Kryesore

Ja kur rrezikohen meshkujt të preken nga kanceri i testikulit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:37 - 08/03/19 |
mapo.al

Flet mjeku urolog


Në disa raste, mashkulli e zbulon vetë kancerin e testikulit ose në mënyrë të rastësishme, ose duke bërë një vetëkontroll të testikujve me qëllim gjetjen e një mase në të. Në raste të tjera ajo zbulohet nga mjeku gjatë një ekzaminimi fizik rutinë. Për të përcaktuar nëse një masë e prekur në testikul është kancer, mjeku rekomandon disa ekzaminime.



Në krahasim me kanceret e tjerë, kanceri i testikulit është i rrallë, por zakonisht prek moshat midis 15 dhe 35 vjeç. Kanceri i testikulit ka mundësi të mëdha për t’u trajtuar edhe në rastet kur është përhapur përtej testikujve. Në varësi të tipit dhe të stadit të kancerit ndryshon dhe trajtimi. Dr. Shk. Rezar Rusi, urolog shpjegon për “Mapo” shenjat që shfaq kjo sëmundje te meshkujt, cilat janë metodat e trajtimit dhe cilat kontrolle e zbulojnë sëmundjen që në fazat e para të saj.


Shenjat

Shenjat dhe simptomat e kancerit të testikulit janë: zmadhim i testikulit ose prekja e ndonjë kokrre në të, një ndjenjë rëndimi në skrotum, një dhimbje e bezdisshme në bark ose në rrëzë të kofshës, një grumbullim i papritur lëngu në skrotum, zmadhim ose zbutje e gjoksit, dhimbje shpine. Zakonisht kanceri prek vetëm një testikul.

Shkaqet

Në shumicën e rasteve, shkaqet e krijimit të kancerit të testikulit nuk janë të qarta. Në përgjithësi dihet që kanceri ndodh kur qelizat e shëndosha të testikulit pësojnë ndryshime anormale. Qelizat e shëndetshme rriten dhe ndahen në mënyrë të rregullt duke bërë që organizmi të funksionojë normalisht. Nganjëherë disa qeliza zhvillohen në mënyrë anormale duke bërë që kjo rritje të dalë jashtë kontrollit. Këto qeliza kanceroze vazhdojnë të ndahen edhe të shtohen kur nuk ka nevojë për qeliza të reja. Grumbullimi i këtyre qelizave formon një masë në testikul. Pothuajse të gjitha kancerat e testikulit fillojnë nga qelizat germinale të cilat prodhojnë spermatozoidet. Nuk dihen shkaqet pse këto qeliza bëhen anormale dhe kthehen në kancer.

Faktorët predispozues

Faktorët që paraqesin rrezik për krijimin e kancerit janë: Një testikul i pazbritur në skrotum. (Kriptorkidizëm). Testikujt formohen brenda barkut të mashkullit gjatë kohës së zhvillimit fetal dhe zbresin në skrotum para lindjes. Meshkujt që kanë një testikul që kurrë nuk ka zbritur në skrotum, janë më të predispozuar për zhvillimin e kancerit në të dy testikujt në krahasim me meshkujt e tjerë të cilët kanë një zbritje normale të tyre. Ky rrezik është i madh edhe në rastet kur ato me anë të ndërhyrjes kirurgjikale vendosën në skrotum. Duhet theksuar që shumica e meshkujve me kancer të testikulit nuk kanë patur histori të testikujve të pazbritur.

Zhvillim anormal i testikulit. Disa gjendje që influencojnë në një zhvillim anormal të testikujve si Klinefelter sindrom, mund të shtojnë rrezikun e kancerit të testikulit.

Historia familjare. Nëse një anëtar i familjes ka patur kancer të testikulit, kjo shton mundësinë e formimit të kancerit në anëtarët e tjerë.

Mosha. Kanceri i testikulit prek zakonisht moshat e reja, sidomos ata me moshë 15 deri 35 vjeç, megjithëse kjo mund të haset në çdo moshë.

Ekzaminimet dhe diagnoza

Në disa raste, mashkulli e zbulon vetë kancerin e testikulit ose në mënyrë të rastësishme, ose duke bërë një vetëkontroll të testikujve me qëllim gjetjen e një mase në të. Në raste të tjera ajo zbulohet nga mjeku gjatë një ekzaminimi fizik rutinë. Për të përcaktuar nëse një masë e prekur në testikul është kancer, mjeku rekomandon disa ekzaminime.

Eko testikulare. Sonda e ekos lëvizet në skrotum për të marrë imazhet e testikulit. Me anë të këtyre mjeku mund të përcaktojë natyrën e çdo masë në testikul, siç janë ato solide ose ato të mbushura me lëng. Njëkohësisht ekoja tregon nëse masa është brenda apo jashtë testikulit.

