fbpx

Dikur

Ja kriminelët e regjimit komunist sipas “Frontit të Rezistencës”





               Publikuar në : 08:57 - 03/05/19 |
mapo.al

Nga Veli Haklaj


Veprimi i emigracionit shqiptar kundër regjimit komunist të Tiranës



Vendosja e diktaturës komuniste në Shqipëri, përveç të tjerave, solli dhe një rritje të emigracionit politik dhe ekonomik shqiptar, në Jugosllavi, Greqi, Itali, Turqi, Egjipt, Francë, SHBA, Kanada, Australi etj.


Grupimet kryesore në të cilat vepronte ky emigracion ishin: Komiteti Shqipëria e Lirë, Balli Agrar, Grupi i Legalitetit, Balli i Ali Këlcyrës, Grupi i Bllokut Indipendent, Shoqëria Letrare Shqiptare Amerikane, organizata “Vatra”, organizata “Shqipëria e Lirë”, organizata “Heroizma Shqiptare”, organizata “Fronti i Rezistencës Antistaliniane Shqiptare”, organizata Vorio-Epiriote, organizata A.A.N.O., shoqata “Vëllazërimi turko-shqiptar” etj.

Në gjysmën e dytë të viteve ’70, të shekullit të kaluar, konstatohet një radikalizim i qëndrimeve të emigracionit politik shqiptar, e reflektuar kjo dhe në përmbajtjen e periodikut të organizatave të tyre (“Atdheu”, “Dielli”, “Flamuri”, “Lidhja e Prizrenit”, “Shejzat”, “Shqiptari i Lirë” etj.), veçanërisht të trakteve dhe fletushkave që hidheshin në Shqipëri, me anë të të cilave synohej ndërgjegjësimi i popullit shqiptar për një veprim të armatosur për rrëzimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Nëpërmjet disave prej tyre përcillet informacion dhe për format gjakatare të veprimit të strukturave të shtetit diktatorial në Shqipëri nën drejtimin e nomenklaturës së kuqe, veçanërisht të dyshes Hoxha – Shehu.

Duke u bazuar në përmbajtjen e tyre e në të dhënat që dispononin, organet e specializuara në Shqipëri arritën në përfundimin që këto materiale ishin përgatitur jashtë shtetit nga organizata antikomuniste e “Legalitetit” me në krye Leka Zogun, nën drejtimin e zbulimit amerikan.

Faktikisht, në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar, emigracioni politik jashtë shtetit filloi të riorganizohet për të intensifikuar veprimtarinë e tij kundër regjimit komunist në Shqipëri, regjim që identifikohej me dyshen Hoxha – Shehu: organizata e “Legalitetit” në vitin 1972 zgjodhi “Këshillin Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike”, nën drejtimin e Leka Zogut; organizata “Heroizma Shqiptare” me në krye Ndue Gjonmarkaj, e krijuar në vitin 1965 nga zbulimi italian e Vatikani, në vitin 1975 mbajti kongresin e saj; ndërsa në vitin 1974 krerët e “Komitetit Shqipëria e Lirë” nën drejtimin e zbulimit amerikan krijuan në mënyre sekrete organizatën “Fronti i Rezistencës Antistaliniane Shqiptare”, me në krye Rexhep Krasniqin.

“Legaliteti”, “Heroizma shqiptare” dhe “Fronti i Rezistencës”, duke patur të njëjtën platformë kundërkomuniste, përveç dërgimit të grupeve luftarake për të kryer akte të mprehta dhe veprimtarisë kundër përfaqësive shqiptare jashtë shtetit etj., në bashkëpunim me njëra-tjetrën vunë në programin e tyre edhe shpërndarjen e materialeve propagandistike në Shqipëri.

Në një nga thirrjet e Këshillit Ushtarak për Çlirimin e Shqipërisë Etnike, mbasi tregohej domosdoshmëria e krijimit të këtij këshilli, midis të tjerave theksohej: “Shqiptarë, përgatituni, dita e çlirimit po afrohet, regjimi gjakatar do të zhduket, Kosova e Çamëria janë tonat, shqiptarët e mërgimit janë vënë në lëvizje, mjaft me jetë mjerimi nën komunizëm, luftë qeverisë ateiste”.

Organet e specializuara të regjimit komunist morën masa dhe orientuan detyra të posaçme në drejtim të të arratisurve që ishin aktivizuar e pritej të dërgoheshin në formën e grupeve të armatosura në Shqipëri, veçanërisht për ata që ishin aktivizuar nga Leka Zogu dhe “Fronti i Rezistencës”, që drejtohej nga Rexhep Krasniqi.

Fletushka me përmbajtjen më radikale në atë periudhe ishte “Luftëtari i Lirisë”, organ i Frontit të Rezistencës për Liri, e cila botohej diku në gjirin e popullit të robëruar shqiptar, dhe në kopertinën e fundit, me siglën “Shumë Sekret”, kishte porosinë: “Lexoje, studjoje, shpërndaje”.

Në vijim, lexuesi i gazetës MAPO do të njihet me pjesë të këtij dokumenti, përmbajtja e të cilit alarmoi përfaqësuesit më të lartë të regjimit diktatorial në Shqipëri, në vitin 1977. Theksojmë se një popull që nuk nxjerr mësimet e duhura nga gabimet e të kaluarës është i destinuar të vuajë në të tashmen, por dhe në të ardhmen.

 

VIJON NGA NUMRI I DJESHËM

Grupi i oficerëve të sigurimit famëkeq, që morën pjesë aktive në shfarosjen e mijëra bijve dhe bijave të popullit shqiptar

Këtu më poshtë, Organizata e Frontit të Rezistencës për liri dëshiron me stigmatizue dhe denoncue emrat dhe pozitat e një grupi oficerësh të sigurimit famëkeq, të cilët morën pjesë aktive në shfarosjen e mijëra bij dhe bija të popullit shqiptar, të cilët u mbytën prej torturave kanibaleske të konsumuara në trupin e tyre të pafajshëm, në  qelitë e errëta të burgjeve dhe në kampet e shfarosjes, prej duarve të gjakosura të  elementave të poshtë përmendur:

Gjeneral Koçi Xoxe;

kolonel Nesti Kerenxhiu;

majora: Stefo Grabocka, Edip Çuçi, Isuf Keçi, Vango Mitrojorgji, Qazim Kapisyzi, Siri Çarçani, Kadri Hazbiu, Delo Balili, Mihallaq Ziçishti, Qazim Kondi, Rita Marko, Jashar Kasimati, Çelo Areza, Mehmet Jaho, Bajram Kovarfi, Idriz Fejzo, Halit Kaçanolli, Qemal Malaj, Beqir Liço, Metush Rapo, Nevruz Sulaj, Zagoll Skendo, Mane Kelleçi, Vaske Koleci, Qemal Balluku, Hasaf Kondi, Xhemal Alikaj;

kapitena: Aranit Çela, Kopi Nika, Janaq Karapataqi, Fadil Çuçi, Adem Skendo, Xhule Çiraku, Neshat Hysi, Tomor Spahiu, Vilson Pecani, Niko Çeta, Thoma Gole, Gani Goxho, Beqir Banja, Fadil Kapisyzi, Miho Xhani, Petrit Hakani, Naun Bezhani, Abdyl Kuçi, Hazbi Lamçe, Banush Goxha, Enver Begeja, Çune Mëhilli;

togera: Skender Begeja, Skender Kosova, Skender Konica, Skender Hysi, Stavri Xhara, Dino Seiti, Sotir Sinjari, Qamil Mane, Mano Milo, Shim Kolli, Veiz Levendi, Kamber Sulaj, Sabri Sevrani, Nuci Tira, Besim Selita, Vangjel Rembeci, Gani Leka, Gani Vajza, Jorgo Malo, Kamber Halilaj, Fazlli Jaho, Telha Zguro, Shpen Deda, Veliko Seferi, Hysen Kapllani, Rexhep Kroi, Jaho Turku, Xhaxhi Keko, Resul Baçaj, Beqir Skuro, Besnik Çomo, Lluka Bisha, Tomor Kapllani;

nëntogera: Nexhmedin Metaku, Mid’hat Lame, Feçor Shehu, Maqo Pecani, Gjolek Aliu, Haki Pelo, Tasi Marko, Thanas Bino, Ahmet Alikaj, Zeqir Islami, Muharrem Vasjari, Shyqyri Islamaj;

kaptera: Qatip Kalemi, Kaman Shehu; reshtera: Hito Hitaj, Ali Gana, Shamet Shametaj, Bece Gostivishti, Skender Toskallari, Murat Zekaj etj.

Kriminela të  tillë, shpata e drejtësisë  së popullit ka me i ndëshkue në të ardhmen.

Sundonjësit e Partisë dhe Qeverisë në vitet e fundit

Këtu më poshtë, dëshirojmë me theksue emrat e hordhive sundonjëse të Tiranës. Për me i ushqye ato hordhi është mobilizue i gjithë populli shqiptar me punë të detyruar në  kooperativat famëkeqe skllavëronjëse.

Anëtarët e Byrosë Politike: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Mehmet Shehu, Rita Marko, Adil Çarçani, Beqir Balluku, Hysni Kapo, Spiro Koleka, Haki Toska, Koço Theodhosi, Manush Myftiu, Pilo Peristeri, Kadri Hazbiu, Petrit Dume.

Sekretarët e Komitetit Qendror: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Haki Toska, Rita Marko.

Sundonjësit e Qeverisë (ministra): Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Xhafer Spahiu, Kiço Ngjela, Tonin Jakova, Aleks Verli, Ciril Pistoli, Koço Theodhosi, Spiro Rusha, Beqir Balluku, Manush Myftiu, Peti Shamblli, Bilbil Klosi, Kadri Hazbiu, Behar Shtylla, Josif Pashko, Shefqet Peçi.

Kasapët e Gjykatës së Lartë: Aranit Çela, prokuror; Shuaip Panariti, kryetar.

Kryetari i Presidiumit – Haxhi Lleshi.

Kryetari i Kuvendit Popullor – Medar Shtylla.

Gjenerala të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Kadri Hazbiu, Niko Çeta, Xhule Çiraku, Qazim Kapisyzi, Gjon Banushi, Petrit Hakani, Halim Xhelo, Zoi Themeli, Delo Balili, Qazim Kondi etj.

Gjeneralat e ushtrisë  të ajrit dhe detit: Beqir Balluku, Sadik Bekteshi, Petrit Dume, Arif Hasko, Rahman Perllaku, Rahman Hanku, Hito Çako, Spiro Moisiu, Sadik Boçaj, Kristo Themelko, Fejzo Ismaili, Muharrem Kokomani, Ndreko Rina, Hetem Gjinushi, Muhamed Prodani, Vehbi Hoxha, Hajdar Araniti, Gjin Marku, Zoi Themeli, Baki Stare, Teki Kolaneci, Hamdi Mati, Xhafer Babaçe etj.

Lista emrore e ish-anëtarëve të Byrosë  Politike, anëtarë të Komitetit Qendror të PKSH dhe gjenerala të ushtrisë, të cilët me përpjekjet e tyre sollën në fuqi klikën shtypëse të Tiranës Hoxha-Shehu dhe, si shpërblim, tani ata ndodhen në burgje, në kampe internimi dhe disa prej tyre të  pushkatuar si tradhëtarë, simbas mendimit të Hoxha-Shehut:

Tahir Kadare, Bedri Spahiu, Hulusi Spahiu, Nexhip Velçani, Panajot Plaku, Temo Sejko, Dali Ndreu, Tuk Jakova, Islam Radovicka, Mestan Ujaniku, Baba Faja, Baba Fejzo, Pandi Kristo, Njazi Islami, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica, Pëllumb Dishnica, Kristo Themelko, Gjergj Kokoshi, Manol Konomi, Ramadan Çitaku, Liri Belishova, Liri Gega, Naxhie Dumi, Maqo Çomo, Nesti Kerenxhi, Nako Opari, Selim Kokalari, Shefqet Beja, Selaudin Toto, Tefik Deliallisi, Faik Shehu, Sheh I. Karbunara, Agathokli Xhitoni, Enver Sazani, Sulejman Klosi, Riza Dani, Irfan Majuni, Shefqet Çelkupa, Pajo Islami, Rahman Aruçi, Sali Verdha, Hasan Reçi.

