nuk e kish lexuar kurrë, vendosi të lexojë gjithë ciklin Rougon-Macquart-ët. Ai zbuloi se ishte krejt ndryshe nga ç’e kish menduar: një gjenealogji e mrekullueshme mitologjike dhe kozmogonike, të cilën më pas e përshkroi në një ese të mrekullueshme.

Gjithë kjo vlen për të thënë se leximi për herë të parë i një libri të madh në moshë të pjekur është një kënaqësi e jashtëzakonshme; e ndryshme (por nuk mund të thuhet as më e madhe as më e vogël) nga ajo e leximit në rini. Rinia i vesh leximit, si çdo përvoje tjetër, një shije e rëndësi të veçantë, ndërsa në moshë të pjekur vlerësohen (duhet të vlerësohen) shumë më tepër detaje, nivele e kuptime. Atëherë mund të mundohemi të formulojmë këtë përkufizimin tjetër:

  1. Quhen klasikë ata libra që përbëjnë pasuri për atë që i ka lexuar dhe dashur; por përbëjnë pasuri jo më të vogël për atë që ka fatin t’i lexojë për herë të parë në kushte më të mira shijimi.

Ç’është e vërteta leximet në rini mund të mos jenë aq frytdhënëse për arsye të padurimit, hutimit, mungesës së përvojës në mënyrën e të lexuarit dhe në jetë. Mund të jenë (ndoshta në të njëjtën kohë) formuese, pasi u japin trajtë përvojave të ardhshme, duke dhënë modele, korniza, terma krahasimi, skema klasifikimi, shkallë vlerësimi, shembuj bukurie: të gjitha gjëra që vazhdojnë të funksionojnë edhe pse librin e lexuar që në rini mund ta mbash mend pak apo hiç fare. Duke e rilexuar librin në moshë të pjekur, ndodh që t’i rizbulosh këto konstante, që tashmë bëjnë pjesë në mekanizmat tanë të brendshëm e që ua kishim harruar prejardhjen. Kjo është një forcë e veçantë e veprës, që si e tillë harrohet, por që e lë farën e saj. Përkufizimi që mund të japim tani është:

  1. Klasikët janë libra që ushtrojnë një ndikim të veçantë, si atëherë kur nguliten e bëhen të paharrueshëm, ashtu edhe kur fshihen pas rrudhave të kujtesës, duke u maskuar nga një pavetëdije kolektive ose vetjake.

Për këtë arsye, në moshë të rritur duhet të ketë një periudhë që t’u kushtohet leximeve më të rëndësishme të rinisë. Nëse librat kanë mbetur të njëjtët (por edhe ata ndryshojnë, nën dritën e një perspektive historike të ndryshueshme) ne sigurisht kemi ndryshuar dhe takimi është një ngjarje tërësisht e re.

Pra, të përdoret folja “lexoj “apo folja “rilexoj”, nuk ka shumë rëndësi. Në fakt mund të themi:

  1. Çdo rilexim i një klasiku është lexim zbulues si herën e parë.
    5. Çdo lexim për herë të parë i klasikut, në të vërtetë, është rilexim.
    Përkufizimi 4 mund të merret si korolar i këtij:
    6. Klasiku është një libër që nuk ka reshtur kurrë së thëni atë që kërkon

të thotë.

Ndërsa përkufizimi 5 na çon në një formulim më sqarues si:

  1. Klasikët janë ata libra që mbërrijnë tek ne duke mbartur gjurmën e leximeve që kanë paraprirë leximin tonë e mbas shpine gjurmën që kanë lënë në kulturën apo kulturat që kanë përshkuar (apo më thjesht në gjuhë e zakone).

Kjo vlen, si për klasikët antikë ashtu edhe për modernët. Po qe se lexoj Odisenë, lexoj tekstin e Homerit, por nuk mund të harroj gjithë ç’kanë nënkuptuar përgjatë shekujve aventurat e Odiseut, e nuk mund të rri pa pyetur veten nëse këto kuptime ishin të fshehura në tekst apo janë veshje të mëvonshme, deformime a zgjerime. Duke lexuar Kafkën, nuk mund të rri pa e vërtetuar ose pa e hedhur poshtë ligjshmërinë e mbiemrit “kafkian”, që ndodh ta dëgjosh çdo çerek ore, të përdorur në të katër anët. Nëse lexoj Etër e bij të Turgenjevit apo Djajtë e Dostojevskit nuk mund të mos mendoj sesi këta personazhe kanë vazhduar të rimishërohen deri në ditët tona.

Leximi i një klasiku duhet të na rezervojë disa të papritura në lidhje me imazhin që ne kishim për të më parë. Për këtë arsye, nuk është kurrë e mjaftueshme këshilla për një lexim të drejtpërdrejtë të teksteve origjinale, duke shmangur sa të jetë e mundur bibliografinë kritike, komentet, interpretimet. Shkolla dhe universiteti duhet të na shërbejnë për të kuptuar se asnjë libër që flet për një libër nuk thotë më tepër se vetë libri në fjalë; ndërsa bëjnë gjithçka që ne të besojmë të kundërtën. Përmbysja e vlerave është shumë e përhapur: parathënia, aparati kritik, bibliografia përdoren si perde tymi për të fshehur atë çka teksti ka për të na thënë e që mund ta thotë vetëm nëse lihet të flasë pa ndërmjetës, që pretendojnë se dinë më shumë se ai. Mund ta mbyllim me:

  1. Klasiku është një vepër që shkakton pareshtur një pluhurizë diskutimesh kritike mbi veten, por vazhdimisht i hedh ato pas krahëve.

Jo domosdoshmërisht klasiku na mëson diçka që nuk e dinim; ndonjëherë zbulojmë diçka që e kemi ditur ngahera (apo kemi menduar se e dinim), por nuk e dinim që e kishte thënë ai për herë të parë (apo që lidhet me të në mënyrë të veçantë). Edhe kjo është një surprizë që jep shumë kënaqësi, siç ndodh nga zbulimi i një prejardhjeje, relacioni apo përkatësie. E gjithë kjo mund të na çojë në një përkufizim të llojit:

  1. Klasikët janë libra që sa më shumë beson se i njeh me të dëgjuar, aq më tepër kur i lexon vërtet, të duken të rinj, të papritur, të pabotuar.

Natyrisht që kjo ndodh kur një klasik “vepron” si i tillë, domethënë vendos një marrëdhënie vetjake me këdo që e lexon. Nëse shkëndija nuk ndizet, nuk mund të bëhet gjë: klasikët nuk lexohen nga detyrimi apo respekti, veç nga dashuria. Përveçse në shkollë: mirë a keq, shkolla duhet të të njohë me një numër klasikësh, ndër të cilët (apo bazuar tek ata) ti më pas mund të zbulosh klasikët “e tu”. Shkolla është e detyruar të të japë mjetet për të bërë zgjedhjen, por zgjedhjet që janë vërtet me vlerë janë ato që bëhen jashtë shkolle ose pas saj.

Përplasja me librin që do të bëhet libri “yt”, ndodh vetëm me leximet spontane. Unë njoh një historian shumë të mirë arti,

njeri që ka lexuar shumë dhe mes gjithë librave ka zgjedhur librin Rrethi Pickwick, dhe në çdo rast citon batuta të librit të Dickens-it, çdo ngjarje të jetës e lidh me episodet pikuikiane. Pak nga pak, vetë ai, universi, filozofia e vërtetë janë njëjtësuar plotësisht me formën e Rrethit Pickwick. Nga kjo rrugë arrijmë kështu te një ide dhe kërkesë shumë e lartë për klasikun:

