Ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda 38-vjeçari shqiptar, të cilit iu bë atentat ditën e diel në plazhin e Torvaianica pranë Romës.
Selavdi Shehaj iu nënshtrua dy operacioneve në spitalin “San Camillo” në Romë, por nuk mundi dot t’ia dilte.
Ai u qëllua nga dy persona të maskuar në kompleksin “Bora Bora, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja me një motor. Sipas hetimeve paraprake, autorët kishin synim ta qëllonin në kokë, me qëllimin për t’i marrë jetën, por plumbat e kapën 38-vjeçarin në pjesën e trupit, në shtyllën kurrizore.
“La Repubblica”, shkruan se policia ka sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e larjes së hesapeve për drogën.
Selavdi Shehaj ishte një person i njohur për drejtësinë italiane. Viktima u la i lirë nga arresti shtëpiak dy muaj më parë (iu gjetën 5 kg drogë), pasi kreu fillimisht dënimin me burg prej dy vitesh e gjysmë.
Selavdi Shehaj ishte i martuar dhe baba i një vajze.