Burgjet dhe kampet e shfarosjes së diktaturës komuniste

Këtu më poshtë, dëshirojmë me përmendë emrat e burgjeve dhe kampeve të shfarosjes me të burgosur dhe internuar politik, ku qysh prej vitit 1945 dhe deri në  ditët  e sotme, u torturuan me metoda kanibaleske 220 000 qytetarë  shqiptarë  të  pafajshëm në qelitë e burgjeve dhe në kampet e shfarosjes; 20 000 prej tyre nuk u kthyen të gjallë pranë familjeve të tyre, ata u mbytën me tortura kanibaleske të konsumuara në trupin e tyre prej duarve të anthropofageve të sigurimit famëkeq.

Nr. Emri Rrethi Viti
1. Maliq Korçë 1946
2. Jubë Durrës 1946
3. Vloçisht Korçë 1948
4. Beden Kavajë 1948
5. Kozare Lushnje 1948
6. Pojan Korçë 1949
7. Zhabjak Kavajë 1949
8. Valias Tiranë 1949
9. Nizhavac Korçë 1950
10. Rishqem Elbasan 1950
11. Ura Banes Peqin 1950
12. Rapi Trish Tiranë 1951
13. Yzberish Tiranë 1951
14. Cerrik Elbasan 1952
15. Ura Vajgurore Berat 1952
16. Varri Bob Berat 1952
17. Rrushkull Durrës 1953
18. Vlashuk Kuçovë 1953
19. Rinas Tiranë 1953
20. Levan Fier 1954
21. Kafaraj Fier 1954
22. Radostinë Fier 1955
23. Tiranë Qytet 1955
24. Profes. Tiranë 1955
25. Lushnje Qytet 1956
26. Thumanez Krujë 1956
27. Bubullime Lushnje 1957
28. K. Kuqe Tiranë 1957
29. Mamuras Krujë 1957
30. Sarande Qytet 1958
31. Milot Shkodër 1958
32. Bulqizë Peshkopi 1958

Kampet me të internuar politik

Këtu më poshtë, dëshirojmë me përmendë emrat e kampeve të internimit me të internuar politik, në të cilat kampe shfarosjeje mijëra gra, fëmijë, pleq dhe plaka vdiqën prej urisë, sëmundjeve dhe torturave të konsumuara në trupin e tyre të pafajshëm, faj i tyre ishte: – Sepse dikush prej anëtarëve të familjes së tyre ishte arratisur jashtë atdheut i imponuar prej persekutimeve të përditshme të agjentëve të Partisë Komuniste Shqiptare të edukuar dhe frymëzuar prej klikës Hoxha – Shehu, armiq të lirisë.

Nr. Kampi Rrethi Viti
1. Berat Kala 1946
2. Krujë Qytet 1945
3. Kuçovë Qytet 1946
4. Sukth Shijak 1947
5. Tepelenë Qytet 1948
6. Gramsh Lozhan 1949
7. Porto Palermo Himarë 1950
8. Çorovodë Skrapar 1951
9. Llakatund Vlorë 1952
10. Saver Lushnje 1954
11. Seman Fier 1954
12. Kuç Kurvelesh 1955
13. Radostinë Fier 1956
14. Levan Fier 1957
15. Saver Lushnje 1958
16. Ferma Çlirimi Fier 1959

Ky është paradisi i kuq i klikës sundonjëse të Tiranës, armiku i betuar i lirisë së popullit shqiptar, shkelës i gjakut të bijve të popullit shqiptar që ranë si heronj në fushën e nderit në luftë kundra okupatorëve fashistë për çlirimin e popullit të shumëvuajtur shqiptar. Por, për fat të keq, ai nuk u çlirua, ai ra në një robëri më të rëndë sesa ajo e fashizmit; Shqipëria dhe vetë populli shqiptar ranë përfund skllavërisë kooperativiste komuniste, skllavëri e cila është e papame në historinë e njerëzimit deri më sot.

