Aktualitet

Izet Haxhia mbetet në burg: Çështja po trajtohet politikisht





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 13:13 - 14/09/19 |
mapo.al

Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Izet Haxhisë, i cili kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin nga burgu, me argumentin se i ka mbaruar afati i paraburgimit. Burime nga brenda sallës së gjyqit bëjnë me dije se Haxhia ka pretenduar se çështja e tij po trajtohet politikisht.


“Unë nuk i jam shmangur drejtësisë, për t’u përballur me drejtësinë vendosa të kthehem në Shqipëri dhe të përballem me akuzat. Kërkoj nga ju të jeni të paanshëm dhe të jepni vendime të drejta pasi çështja ime trajtohet dhe politikisht”, mësohet të ketë thënë brenda sallës së gjyqit Izet Haxhia.



Nga ana tjetër, në fjalën e tij, në mbyllje të kësaj seance gjyqësore, avokati i Haxhisë, Idajet Beqiri ka dhënë argumente se përse vendimi i gjykatës së Apelit, për të ka qenë krejtësisht i gabuar, ose siç e quajti, një “gafë juridike”. Duke u ndalur tek vijimësia e këtij procesi, Beqiri tha se do ta çojë çështjen edhe në Gjykatën e Lartë, kur kjo e fundit të jetë funksionale.


“Gjykimi vazhdon. Tani gjykimet janë për ndryshimin e masës së sigurimit, po gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit ende nuk po çlirohen nga të qenura të varura nga opinioni, nga shtypi, nga politika për rrjedhojë nuk japin një vendim juridik. Masa e arrestit duhet të shuhej sot. Por Apeli i anashkalon se çfarë ka vuajtur ky njeri në Turqi. 4 vjet e 4 muaj që në Shqipëri llogariten si 13 vite. Në Shqipëri, ishte në arrest shtëpie dhe kjo burg quhet. Haxhia e ka vuajtur burgun. Sot Gjykata bëri gafa të rënda juridike. Do ta çojmë çështjen në Gjykatën e Lartë, kur ajo të funksionojë”, tha Beqiri.

Ditën e djeshme, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar që vrasja e ish-deputetit Azem Hajdari të përfaqësohet në gjyq nga Krimet e Rënda pasi sipas saj vrasja e ish-deputetit nuk është kompetencë e tyre. Kërkesa është bërë dje në seancën e 7-të nga dy prokurorët ndërsa pritet që më 20 shtator Gjykata Penale të vendosë nëse do ta mbajë ajo apo do të shpallë mos-kompetencën.

Izet Haxhia ka qenë truprojë e Sali Berishës, deri në vitin 1998 gjatë kohës që Berisha ka mbajtur postin e Presidentit të Republikës. Ai është dënuar në mungesë me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Pas vrasjes së Hajdarit, Haxhia u largua për të qëndruar afro dy dekada në Turqi nga ku dhe ekstradua më 8 Maj 2018.

Pas mbërritjes në Tiranë ai kërkoi rivendosje në afat dhe rigjykim, kërkesa të cilat u pranuan dhe procesi ndaj tij është rihapur më një tjetër trupë gjykues në Dhomën Penale të kryeqytetit.


Etiketa: , , , , , , , ,

Pas