  1. Klasik quhet libri që konfigurohet si barasvlerës i gjithësisë, njësoj si talismanët antikë.

Me këtë përkufizim i afrohemi idesë së librit të plotë, siç e ëndërronte Mallarmé. Por klasiku mund të vendosë një marrëdhënie po aq të fortë në kah të kundërt, në antitezë. Gjithë çka bën e mendon Jean-Jacques Rousseau e kam shumë për zemër), por e gjitha më ngjall një dëshirë të pakthyeshme për ta kundërshtuar, për ta kritikuar, për t’u zënë me të. Ka të bëjë me temperamentin e tij, që e bën antipatik e për këtë arsye nuk do ta lexoja, por megjithatë nuk mund të mos e rendis ndër autorët e mi. Pra them:

  1. Klasiku “yt” është ai ndaj të cilit nuk mund të jesh indiferent e që të shërben për ta vendosur veten në marrëdhënie e ndoshta në kundërshti me të. Mendoj se nuk kam pse justifikohem kur përdor termin

“klasik” pa dallime për nga vjetërsia, stili, autorësia. (Mbi historinë e gjithë këtyre kuptimeve të termit, të shihet fjala shteruese Classico e Franco Fortini-t në Enciclopedia Einaudi, vol. III (Enciklopedinë Einaudi, vëllimi III). Ajo çka e dallon klasikun në diskutimin që po bëj është ndoshta thjesht një efekt kumbues që vlen si për veprën antike ashtu dhe për atë moderne, por që ka vendin e saj në vazhdimësinë kulturore. Mund të themi:

  1. Klasiku është një libër që vjen para gjithë librave të tjerë klasikë, por kush ka lexuar të tjerët më parë e pastaj lexon këtë, menjëherë e dallon vendin që ai zë në gjenealogji.

Në këtë pikë nuk mund ta lë për më vonë problemin e rëndësishëm se në ç’raport duhet të vë leximin e klasikëve me të

gjitha leximet e tjera që nuk janë të tilla. Problem që lidhet me pyetje si: “Përse të lexojmë klasikët, kur mund të përqendrohemi në lexime që na bëjnë ta kuptojmë më mirë kohën tonë?” dhe “Ku ta gjejmë kohën e qetësinë mendore për të lexuar klasikët, të mbytur siç jemi nga moria e shtypit mbi aktualitetin?”

Sigurisht që mund të hamendësohet për një person fatlum që i kushton “kohën-lexim” të ditëve të tij tërësisht leximit të Lukrecit, Lukianit, Montaigne-it, Erazmit, Quevedo-s, Marlowe-s, Discours de la Méthode, Wilhelm Meister-it, Coleridge-it, Ruskin-it, Proust- it e Valéry-s duke u kushtuar pak kohë edhe Murasakit, ose sagave islandeze. E gjithë kjo, pa iu dashur të bëjë recensa mbi botimin e fundit, as publikime për konkursin në katedër, as punë editorie me kontratë afatshkurtër. Ky person fatlum, për t’u mbrojtur, duhet të mos i lexojë gazetat, mos të joshet kurrë nga romani më i fundit, apo nga anketimi i ri sociologjik. Mbetet të shohim sesa i drejtë e i dobishëm do ishte një qëndrim kaq i rreptë. Aktualiteti mund të jetë banal dhe poshtërues, por gjithsesi është një pikë ku duhet të vendosemi, për të parë përpara apo pas. Që të mund të lexosh klasikët duhet të përcaktosh “nga ç’pikë” po i lexon, përndryshe, si libri ashtu dhe lexuesi humbasin brenda një reje pa kohë. Ja pra që rendiment më të lartë në leximin e klasikëve ka ai që di ta alternojë me zgjuarsi këtë lexim edhe me sasinë e leximit mbi aktualitetin. Kjo nuk parakupton domosdoshmërisht një qetësi të brendshme të ekuilibruar: mund të jetë edhe fryt i nervozizmit nga padurimi apo pakënaqësia.

Ndoshta idealja do ishte ta dëgjoje aktualitetin si gumëzhitje jashtë dritares, që na lajmëron për bllokimet e trafikut dhe ndryshimet metereologjike, ndërsa ndjekim ligjërimin e klasikëve që tingëllon i qartë e i artikuluar brenda në dhomë.

Por mjafton, nëse për më të shumtët prania e klasikëve vjen si një shungullimë e largët, jashtë dhomës së mbytur nga aktualiteti, si p.sh. nga televizori që buçet.

Pra shtojmë:

  1. Është klasik ai libër që priret ta veçojë aktualitetin në një zhurmë sfondi, por që në të njëjtën kohë, nuk mund të bëjë pa këtë lloj zhurme.
  2. Është klasik ai libër që zgjat si zhurmë sfondi, edhe atje ku aktualiteti më i papajtueshëm sillet si padron.

Mbetet fakti që leximi i klasikëve është në kundërshtim me ritmin tonë të jetës, që nuk i njeh kohët e gjata, frymëmarrjen e otium-it njerëzor, është në kundërshtim edhe me eklektizmin e kulturës sonë, që nuk do të arrinte kurrë të krijonte një katalog të veprave klasike që na duhen.

Kushte të tilla u krijuan për Leopardin, për shkak të jetës së tij në shtëpinë e babait, kultit të antikitetit grek e latin dhe bibliotekës së mrekullueshme të trashëguar nga i ati Monaldo, së cilës i shtoi mbarë letërsinë italiane e atë franceze, përveç romaneve dhe botimeve të reja pa ndonjë rëndësi sa për të kënaqur të motrën (“Stendhal-i yt”, i shkruante Paolinës). Edhe kuriozitetet e tij të shumta shkencore Giacomo i shuante me tekstet që nuk ishin edhe aq up to date: zakonet e zogjve të Buffon-it, mumiet e Federico Ruysch-it tek Fontenelle, udhëtimi i Kolombit te Robertson-i.

Sot as që mendohet një edukim klasik si ai i të riut Leopardi, e mbi të gjitha biblioteka e kontit Monaldo u shpërbë. Titujt e vjetër janë pakësuar, ndërsa të rinjtë janë shtuar shumë në të gjitha letërsitë dhe kulturat moderne. Nuk mbetet gjë tjetër, veçse secili nga ne të shpikë një bibliotekë ideale të klasikëve. E do të thosha se ajo duhet të ketë gjysmën libra që i kemi lexuar dhe që për ne janë të rëndësishëm dhe gjysmën tjetër libra që ia propozojmë vetes për t’i lexuar dhe mendojmë se mund të vlejnë. Duke lënë dhe një pjesë bosh për surprizat, zbulimet e rastit.

Po më kujtohet se Leopardi është emri i vetëm i letërsisë italiane që kam përmendur. Pasojë e zhdukjes së bibliotekës. Tashti më duhet ta rishkruaj të gjithë artikullin, që të qartësoj se klasikët na shërbejnë për të kuptuar kush jemi e ku kemi mbërritur dhe prandaj italianët janë të domosdoshëm, pikërisht për t’i krahasuar me të huajt dhe të huajt janë të domosdoshëm pikërisht për t’i krahasuar me italianët.

Pastaj më duhet ta rishkruaj edhe njëherë, që të mos kujtoni se klasikët duhen lexuar sepse “shërbejnë” për ndonjë gjë. Arsyeja e vetme që mund të jepet është se të lexosh klasikët është më mirë sesa të mos i lexosh.

E kur ndonjëri kundërshton se nuk ia vlen të lodhesh kaq shumë, do citoj Cioran-in (nuk është klasik, të paktën tani për tani, por mendimtar bashkëkohor që vetëm sot po fillon të përkthehet në Itali): “Ndërsa përgatitej kukuta, Sokrati po mësonte një melodi në flaut. “E ç’po të duhet?”- e pyetën. “Ta di para se të vdes”.

 

Përktheu nga origjinali

Viola Adhami


Etiketa: , ,

Pas