Demokracia e vërtetë s’ka me vdekë në vendin tonë

Populli shqiptar dëshiron me ju thënë sundonjësve të Tiranës: Ne nuk dëshirojmë me jetue brenda hekurave të burgjeve dhe telave të kampeve të internimit të ndërtuara prej jush, ne nuk dëshirojmë me jetue për fund frikës dhe terrorit, ne dëshirojmë me jetue përfund demokracisë dhe socializmit të vërtetë të lirë, të lumtur, të bashkuar dhe vllazëruar, pa frikë, përfund hijes së flamurit tonë kombëtar, përfund dashurisë së atdheut, popullit dhe perëndisë.

Demokracia e vërtetë s’ka me vdekë në vendin tonë përderisa të ekzistojë populli shqiptar; populli shqiptar nuk dëshiron me u trajtue ashtu si ju pëlqen klikës sundonjëse të Tiranës, sepse veprime të tilla nuk janë të drejta dhe njerëzore.

Njeriu dëshiron me u trajtue ashtu si i pëlqen atij, me u respektue dhe trajtue si njeri me të drejta të barabarta pa dallim ideje dhe mendimi politik; Fronti i Rezistencës për liri propozon ligje dhe programe të reja për përmirësimin e përgjithshëm të jetesës së popullit dhe të sistemit shoqëror në vendin tonë. Të dy partitë politike që kanë me ekzistue në të ardhmen në vendin tonë duhet për me ndërtue programe nacionale të bazuara në filozofi progresivo-demokratike, në interes të përbashkët të atdheut dhe popullit shqiptar pa dallim dhe klikat sundonjëse kanë me u eliminue plotësisht, një herë përjetë.

Koha ka ardhë: me fitue lirinë – ose me vdekë

Fronti i Rezistencës për liri i bën thirrje të gjithë popullit shqiptar pa dallim: Koha ka ardhë për me forcue zemrat tuaja të lodhura prej robërisë 30 vjet duke jetuar përfund sistemit skllavëronjës komunist. Populli shqiptar i bashkuar si një trup i vetëm me luftëtarë të lirisë në luftë të armatosur kundra klikës shypëse gjakpirëse të Tiranës Hoxha-Shehu, armiq të betuar të lirisë së popullit dhe tradhëtarë të gjakut të atyre që shekuj me radhë ranë si heronj në fushën e nderit për liri, demokraci dhe drejtësi.

Me ardhjen e klikës Hoxha-Shehu në fuqi, çdo gjë me vlerë u zhduk, u shkel, u tradhëtua në vendin tonë, me anë të depresionit, forcës dhe terrorit të përdorun kundra vullnetit dhe idealeve të shumicës së popullit shqiptar.

Gjaku i atyre që shekuj me radhë u derdh për liri u shkel; liria e fjalës, drejtësia dhe demokracia u eliminuan; pasuria, prona private e popullit u grabit; traditat e bukura mijëravjeçare të popullit shqiptar u zhdukën; dashuria dhe bashkimi ndërmjet popullit popullit u minuan; perëndia dhe fetë që të parët tonë mijëra vite kishin besue dhe dashurue u zhdukën; historia dymijëvjeçare e popullit shqiptar u shtrembërue; populli shqiptar, Shqipëria vetë, liria dhe pasuria e tij u shitën tri herë në të huaj, në Jugosllavi, në Rusi dhe më në fund në chini-machini (Kinë); Shqipëria dhe shqiptarët me mina dhe tela me gjëmba u rrethuan, populli shqiptar prej gjithë botës është izoluar; përfund tiranisë staliniste, në errësirë, me zgjedhë të rëndë mbi zverkun e tij të lodhur ai është duke jetuar në sistemin skllavëronjës kooperativist si kafshët të grumbulluar; prej dritës, lirisë dhe lumturisë ai shumë është larguar; me shpresa ai është duke jetuar prej Tiranisë komuniste me u çlirue, i lirë, i lumtur dhe pa frikë në atdheun e vet me jetue; klika tradhtare – aventuriere Hoxha-Shehu me u eleminue; Shqipëria e lirë Ethnike me u bashkue; gjaku i atyre që në shekuj me radhë u derdh për liri me lulëzue; bashkimi dhe dashuria ndërmjet shqiptarëve me triumfue; me nder dhe lavdi sa universi Shqipëria jonë e dashur e lirë me jetue.