Analizat e gjakut. Këto analiza duhen për të përcaktuar nivelin e markuesve të tumorit në gjak. Markuesit tumoralë janë substanca që qarkullojnë normalisht në gjak, por në disa situata duke përfshirë dhe kancerin e testikujve, ato mund të ngrihen. Niveli i lartë i markuesve në gjak nuk do të thotë se me siguri kemi të bëjmë me kancer, por kjo ndihmon në përcaktimin e diagnozës.

Lloji i kancerit

Lloji i kancerit të testikulit përcakton trajtimin dhe prognozën e tij. Në përgjithësi ka dy tipe të kancerit të testikulit:

Seminoma. Kjo shfaqet në të gjithë grupmoshat, por më e mundshme te burrat e moshuar. Seminomat në përgjithësi nuk janë aq agresivë sesa joseminomat.

Joseminoma. Tumoret joseminoma kanë prirje të zhvillohen herët si dhe rriten dhe shpërndahen me shpejtësi. Ekzistojnë disa tipe të tumoreve joseminoma duke përfshirë koriokarcinoma, karcinoma embrionale, teratoma etj.

Stadifikimi i kancerit të testikulit

Mbasi vendoset diagnoza, hapi i dytë është përcaktimi i përhapjes së tumorit. Për këtë rekomandohet:

Skaner. Me anë të saj merren imazhe të barkut, gjoksit dhe legenit për të parë shenjat e përhapjes së tumorit.

Analizat e gjakut. Këto nevojiten për të gjetur një nivel të lartë të markuesve tumorale, i cili ndihmon mjekun për të parë nëse ende ekziston kanceri në trup edhe pas heqjes së testikulit.

Stadet e kancerit të testikulit janë:

Stadi I. Kanceri është i kufizuar në testikul.

Stadi II. Kanceri është shpërndarë në limfonodulet në bark.

Stadi III. Kanceri është shpërndarë në pjesë të tjera të trupit; zakonisht ai shpërndahet në mushkëri dhe mëlçi.

Trajtimi

Mënyra e trajtimit të kancerit të testikulit varet nga disa faktorë siç janë tipi dhe stadi i kancerit, gjendja e përgjithshme shëndetësore dhe preferenca e pacientit.

Trajtimi Kirurgjikal

Operacionet e përdorura për kancerin e testikulit përfshijnë:

Operacioni për të hequr testikulin është operacioni kryesor pothuajse për të gjithë stadet dhe tipet e kancerit të testikulit.

Operacioni për të hequr gjëndrat limfatike që kanë lidhje me tumorin, hiqen të gjitha gjëndrat e përfshira në këtë sëmundje.

Në rastet kur kanceri i testikulit është kapur në fazat e hershme, ndërhyrja kirurgjikale mund të jetë i vetmi trajtim i nevojshëm. Në këto raste, pas operacionit, i sëmuri duhet të kryejë vizita disa herë në vit për vitet e para dhe pastaj më rrallë. Mbas këtyre ai duhet të bëjë skaner dhe analiza gjaku për të përjashtuar mundësinë e përsëritjes së sëmundjes.

Mjekimi me rreze (Radioterapia)

Ky mjekim konsiston në përdorimin e rrezeve me fuqi të lartë siç janë rrezet X për të shkatërruar qelizat kanceroze. Radioterapia nganjëherë është një opsion trajtimi për të sëmurët që kanë tipin seminoma të kancerit të testikulit, si dhe mund të rekomandohet mbas heqjes së testikulit me anë të operacionit. Rrezatimi mund të shkaktojë infertilitet.

Kimioterapia

Kjo konsiston në përdorimin e medikamenteve për të shkatërruar qelizat kanceroze. Kimioterapia mund të jetë mjekimi i vetëm ose mund të rekomandohet përpara ose pas heqjes së gjëndrave limfatike.

Parandalimi

Nuk ka asnjë mundësi për parandalimin e kancerit të testikulit. Rekomandohet vetëkontrolli i testikujve për ta zbuluar kancerin në fazat e para. Koha më e përshtatshme për këtë është ajo pas bërjes së një banje me ujë të ngrohtë. Ngrohtësia e ujit relakson skrotumin duke bërë më të lehtë zbulimin e ndonjë formacioni jo të zakonshëm.

Vetëkontroll

Për të bërë vetëkontroll duhet të ndiqen disa hapa:

Qëndro përpara pasqyrës dhe shiko lëkurën e skrotumit për ndonjë fryrje.

Kontrollo me duar të dy testikujt duke vënë gishtin e madh mbi testikul dhe dy gishtat e tjerë nën të.

Me delikatesë rrotullo testikulin midis gishtit të madh dhe dy të tjerëve. Zakonisht testikujt janë të lëmuar, në formë ovale dhe me konsistencë solide në një farë mënyre. Është normale që një testikul të jetë lehtësisht më i madh se tjetri. Nëse preket ndonjë kokërr duhet konsultuar me mjekun.


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas