Izraeli bëri të ditur se ka goditur objektivat iranianë përreth kryeqytetin sirian, Damask.
Forca Mbrojtëse e Izraelit tha se operacioni është kryer gjatë natës dhe se ka shënjestruar njësitin Quds të Gardës Revolucionare Iraniane.
Në shënjestër ishte edhe mbrojtja ajrore siriane.
Kurse ushtria siriane nga ana e saj thotë se ka arritur të rrëzojë shumicën e raketave izraelite.
Sipas BBC, grupe të monitorimit në terren thonë se janë vrarë të paktën 11 luftëtarë pro-qeveritarë.
Reagimi i Izraelit vjen pasi forcat iraniane qëlluan një raketë nga Siria drejt territoreve izraelite në lartësitë Golan.
Irani, një armik i betuar i Izraelit, ka mbështetur presidentin Bashar al-Assad në luftën civile që ka përfshirë vendin, duke dërguar mijëra persona në mbështetje.
Izraeli rrallë kryen sulme brenda në Siri.
Ushtria ruse, e cila po ashtu mbështet qeverinë siriane, thotë se më shumë se 30 raketa dhe bomba janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore siriane.