Përpara shqiptarë! Të bashkuar në revolucion të armatosur për liri, juve shqiptarë të robëruar, me shpatë të Skenderbeut në dorë për liri me luftue, kundra tiranisë staliniste me triumfue. Juve shqiptarë të robëruar çohuni pre gjumit të skllavërisë, tunduni, shkunduni, forconi zemrat dhe muskujt tuaj të lodhura prej robërisë, bashkohuni rreth Frontit të Luftëtarëve të Lirisë për sulmin vendimtar kundra forcave të errësirës, kundra klikës së kalbur tradhtare të Tiranës, e kryesuar prej Hoxha-Shehu.

Bashkimi i popullit shqiptar me Frontin e Rezistencës për liri kishte me sjellë vdekjen e sigurtë të sistemit kooperativist komunist në vendin tonë dhe fitoren e plotë të lirisë së popullit të robëruar shqiptar. Populli shqiptar duhet me luftue për me fitue lirinë e grabitur prej klikës gjakpirëse Hoxha-Shehu. Ne duhet me luftue, sepse lufta e jonë është luftë e drejtë; ne kemi me fitue sepse neve jemi duke luftuar për liri; ne do të fitojmë sepse i gjithë opinioni botëror është me luftën tonë të drejtë për liri; ne do fitojmë sepse në luftojmë për çlirimin e familjes shqiptare prej klikës uzurpatore të Tiranës e kryesuar prej agjentave të shitur tre herë në të huaj.

Ushtarë, nënoficera dhe oficera, të rinj dhe të reja shqiptarë, bij dhe bija të popullit të robëruar shqiptar, Klika sundonjëse e Tiranës formoi kooperativat famëkeqe, grabitën lirinë dhe pasurinë e popullit, e detyruan atë me u bë anëtar në kooperativë, e organizuan atë në brigada pune të detyruar, në rrjeshta në brigada të radhitur, si skllevër të mesjetës, me kazma e lopata, krahëzbathur, zhveshur me këmbë të zhytura thellë në ujë dhe baltë, në mëshirë të natyrës përfund shiut dhe dëborës; të uritur, të tronditur, të lodhur, të raskapitur, me duar dhe fytyra të rudhura dhe plakur para kohe, të drejtuar prej perëndisë dhe perëndimit për me fitue lirinë – ose me vdekë.

Rroftë Populli Shqiptar!

Rrofshin Luftëtarët e Lirisë!

O.F.R.A.K.SH.

Rroftë Shqipëria e Lirë!

Poshtë Klika Kriminale Hoxha – Shehu!

FUND

 

Burimet:

Idriz Lamaj, Fjalori enciklopedik shqiptar, Kristalina KH, Tiranë, 2008.

Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, “55”, Tiranë, 2006.

Luftëtari i Lirisë”, organ i Frontit të Rezistencës për Liri.

Rexhep Krasniqi, Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë, tezë doktorate, Vjenë, 1934, Tiranë, 2007.

LEXO EDHE:

Kriminelët e regjimit komunist sipas ‘Luftëtarit të lirisë’

Thirrje nga “Luftëtari i Lirisë” për rrëzimin e regjimit komunist

 


Etiketa: , , , , ,

Pas